Balla thirrje diasporës të regjistrohet për zgjedhjet e 11 majit
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën dhe ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i ka bërë sot thirrje diasporës shqiptare që të regjistrohet prej datës 11 janar, kur do të nisë procesi i regjistrimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën dhe ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i ka bërë sot thirrje diasporës shqiptare që të regjistrohet prej datës 11 janar, kur do të nisë procesi i regjistrimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Ministri Balla, në një video të publikuar në rrjetet sociale, deklaron se ky proces do të realizohet përmes një platforme të re elektronike të ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Kodi Zgjedhor i miratuar më 26 korrik 2024, u shpreh Balla, përcakton që regjistrimi i votuesve jashtë vendit fillon katër muaj përpara ditës së zgjedhjeve. Ai e cilësoi procesin si të rëndësishëm, ndonëse pak të koklavitur, duke theksuar se është një praktikë që ekziston në shumë vende të botës. Për t’u regjistruar, çdo shtetas duhet të hapë një llogari në platformën elektronike të KQZ-së, e cila do të jetë funksionale nga 11 janari. Procesi nuk lidhet me platformën e-Albania, por përfshin një sistem të ri, ku aplikantët duhet të fotografojnë fytyrën e tyre për verifikim dhe të presin një konfirmim nga KQZ.
“Në momentin kur të vjen konfirmimi nga KQZ-ja për procesin e votimit, do të duhet të vendosësh edhe një adresë. Për të konfirmuar këtë adresë, mjafton çdo lloj dokumenti që mund të keni, qoftë një kontratë qiraje për shtëpi, qoftë një kontratë furnizimi me ujë të pijshëm, qoftë një kontratë furnizimi me internet apo energji elektrike, ose edhe çdo lloj dokumenti tjetër, qoftë leje qëndrimi (permesso di soggiorno) apo një kontratë me bankën. Për fëmijët, le të themi, mund të përdoret një vërtetim nga shkolla”, tha Balla, duke folur para disa emigrantëve në Firence.
Balla apeloi që votuesit të mos e neglizhojnë plotësimin e fletës së votimit sapo ta marrin dhe ta dërgojnë në kohë për në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik.
“Pra, të gjitha këto dokumente, mjafton një prej tyre, fotografohet, vendoset aty dhe konfirmohet ajo adresë. Në atë adresë, përmes postës, do të vijë edhe fleta e votimit. Kjo fletë duhet të mos lihet siç e kemi zakon ne shqiptarët – që na vjen dhe e lëmë aty te frigoriferi dhe harrojmë – por atë ditë që do të vijë, secili ta plotësojë dhe ta nisë për në Shqipëri”, deklaroi Balla.
Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER), që u prezantua fundvitin e kaluar, vjen në versionet desktop dhe mobile, pa pagesë. Fillimisht duhet të krijohet një llogari në PER me anë të një numri telefoni ose e-maili dhe më pas vjen një mesazh nga KQZ me një kod 6-shifror njëpërdorimësh. Pas vendosjes së tij të kërkohet të krijosh një fjalëkalim me 8 karaktere, me përmbajtje një shkronjë të madhe, një të vogël dhe një numër brenda 8 karaktereve. Aplikimi do mund të bëhet vetëm nga njerëz realë, pasi fytyra do të duhet të pozicionohet te kamera ku sistemi do të kapë imazhin e votuesit.
Gjithashtu ministri Balla shpjegoi procesin e regjistrimit dhe gjithçka duhet, përfshirë edhe dokumentacionin mbështetës.
Balla kujton se regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ: https://apps.apple.com/al/app/komisioni-qendror-i-zgjedhjeve/id6448755948
ose https://play.google.com/store/apps/details?id=com.kqz.app.kqz&pcampaignid=web_share ose nëpërmjet faqes https://kqz.gov.al
Dokumentacioni që kërkon KQZ për regjistrim janë: Kartë ID ose Pasaportë; Dokumentacioni i nevojshëm i deklarimit të adresës duhet të përmbajë emrin e zgjedhësit të njëjtë me emrin në dokumentin e ID për regjistrim në PER (një prej tyre): dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse; kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës; dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim bankar etj.), që përmban adresën e banimit; kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë; kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë; kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive; kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë; leje drejtimi automjeti (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit; dokument të lëshuar nga organi kompetent ishtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm; çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.
Burimi ATSH