Mbrëmja gala e KOKSH, Rama: I përgjigjemi angazhimeve të marra për sportistët elitarë
Yjet e Sportit shqiptar që shkëlqyen në arenën ndërkombëtare për vitin 2024, u nderuan sonte me çmime, në një mbrëmje gala
Yjet e Sportit shqiptar që shkëlqyen në arenën ndërkombëtare për vitin 2024, u nderuan sonte me çmime, në një mbrëmje gala të organizuar enkas, ku merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli, drejtues të federative sportive në vend, si dhe figura të tjera të spikatura të sportit shqiptar ndër vite.
Kryeministri Edi Rama i dorëzoi trofeun çiklistes shqiptare Nelia Kabetaj, e cila ka fituar disa trofe në garat ndërkombëtare dhe është shpallur kampione kombëtare në këtë disiplinë.
Duke marrë fjalën, Rama u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë sportistët elitarë, ndërsa vuri në dukje se shpallja kampion për moshat e reja të sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare në disa disiplina është premtuese për të ardhmen.
Kryeministri po ashtu u shprehu mirënjohjen drejtuesve të federatave sportive shqiptare, sportistëve trajnerëve dhe të gjithë stafeve mbështetëse.
“Të gjithë ju që jeni këtu meritoni vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin tuaj qoftë në fushën e betejës sportive, trajnerët stafet mbështetëse apo stafet teknik të federatave. Dua t’u siguroj që këtë mbështetje të veçantë që ne i kemi kushtuar sportit duke sjellë në rritje kontributin financiar për komunitetin do ta rrisim më tej. Kam parë rezultatet dhe kemi shumë kampion në mosha më të reja çka premton për më shumë kampionë në vitet në vijim që është një hall më vete për buxhetin. Por ne do të qëndrojmë me dinjitet dhe do t’i përgjigjemi angazhimeve të marra për sportistët elitarë“, theksoi kryeministri.
Rama vuri në dukje konsideratat për KOKSH nga presidenti i të gjithë Komiteteve, Thomas Bach.
“Më ka shprehur konsiderata të jashtëzakonshme për Komitetin Olimpik Shqiptar, më ka shprehur konsiderata të jashtëzakonshme për pasionin për organizimin, për seriozitetin dhe për faktin që pavarësisht se është një komitet shumë i vogël është dalluar sipas fjalëve të tij dhe unë e kuptoj shumë mirë pse-në për një sërë inovacionesh që ka sjell qoftë me lëvizjen e madhe sportive të shkollave, qoftë me transmetimet dixhitale të aktiviteteve të Komitetit, të federatave, qoftë dhe së fundmi edhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe unë e kam prit prej kohësh këtë dyqanin e Komitetit për veshjet sportive që faktikisht janë vërtet të nivelit të lartë edhe që kam shumë besim që do të sjellin të ardhura edhe për komitetin”, u shpreh Rama.
Ai i bëri thirrje drejtuesit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli të zgjerojë disiplinat sportive në shkolla.
“Nuk mjafton të kemi vetëm volejboll e basketboll. Duhet të fusim sa më parë në shkolla shahun, mundjen, peshëngritjen apo të tjera disiplina. Nuk është e thënë të nxjerrin sportistë që do të fitojnë kampionate por do të shtojmë vlerën edukative dhe peshën e sportit në jetën edukative”, deklaroi kryeministri.
Burimi ATSH