Mesazhi i urimit i presidentit kinez Xi Jinping për Vitin e Ri 2025
Në prag të ndërrimit të viteve, presidenti kinez Xi Jinping, nëpërmjet Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe internetit, ka dërguar një mesazh urimi për Vitin e Ri 2025. Në vijim është i plotë ky mesazh.
Në prag të ndërrimit të viteve, presidenti kinez Xi Jinping, nëpërmjet Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe internetit, ka dërguar një mesazh urimi për Vitin e Ri 2025. Në vijim është i plotë ky mesazh.
Përshëndetje! Koha kalon shpejt. Në prag të Vitit të Ri, ju përcjell nga Pekini urimet e mia më të mira.
Në vitin 2024, ne kemi ecur përpara së bashku, duke kapërcyer vështirësitë dhe duke shijuar peizazhe të bukura. Momentet që kemi kaluar njëri pas tjetrit në këtë vit na kanë prekur shumë dhe nuk do t’i harrojmë kurrë.
Para ndryshimeve të situatës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, ne kemi zbatuar një sërë politikash për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë. Ekonomia kineze vijoi të rigjallërohej e të shkonte drejt përmirësimit, me një PBB që pritet t’i kalojë 130 trilionë juanët. Prodhimi i drithërave i kaloi 140 milionë tonët, duke garantuar më tej furnizimin ushqimor të popullit kinez. Zhvillimi i rajoneve të ndryshme, si edhe urbanizimi i ri e rigjallërimi rural, u ndërthurën dhe ndërvepruan me njëri-tjetrin, duke pasur arritje të spikatura. Zhvillimi i gjelbër ka arritur përparim të qëndrueshëm, duke krijuar gradualisht një Kinë më të bukur.
Ne kemi zhvilluar forcat prodhuese me cilësi të lartë sipas kushteve të ndryshme, duke sjellë lulëzimin e industrive, sipërmarrjeve dhe modeleve të reja të biznesit. Prodhimi vjetor i makinave me energji të reja i kaloi 10 milionët për herë të parë. Ndërkohë, janë arritur përparime të spikatura sa u përket qarqeve të integruara, inteligjencës artificiale dhe komunikimit kuantik. Sonda hënore “Chang’e-6” që mori për herë të parë mostrat nga ana e pasme e Hënës, batiskafi “Meng Xiang” që zbuloi misteret e oqeanit, ura Shenzhen-Zhongshan, stacioni i vrojtimit “Qinling” në Polin e Jugut… të gjitha këto janë mishërimi i objektivave madhorë të kinezëve për të eksploruar kufijtë e botës.
Këtë vit kam bërë shumë vizita inspektimi në krahina të ndryshme dhe kam parë jetën plot ngjyra të popullit tonë. Mollët e Tianshui-t janë të mëdha dhe të kuqe, anijet e peshkimit të fshatit Aojiao të Dongshan-it janë plot me peshq, “Qeshja lindore” mijëravjeçare mund të shihet ende në Shpellën Maijishan, mirësjellja në Liuchixiang kalon nëpër breza, njerëzit shëtisin në rrugën e lashtë kulturore të Tianjin-it, banorët në lagjen e shumë kombësive në Yinchuan janë si anëtarë të një familjeje. Çështjet për të cilat interesohen të gjithë, si p. sh. shtimi i të ardhurave, kujdesi për të moshuarit dhe fëmijët, arsimi dhe shëndetësia etj., janë gjithmonë në mendjen time. Gjatë këtij viti, pensioni bazë është rritur, interesi i kredive për strehimin është ulur, zgjerimi i sferës së pagimit me kartën e sigurimeve mjekësore e bën mjekimin në krahina të tjera më të lehtë, zëvendësimi i mallrave të vjetra me të reja e ka rritur cilësinë e jetesës… Ndjenja e fitimit e popullit është më e fortë.
Gjatë Lojërave Olimpike të Parisit, sportistët e Kinës konkurruan me të gjitha përpjekjet, dhe arritën rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike jashtë vendit, duke shfaqur shpirtin e gjallë dhe vetëbesimin e brezit të ri kinez. Forcat detare dhe ajrore të Ushtrisë Popullore e Kinës kremtuan 75-vjetorin e themelimit, pjesëtarët e ushtrisë popullore kineze kanë treguar një frymë të re. Përballë fatkeqësive, si përmbytjet dhe tajfunët, anëtarët e Partisë Komuniste e Kinës luftuan në frontin e parë, dhe të gjithë punuan së bashku, për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Punonjësit, ndërtuesit, rrugëhapësit e panumërt u përpoqën për të realizuar ëndrrën e vet. U dhashë medaljet kombëtare dhe titujt kombëtarë të nderit fituesve të tyre, dhe të gjitha këto nderime i përkasin gjithashtu çdo njeriu që përpiqet.
