SmartLab-et, Rama: 654 laboratorë të tjerë inteligjentë në shkollat e vendit
Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot lajmin e mirë në lidhje me zgjerimin e rrjetit të SmartLab-eve në shkollat e vendit.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot lajmin e mirë në lidhje me zgjerimin e rrjetit të SmartLab-eve në shkollat e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama thotë se “me investimin e qeverisë shqiptare, do të kemi edhe 654 laboratorë të tjerë inteligjentë, duke siguruar që shkollat me numër të madh nxënësish të kenë më shumë se një SmartLab”.
Rama ka shpërndarë një video në Facebook, ku shfaqen nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Gashi” në kryeqytet, shkollë e cila është pajisur tashmë me laboratorët inteligjentë, duke u bërë pjesë e rrjetit të 300 SmartLab-eve në shkolla.
“Laboratorët SMART dhe gjithë investimi që kemi bërë u vlen fëmijëve, jo vetëm për t’u përgatitur dhe njohur me teknologjinë, por dhe për të përfituar aftësitë për kodimin dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme dhe nxitjen e kreativitetit. Të gjitha këto janë të përfshira në këtë kurrikul që po pilotohet në 300 shkolla dhe jemi në nivelet ku 35 mijë nxënës janë të përfshirë. Në Tiranë janë 50 laboratorë të instaluar dhe funksionalë dhe për 654 të tjerë do fillojë instalimi në gjimnaze dhe shkolla të tjera që do të zhvillojë kurrikulën dhe informacionin”, është shprehur ministrja Manastirliu në një dalje publike nga shkolla “Klodian Tanushi” në Qesarakë.
Burimi ATSH