Kisha Katolike shqiptare hap Vitin e Jubileut
Besimtarët marshojnë nga monumenti i Papa Françeskut drejt katedrales “Shën Pali”
Kisha Katolike shqiptare hapi Vitin e Jubileut, i cili u shpall 5 ditë më parë nga Papa Françesku, në Vatikan.
Kremtimi Eukaristik në Tiranë është udhëhequr nga Arqipeshkvi Metropolit Imzot Arjan Dodaj nga Katedralja e Shën Palit.
Besimtarë të shumtë morën pjesë në hapjen e Vitit të Jubileut që është një vit i hirit dhe mëshirës që kremtohet në Kishën Katolike çdo 25 vjet.
Kisha Katolike mbajti marshimin e shtetgtarëve të Paqes. Pas shtegtimit pas kryqit, që simbolizon fitoren e Krishtit mbi të keqen, besimtarët i janë bashkuar meshës për hapjen e vitit të Jubileut.
Jubileu është kohë transformimi nga lufta në paqe, nga borxhi në falje, nga konflikti në pajtim, nga mëkati në hir, nga vdekja në jetë.
Gjatë Jubileut të gjithë besimtarët që janë vërtetë të penduar dhe të prekur nga një shpirt bamirësie, të pastruar nëpërmjet sakramentit të rrëfimit të freskuar nga Kungimi i Shenjtë që luten sipas udhëzimeve të Atit të Shenjtë do të mund të fittojnë ndjesën e plotë.
Ndjesa e plotë është falja e madhe e mëkateve dhe e fajeve të aplikueshme për vete ose për shpirtrat e purgatorit në formën e përshpirtmërisë.
Burimi ATSH