Sikorski: Polonia, mbështetëse e vendosur e integrimit të Shqipërisë
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun Igli Hasani, ministri Sikorski konfirmoi mbështetjen e Polonisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radoslaw Sikorski deklaroi sot se Polonia është një prej mbështetësve më të vendosur të integrimit të Shqipërisë në BE, ndërsa theksoi se zgjerimi i BE-së do të jetë përparësi kyçe e presidencës polake.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun Igli Hasani, ministri Sikorski konfirmoi mbështetjen e Polonisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Ne jemi të vendosur të mbështesim integrimin e Ballkanit Perëndimor. Mirëpresim rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ndërtimin e urave midis kombeve e po kështu angazhimin tuaj për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Vlerësojmë aktivitetin tuaj intensiv në forumet ndërkombëtare si dhe pozicionimin e qartë të Shqipërisë në raport me agresionin rus kundër Ukrainës. Vlerësojmë po ashtu harmonizimin tuaj të plotë me politikat e jashtme të Be-së”, tha Sikorski.
Kryediplomati polak përgëzoi po ashtu Shqipërinë për hapat e ndërmrra së fundmi në rrugëtimin e integrimit europian.
“Shpresoj që gjatë presidencës polake do të kemi mundësi të ruajmë këtë ritëm në këtë proces. Polonia është një prej mbështetësve më të vendosur të integrimit të Shqipërisë në BE, qoftë politikisht ashtu edhe në praktikë. Shpresojmë që shembulli juaj pozitiv dhe përparimi juaj do të jetë frymëzim për të tjerë në rajon”, u shpreh ai.
Sikorski theksoi se përshpejtimi i zgjerimit të BE-së është një përparësi kyçe e presidencës polake.
“E shohim po kështu si një kompletim të natyrshëm të integrimit politik dhe ekonomik të Europës. Raporti i vitit 2024 për zgjerimin theksoi se Shqipëria është një nga vendet me ecurinë më të shpejtë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Keni dëshmuar angazhim ndaj reformave sidomos në fushën e sundimit dhe zbatimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe promovimit të të drejtave themelore të njeriut dhe ky angazhim i vazhdueshëm në këtë drejtim do të jetë thelbësor në procesin e integrimit në të ardhmen”, tha ai.
Sikorski theksoi se po shohim se përpjekjet transformuese këmbëngulëse të Shqipërisë vërtetë shpërblehen. “Reforma ambicioze gjyqësore dhe përpjekjet e tjera të Shqipërisë janë të lavdërueshme dhe jemi gati të ndërmarrim hapa konkrete që t’ju mbështesim në këtë proces”, tha ai.
Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe Sikorski theksoi se numri i turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë po vjen gjithmonë në rritje.
“Jemi aleatë të mirë në NATO dhe jemi të vendosur të intensifikojmë marrëdhëniet tona, si ato politike ashtu edhe ato ekonomike, sepse kanë potencial të madh. Turistët polakë e dashurojnë të vijnë në Shqipëri dhe po vijnë gjithmonë e më të shumtë. Përmendëm po kështu edhe rritjen e numrit të fluturimeve të drejtpërdrejta nga një sërë qytetesh polake drejt Tiranës”, tha ai.
Burimi ATSH