Votimi nga jashtë, Celibashi: Regjistrimi nis më 11 janar
Diaspora do të votojë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha sot se në datë 11 janar nis procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj.
Kryekomisioneri i Zgjedhjeve në një videomesazh tregoi edhe detaje mbi mënyrën e regjistrimit të votuesve nga Diaspora. Sipas tij, regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni.
“Ky është një moment historik për zgjedhjet në Shqipëri, pasi për herë të parë bashkëqytetarët tanë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të kenë mundësi të votojnë atje ku ata e kanë vendqëndrimin e tyre”, u shpreh kryekomisioneri.
Celibashi është shprehur më herët se procesi i votimit, nis me krijimin e një profili si votues nga jashtë, ku përveç të dhënave, kusht është edhe ngarkimi i një fotoje të personit që ka shprehur dëshirën për votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Diaspora do të votojë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Burimi ATSH