Duka: Viti 2024 ishte sfidues, por futbolli ka pasur rritje
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë për mediet, ku foli për ecurinë e kampionatit shqiptar, investimet e FSHF në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe performancën e Kombëtares në EURO 2024 dhe Nations League.
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë për mediet, ku foli për ecurinë e kampionatit shqiptar, investimet e FSHF në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe performancën e Kombëtares në EURO 2024 dhe Nations League.
Ai tha se, “këto tre javë pauzë na japin kohë për reflektim mbi gjithë çfarë kemi kaluar gjatë vitit që po mbyllim. Futbolli shqiptar ka patur arritje dhe sfida, nga sukseset e Kombëtares me kualifikimin për në finalet e Euro 2024 deri te rivaliteti i fortë në kampionatet “Abissnet Superiore” dhe Kategorinë e Parë. Është një vit që na ka sfiduar, por gjithashtu ka treguar një nivel gjithnjë e më të lartë të profesionalizmit dhe përkushtimit”.
Sipas tij, patjetër që ka shumë punë për të bërë, por duhet të them se ka pasur progres në të gjithë drejtimet, jo vetëm në nivelin e konkurrencës, por edhe në infrastrukturë dhe masivizimin e futbollit dhe afrimin e më shumë djemve dhe vajzave me këtë sport magjik.
Lidhur me ecurinë e futbollit shqiptar, ai theksoi se, “ecuria është ndikuar nga disa faktorë kyç. Rivaliteti mes ekipeve është rritur, dhe kjo është diçka pozitive. Nga ana tjetër, kemi sfiduar veten me organizime më të mira dhe kemi investuar në infrastrukturë”.
“Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë për ta përmirësuar eksperiencën e tifozëve dhe për të ndihmuar skuadrat të rrisin performancën. Pavarësisht përpjekjeve të gjithë komunitetit të futbollit për të çuar përpara zhvillimin e lojës tonë, kemi parasysh edhe kontekstin social të vendit tonë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët, gjë që reflektohet në një farë mënyre edhe te futbolli”, tha ai.
Duka theksoi se, futbolli shqiptar nuk ka shënuar progres vetëm te klubet e kryeqytetit. Kemi gjithashtu ekipe nga qytete të tjera që janë rritur shumë dhe po të shohim renditjet provizore të këtyre kampionateve kuptohet që ka rivalitet dhe potencial të madh nga të gjitha skuadrat.
Aspekti pozitiv, vijoi ai, është sigurisht rivaliteti i lartë dhe ndeshjet emocionuese që na kanë dhuruar thuajse të gjitha skuadrat në këtë sezon.
“Nëse do më duhet të veçoj problematika, mbase kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e konsistencës së disa ekipeve dhe sfidat e lidhura me infrastrukturën, për të cilën po punojmë vazhdimisht në bashkëpunim me të gjithë aktorët për ta përmirësuar në të gjitha nivelet. Gjithsesi, mendoj se jemi në rrugën e duhur për t’i adresuar këto problematika”, u shpreh Duka.
Ai u ndal në terrenet dhe stadiumet, ku vuri në dukje se, infrastruktura është një faktor kyç.
“Kemi përparuar me disa projekte të rëndësishme, por mbetet ende shumë për të bërë pasi është një proces që kërkon impenjim të vazhdueshëm. Nuk mjafton vetëm të ndërtosh një fushë të re apo një stadium, por duhet punuar shumë për mirëmbajtjen në vazhdimësi për të pasur infrastrukturën e duhur”, shpreh Duka.
Sipas tij, janë ndërtuar 17 fusha futbolli, janë realizuar 2 rikonstruksione stadiumesh si dhe 5 projekte për përmirësimin në infrastrukturën sportive.
“FSHF i ka asistuar dhe vazhdon t’i mbështesë klubet për fusha e stadiumit, si përmes investimeve dhe projektit “100 fusha” që vijon, ashtu edhe në drejtim të procesit të mirëmbajtjes me anë të ekspertizës tonë. Stadiumet moderne dhe terrenet cilësore janë thelbësore për zhvillimin e futbollit”, tha ai.
I pyetur për startin e merkatos së dimrit, Duka tha se, “në merkaton e dimrit nuk mund të bëhen revolucione, përveçse ndërhyrje të vogla”.
“Sugjerimi im do të ishte që skuadrat të fokusohen në përforcime strategjike dhe jo vetëm në numra. Duhen lojtarë që përshtaten me filozofinë e ekipit dhe që mund të bëjnë diferencë. Njëkohësisht, duhet të kenë më shumë besim te të rinjtë që vijnë nga akademitë dhe t’u krijojnë atyre hapësira për të treguar vlerat”, u shpeh Duka.
Duka theksoi se, “FSHF-ja ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e futbollit, duke investuar në infrastrukturë, edukim dhe promovim të sportit. Kemi bërë shumë në kualifikimin e trajnerëve me kurset tona formuese, zhvillimin e futbollit të fëmijëve, ekipet kombëtare të moshave, futbollin e vajzave, përgjegjësinë sociale. Kemi pritur dhe organizuar në Shqipëri me sukses 13 turne ndërkombëtarë të moshave, ku 30 ekipe kombëtare europiane janë akomoduar, stërvitur dhe kanë zhvilluar ndeshje në vendin tonë”.
Ndërkohë, vijoi ai, që po përgatitemi për të pritur finalet e Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17. Do të jetë turneu i parë ndërkombëtar i këtij niveli që zhvillohet në Shqipëri dhe jam i bindur se do të jetë një histori suksesi. Për t’u përmendur edhe organizimi i disa takimeve dhe mbledhjeve të rëndësishme të UEFA-s që janë zhvilluar në Tiranë nën organizimin e FSHF-së, ndërkohë që shtatorin e ardhshëm do të presim për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Shqipëri.
Një tjetër arritje e madhe, evidentoi ai, ishte nisja e projektit Elite Youth Academy në bashkëpunim me UEFA-n, që synon zhvillimin e talenteve të reja, duke ndërtuar bazat për një të ardhme të ndritur për futbollin shqiptar.
Duka deklaroi se, “përgjatë këtij viti, Federata ka organizuar 154 kampionate kombëtare e rajonale me pjesëmarrjen e 353 klubeve, shoqatave dhe shkollave. Kemi organizuar në total 14,670 ndeshje futbolli me 23,171 futbollistë të regjistruar. 2,820 më shumë se në vitin 2023”. Ndërsa tha se, finalet e Euro 2024 ishin një arritje historike, me Kombëtaren që u kualifikua për të dytën herë në histori në turneun më të madh në Europë.
Duka u shpreh se, “Liga e Kombeve na tregoi që kemi ende punë për të bërë. Në fakt, Kombëtarja bëri paraqitje të mirë duke e mbyllur grupin me 7 pikë dhe duke qenë deri në sekondat e fundit në garë për vendin e dytë. Për një gol, që mund ta kishim shënuar në atë pjesën të dytë të sfidës së fundit ndaj Ukrainës, por që për fat të keq nuk erdhi, ne e mbyllëm të fundit në një grup ku rivaliteti ishte shumë i lartë”.
“S’na mbetet gjë tjetër veçse të mësojmë nga gabimet dhe të vijojmë në rrugën e progresit”, tha Duka.
Burimi ATSH