Lexues i parë i Shpëtim Emirit!…
“Vëllimin me tregime “Në gjunjë para mirësisë”, e quaj një arritje të madhe të Shpëtim Emirit”
Nga Pëllumb Kulla
Jam po ai, lexues i parë i Shpëtim Emirit!…
Megjithëse këtë herë përshtypjet po i vë në fund, në këtë libër të fundit të këtij autori të veçantë.
Gjithsesi, i pari apo i fundit, cilësimet nuk përmbajnë mburrje apo krenari. Por së paku gojëplot, shkrimtarisë së Emirit, unë i kam mbetur një lexues i përhershëm. Më shumë se falë miqësisë jetëgjatë që na lidh, jam tërhequr nga një interes që më zgjon ky autor me origjinalitetin e përzgjedhjes së temave, me shumëngjyrshmërinë e gjuhës, me humorin e tij plot finesë dhe me besnikërinë ndaj prejardhjes gjirokastrite.
Ai na është bashkuar vonë në tryezën e stërmadhe, imagjinare, ku jemi ulur e shkruajmë letrat tona ne, shkrimtarët, rioshë dhe të thinjur. Shpëtimi u afrua në sofrën tonë, ndërsa i pat kaluar të gjashtëdhjetat dhe u ul rreth saj pas një përvoje të pasur dhe të suksesshme në ndërtimtarinë e vendit, kryesisht në viset e Mallakastrës dhe të Fierit, ku ai dhe unë jemi njohur e pagëzuar tok. Arsye të zakonshme që i sjell shpesh jeta, bënë që të kaluarën e bukur në disa vepra emërmëdha, ai vërtet e la pas shpine, por na e solli atë në formën e lëndës për rrëfimet e tij të këndshme.
Siç edhe e vutë re, edhe në librin që sapo përfunduat së lexuari!
Dihet që autorët grupohen natyrshëm në bashkësi të ndryshme. Bota anembanë saj, ka shkrimtarë që unë do t’i quaja bij të bibliotekave të rruzullit, talente me fantazi të begatë dhe etje të veçantë për dituri e mësim nga të parët, nga më të shquarit. Autorit për të cilin po flas, unë do t’i gjeja vend në atë bashkësinë e madhe të shkrimtarëve që i pjell përjetimi që ata kanë bërë dhe toka, ku kanë vënë këmbët.
Këtë vëllim të tij me tregime, titulluar “Në gjunjë para mirësisë”, unë do marr guximin ta quaj një arritje, madje edhe më të madhen të Shpëtim Emirit, për gjeografinë e gjerë të zhvillimit të ngjarjeve dhe, sidomos, për besnikërinë ndaj shkrimit në vetën e parë. Ky libër i ri mua më entuziazmoi me bukurinë e rrëfimit, me portretet e rrallë të qëmtuar nga syri i tij vëzhgues dhe pikturuar me “penelin” e tij të hollë, me të cilin na i kishte sjellë.
Në librin që duket sikur e kemi ende të ngrohtë pas leximit, të bie në sy dashuria e madhe për njerëzit e punës, në të katër anët e vendit, ku “inxhinieri”, tashmë autor dhe personazh qendror, i ka si dëshmi të humanizmit të bukur, që syri i tij dashamirës i ka shquar dhe u ka bërë strehë në fletët e librit. Mjaft vend zë nëpër tregime, edhe keqardhja për njerëzit e lënë pa vëmendje, sikurse e shohim që në tregimin që i prin vëllimit.
Pa dashur që të qëndroj nëpër të gjithë tregimet veç e veç, uroj që të jeni në një mendje me mua, teksa do të evidentoj disa prej tyre, si atë të cilit i ka marrë titullin për ta vënë mbi tërë librin, po ashtu tregimin “Mbrojtja e hapësirës ajrore” si dhe thuajse që të gjithë tregimet që mbyllin librin, rrëfime të populluara me pleq dhe fëmijë të Dukatit të Vlorës. Aq dashuri dhe vlerësim shpërfaq Shpëtimi për ta, sa unë nuk do të habitesha që pas publikimit të librit, i pari i krahinës aty, t’i blatonte këtij autori një “Certifikatë Nderi”, apo një titull tjetër të llojit honorifik.
Vlera të tjera të dukshme në libër janë, sikurse edhe në vëllimet e mëparshme që unë kam nënvizuar madje edhe në parathënien e librit të parë, ku si bashkautor me të vëllanë, të dy bijtë e librarit të pavdekshëm të Qafës së Pazarit të Gjirokastrës, Alizot Emirit, kanë përjetësuar babanë. Dhe te ky botimi i fundit të mahnisin ngjyrimet e gjuhës, shpotitë, humori, dialogjet, fjalërejat, si folja “u syndërsynë” apo metaforat, si “kuajt e llomotitjeve” e të tjera nëpër faqe. Shpëtim Emiri shpalos me efekt njohjen me rrënjë të të folmeve dialektore zonale, si dëshmi të gjeografisë, ku ka derdhur djersën në detyrën teknike të inxhinierit dhe ka shijuar koloristikën si humorist dhe gjuhëtar i vërtetë.
Ja, humori i pandarë dhe i pangjashëm i këtij mikut tim të vjetër, autorit “të përgjunjur para mirësisë”: a nuk është mahnitës ai burri mallakastriot që ndjek dhe vlerëson koncertin pianistik të Almirës, vajzës të autorit? A nuk të le pa frymë halli qesharak i atij burrit dukatas, që ndihet ngushtë teksa prindërit e tij, dikur, shtatëdhjetë vjet më parë, e paskëshin pagëzuar me emrin e diktatorit të ardhshëm dhe foshnja e porsalindur, Enveri-bebe, do të ndodhej në pikë të hallit, në vitet kur statujën e famshme e kishin hequr zvarrë dhe ky, tashmë burrë i moshuar, do të kishte po atë emër në vargvitet e demokracisë çalamane shqiptare?!… Punë e madhe! Vendi ka enverë plot, ky personazh vuan më kot. Dhe prandaj ne qeshim me të!
Nuk do të rri dot pa përmendur praninë e finesës së humorit edhe në dy tregimthat e shkurtër, anekdotikë, tipikë për sojin e Emirëve, që do t’i quaj perla të këtij libri: “Ndershmëri pa kufij” dhe i përmenduri më lart “Koncerti pianistik…”. Që të dy tregimthat janë të trajtuar me një realizëm të shkallës së lartë.
Si mbyllje të pasthënies, uroj autorin për këtë prurje të re në sofrën tonë të madhe të shkrimtarisë, “falënderoj me mallkim të thellë”, edhe një herë atë shtetarin burokrat dhe shpirtzi, kushdo qoftë ai, që detyroi të mbyllet një kompani e ndershme profesionistësh të shquar ndërtimi dhe bëri që Shpëtim Emiri të vinte e të na e shtonte familjen tonë të shkrimtarisë dhe të harésë gazmore.
Libra të tjerë presim nga ty, i miri miku im!