Pensionet, Manjani: Kemi 20 marrëveshje me shtetet e BE, 13 janë në fuqi
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha sot gjatë një interviste për “Abcnews”, se Shqipëria ka finalizuar 20 marrëveshje me shtetet e BE-së për njohjen e pensioneve.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha sot gjatë një interviste për “Abcnews”, se Shqipëria ka finalizuar 20 marrëveshje me shtetet e BE-së për njohjen e pensioneve.
“Republika e Shqipërisë ka finalizuar rreth 20 marrëveshje në këto momente që ne flasim, që do të thotë 13 prej tyre, janë marrëveshje që janë të zbatueshme, pra marrëveshje që kanë hyrë në fuqi, ku për hir të vërtetës, ka dhe një numër të lartë emigrantësh shqiptarë.
Këtu do veçoja marrëveshjen me Zvicrën, Gjermaninë apo Luksemburgun, ndërkohë tre marrëveshje të tjera, të cilat janë aprovuar, janë ratifikuar nga parlamenti i Shqipërisë, me Malin e Zi, Maqedoninë dhe marrëveshja e shumëpritur me shtetin italian. Janë dhe dy marrëveshje të tjera, të cilat janë finalizuar gjatë vitit 2024, me Republikën e Polonisë dhe Serbisë të cilat do të kalojnë në të njëjtin proces, përpara se të jenë në fuqi dhe të zbatueshme”, tha Manjani.
Zëvendësministrja e MEKI-t, zbuloi edhe detaje nga këto marrëveshje të nënshkruara për njohjen e pensioneve dhe viteve të punës për qytetarët shqiptarë që kanë punuar jashtë shtetit.
“Përveç rëndësisë që ka mbulimi gjeografik, ne duam që të kemi marrëveshje me të gjitha shtetet, pavarësisht numrit të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë aty, qoftë dhe sikur një shqiptar të jetojë dhe punojë në një shtet jashtë Shqipërisë, është shumë e rëndësishme për ne, që atij t’i mbulohen sigurimet shoqërore, pasi është në të drejtën e tyre që të përfitojnë atë që është e mbuluar qoftë në skemën shqiptare të sigurimeve shoqërore, apo në skemat në të cilat ata kanë emigruar.
Sigurisht që ligji në asnjë rast nuk ka efekt prapaveprues, pra bëhet fjalë për të gjithë ata shtetas që janë ende në marrëdhënie pune dhe që në një moment të dytë do të mbushin moshën e daljes në pension dhe do ti lindi e drejta për të dalë në pension. Kështu që vlen të theksohet se shteti shqiptar krahas pensionit të pleqërisë ofron dhe një skemë universale. Pra, çdo shtetas shqiptar që banon në Shqipëri dhe ka derdhur kontribute shoqërore, në momentin që mbush moshën 70 vjeç, pra disa vite mbi mbushjen e moshës së pensionit, përfiton automatikisht pensionin social në vendet ku ata banojnë apo ku kanë kontribuar”, u shpreh ajo.
Manjani theksoi se çdo shqiptar që ka derdhur kontributet shoqërore në Shqipëri, në rast se ka emigruar në një shtet tjetër në kohën kur del në pension mund ta tërheq dhe atje, duke aplikuar.
“Zakonisht qytetarët duhet t’i drejtohen zyrave të administrimit të skemave shoqërore, në rastin e Shqipërisë është Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në rastet e vendeve të tjera janë institucionet përkatëse administrative të skemave të sigurimeve shoqërore. Në marrëveshjen administrative përcaktohen të gjitha rregullat në mënyrën se si bëhet shkëmbimi i formularëve në varësi të vendeve ku shtetasit shqiptar do të bëjnë aplikimin. Sigurisht kjo bëhet për të ndihmuar shtetasin shqiptar që me vendbanim janë larg nga aty ku kanë paguar sigurimet shoqërore. Informacioni bëhet nëpërmjet këtyre dy institucionet dhe të gjithë modalitetet bëhen përmes këtyre marrëveshjeve administrative, për të lehtësuar qytetarët”, tha ajo.
Zv/ministrja Manja u shpreh po ashtu se shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri mund të tërheqin pensionet e tyre në vendin tonë.
“E njëjta gjë vlen dhe anasjelltas, pra marrëveshjet dypalëshe, përcaktojnë përfitimet e çdo shtetasi, nuk ka rëndësi nëse ai është shtetas shqiptar apo jo, rëndësi ka të jetë rezidentë në shtetin shqiptar dhe për të njëjtin informacion ai mund ti drejtohet autoriteteve respektive në Shqipëri. Sigurisht që përfitimet që ata kanë siguruar nëpërmjet punës së tyre, do ti transferohet në llogaritë e tyre bankare pa asnjë kosto shtesë administrative.
Nëse aplikimi bëhet në vendin e origjinës, të gjitha përfitimet e siguruara do të merren në vendin e daljes në pension. Pra, nëse një shtetas italian vendos që me mbushjen e moshës së daljes në pension, do të vërë në dispozicion një llogari bankare, do bëhet tranferta nga shteti italian në shtetin shqiptar dhe këto përfitime ai do t’i ketë mundësi ti përfitojë në llogarinë e tij personale në shtetin shqiptar dhe anasjelltas”, tha Manja.
Ajo saktësoi se shtetasit e huaj do të paguhet me valutën e vendit përkatës dhe si referencë do të merret kursi i këmbimit zyrtar.
Zëvendës ministrja Olta Manjani u ndal tek një çështje me interes për shumicën e emigrantëve shqiptar të cilët kanë kontribuar në një vend të BE me të cilët shteti shqiptar nuk ka pasur marrëveshje, por zhvendosen në një shtet të tretë ku ekziston një marrëveshje dypalëshe me qeverinë tonë.
Burimi ATSH