Begaj kujton ish-presidentin Carter: Një lider që punoi për lirinë, drejtësinë dhe paqen
Ish-presidenti amerikan, James Earl Carter Jr. vdiq më 29 dhjetor 2024, në moshën 100-vjeçare në shtëpinë e tij në Xhorxhia.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj shprehu sot ngushëllimet për vdekjen e ish-presidentit James Earl Carter Jr. i cili shërbeu si president i Shteteve të Bashkuara nga viti 1977 deri në vitin 1981.
Presidenti Begaj nënshkroi në Librin e Ngushëllimit të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.
Presidenti i Republikës vlerësoi ish-presidentin Carter si një lider që gjatë gjithë jetës punoi për lirinë, drejtësinë dhe paqen mes njerëzve dhe i mësoi botës rëndësinë e kësaj kauze dhe respektin ndaj këtyre parimeve.
“Në kujtim të James Earl Carter Jr. Presidentit të 39-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, liderit që i qëndroi besnik parimeve demokratike. Ai do të kujtohet në historinë e politikës ndërkombëtare, si kampion në shërbim të njerëzve, Nobelist i Paqes, që ndër dekada punoi për zgjidhje paqësore, për të çuar përpara demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Njerëzimi mësoi prej tij se si të jetë i paqtë dhe të mos e pranojë luftën as si “të keqe të domosdoshme”, por të luftojë për një shoqëri të lirë e të drejtë”, shkroi Presidenti Begaj, në Librin e Ngushëllimeve për ish-presidentin Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.
Ish-presidenti amerikan, James Earl Carter Jr. vdiq më 29 dhjetor 2024, në moshën 100-vjeçare në shtëpinë e tij në Xhorxhia.