Aktualisht, e gjithë bota përballet me kaos dhe ndryshime. Si një vend i madh që merr përsipër përgjegjësitë që i takojnë, Kina ka nxitur aktivisht reformën e qeverisjes globale, ka thelluar bashkëpunimin e Jugut Global, dhe ka nxitur e thelluar ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Samiti i Forumit Kinë-Afrikë u zhvillua me sukses në Pekin, ndërsa në mekanizmat dypalësh ose shumëpalësh, si Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, BRICS-i, Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, G20-a etj., Kina ka paraqitur qartë propozimet e saj, duke dhënë më shumë energji pozitive për të ruajtur qëndrueshmërinë e paqen e botës.
Ne kemi festuar në mënyrë solemne 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës, dhe kemi rishikuar me dashuri ndryshimet e mëdha të Republikës Popullore të Kinës. Qytetërimi kinez është 5000-vjeçar dhe, ashtu siç është gdhendur fjala “Kinë” në fund të enës së verës të përdorur në kohët e lashta të Kinës, ashtu gjendet edhe sot i gdhendur në zëmrat e të gjithë kinezëve. U organizua me sukses plenumi i 3-të i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së,duke u rënë borive të marshimit për thellimin e reformës së gjithanshme. Gjatë Reformës dhe Hapjes në epokën e re, ne ecim përpara me hapa të mëdhenj dhe modernizimi i stilit kinez pa dyshim hap një ardhme më të gjerë.
Në vitin 2025, do të realizojmë në mënyrë të gjithanshme Planin e 14-të Pesëvjeçar, do të zbatojmë politika më aktive, do të fokusohemi në zhvillimin me cilësi të lartë, do të nxitim vetëmbështetjen tekniko-shkencore të nivelit të lartë dhe do të ruajmë vrullin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Tani funksionimi i ekonomisë përballet me një gjendje të re, me sfidën e mjedisit të jashtëm të pasigurt, me presionin e transformimit të shtysave të vjetra dhe të reja të rritjes, por me përpjekjet tonë mund t’i kapërcejmë të gjitha këto. Ne gjithmonë rritemi nëpër erë dhe stuhi, forcohemi gjatë vështirësive, dhe duhet të kemi vetëbesim.
Nga të gjitha çështjet familjare, kombëtare dhe ndërkombëtare, më e rëndësishmja është kërkimi i jetës më të bukur për popullin. Janë dëshira të përbashkëta mirërritja dhe arsimimi i fëmijëve, përkujdesi ndaj të moshuarve, si edhe punësimi e kualifikimi i të rinjve. Këto dëshira të thjeshta janë pikërisht objektivat tanë për një jetë më të mirë, prandaj ne të gjithë duhet të përpiqemi së bashku për të përmirësuar nivelin e ndërtimit shoqëror dhe qeverisjes, për të krijuar një atmosferë shoqërore tolerante dhe harmonike e për të zgjidhur problemet e shumëllojshme të njerëzve, në mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur.
Me rastin e 25-vjetorit të rikthimit të Makaos në atdhe, unë edhe një herë vajta pranë lumit Hao, duke u befasuar nga zhvillimet e qytetit. Ne do të zbatojmë në mënyrë të palëkundur politikën “Një vend, dy sisteme”, duke sjellë lulëzimin dhe qëndrueshmërinë afagjatë të Hong-Kongut dhe Makaos. Banorët në të dy brigjet e Ngushticës së Tajvanit i përkasin së njëjtës familje. Askush nuk mund të na ndajë si një familje dhe askush nuk mund të pengojë prirjen e ribashkimit të atdheut!
Ndryshimet e papara në 100 vjet janë shpejtuar dhe duhet të kemi si objektiv më të lartë të gjithë njerëzimin, duke zvogëluar hendekun dhe duke zgjidhur konfliktet. Ne dëshirojmë të përpiqemi së bashku me komunitetin ndërkombëtar për të nxitur bashkëpunimin, njohjen, krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe ndërtimin e një bote më të bukur.
Një rrugë e gjatë nis nga hapi i parë; suksesi në një punë të vështirë arrihet shkallë-shkallë. Drejt rrugës së modernizimit me karakteristika kineze, secili nga ne është personazhi kryesor, me kontributin individual të çmuar, si rreze e ndritshme në errësirë.
Në këtë kohë, nata e çdo familjeje ndriçohet, e po ashtu edhe e atdheut tonë. Le të jemi optimistë për Vitin e Ri. Le të urojmë që atdheu ynë të ketë qëndrueshmëri e begati! Ju uroj të gjithëve plotësim të dëshirave tuaja dhe një vit të bukur me lumturi dhe mbarësi!
Burimi CGTN