Manjani: Në bisedime me gjashtë shtete të BE-së për njohjen e pensioneve të shqiptarëve
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani në një intervistë për mediet, tha sot se marrëveshjet për njohjen e pensioneve me shtetet e BE-së janë një proces i gjatë dhe aspak i lehtë.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani në një intervistë për mediet, tha sot se marrëveshjet për njohjen e pensioneve me shtetet e BE-së janë një proces i gjatë dhe aspak i lehtë.
“Pensionisti do të paguhet me valutën e shtetit përkatës dhe si referencën e kursit që do të merren, do të merret kursi i këmbimit zyrtar sipas Bankës së Shqipërisë ose në Itali sipas marrëveshjes dy palëshe. Nuk është e lehtë të negociosh për marrëveshje pensioni, është një proces i gjatë dhe kërkon vullnet politik, njohuri shumë të mira për skemat e marrëdhënieve shoqërore, për të kuptuar kriteret e shteteve përkatës. Marrëveshja me Italinë ka zgjatur për vite të tëra, fillimisht për shkak të mungesës së vullnetit politik por edhe për proceset teknike. Shteti shqiptar është në proces për çelje bisedimesh për fillimin e negociatave për marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me 6 shtete Slloveni, Moldavi, Letoni, Spanjë, Greqi, Izrael”, tha ajo.
Manjani u shpreh se vitet e kontributeve do të njihen sipas marrëveshjeve në fuqi me vendin e tretë, ku mund të kenë emigruar shqiptarët.
“Kjo është një prej arsyeve kryesore pse jemi të motivuar për të rritur marrëveshjet me të gjitha ato vende ku shtetasit shqiptarë kanë emigruar. Nëse një shtetas ka qenë emigrant dhe ka derdhur kontributet në skemën shoqërore të Greqisë dhe kanë emigruar në vende të treta, për shembull në Gjermani, ku ne kemi një marrëveshje dy palëshe, atyre u lind e drejta të kërkojnë vitet e kontribuara kundrejt skemës së kontributeve të Greqisë me këtë vend të tretë ku ne kemi marrëveshje. Nëse ne nuk kemi një marrëveshje me një shtet të BE ku shqiptarët kanë punuar dhe jetuar, por vendosin të jetojnë në një vend tjetër si për shembull shteti gjerman ku ne kemi marrëveshje, atëherë ata kanë të drejtë për të përfituar vitet e tyre të punës sipas kontributeve.”, theksoi Manjani.
Burimi ATSH