Nisja e madhe e “Giro d’Italia 2025” nga Shqipëria, Rama: Nxjerr në pah natyrën e mrekullueshme
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Romë ku mori pjesë në eventin kushtuar “Giro d’Italia”, një prej aktiviteteve më të famshme sportive në botë, ku Shqipëria u përzgjodh mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Romë ku mori pjesë në eventin kushtuar “Giro d’Italia”, një prej aktiviteteve më të famshme sportive në botë, ku Shqipëria u përzgjodh mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.
Kryeministri Rama ishte i ftuar së bashku me organizatorët e “Giro D’Italia” në Auditorium Parco della Musica Ennio Morricone, një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Evropë.
Duke përshëndetur audiencën, Kryeministri Rama e vlerësoi sportin italian si një nga më të dashurit për sportdashësit shqiptarë ndër vite, teksa theksoi se ky event forcon edhe më shumë lidhjet mes dy vendeve.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se kjo është një përrallë e shndërruar në realitet, duke marrë parasysh se 30 vite më parë shqiptarët e dëgjonin nga radio këtë aktivitet.
“Faleminderit, dhe mbi të gjitha është një privilegj që të jem këtu dhe ti bashkohem kësaj eksperience kaq të veçantë dhe të bashkojmë edhe një herë Italinë dhe Shqipërinë, dhe më lini të them se ishte shumë e vështirë të bënim një marrëveshje me presidentin Cairo. Desha të them se me RCS (Federata e çiklizmit në Itali) ia dolëm më në fund, dhe nëse Grënlanda do t’më pyeste, do t’i sugjeroja të merrte Cajro-n për të biseduar me Trump-in.
Do të ishte si një barazim si ai i Juventusit kohët e fundit”.
I pyetur nga gazetari se a është tifoz i “Juventusit”, kryeministri iu përgjigj se “jam një juventin i veçantë. Kur Murinho është në Itali, jam me atë, në të kundërt jam juventin”.
Kryeministri Rama tha se aktivitetet sportive në Itali ishin një frymëzim për Shqipërinë e kohës së diktaturës.
“Unë në këtë sallë them se jam i vetmi që di të ngas vetëm biçikletën dhe nuk di t’i jap asnjë mjeti tjetër. Jam 100% green. Sporti italian ka patur një influencë të madhe tek ne, si një sinjal i një jete përtej kufirit tonë.
Shqipëria ishte si Koreja e Veriut e Evropës. Deti ishte bosh, nuk kishte asgjë që lëvizte mbi të dhe e vetmja mënyrë për t’u lidhur me botën tjetër ishte radio ose televizioni italian. Fatkeqësisht televizioni nuk mund të shihej, përveçse gjatë verës në Durrës dhe Vlorë, ndërsa radio ndiqej gjithandej. Më kujtohet se ndiqnin “Giro D’italia”, ishte Gimondi, dhe bënim tifozllëk, pa ditur se ç’po bëhej.
Ishte një ambient ndryshe, dhe ishte ideja që ndoshta një ditë mund të shkonim tek krahu tjetër. Dhe ishte vërtetë një krah tjetër, basketbolli, futbolli dhe i gjithë sporti italian, i cili na tregoi se nga krahu tjetër i detit kishte jetë dhe ishte një jetë tjetër. Dhe sot të shohësh Shqipërinë të përfshirë në të gjithë këtë, është si një përrallë. Këtë e kam jetuar vetë, pasi po flas për 30 vite më parë, jo një shekull më parë. Jam shumë i nderuar dhe falënderues. Dua të falënderoj një person që është këtu prezent, që ka qenë që ditën e parë, Francesco Lollobrigida, që bëri edhe hapin e parë. Ai, kur erdhi në Shqipëri, gjëja e parë që kërkoi ishte një biçikletë”, tha Rama.
Kryeministri tha se etapat e garës do të jenë spektakolare, pasi nxjerrin në pah natyrën e mrekullueshme të vendit.
“Shqipëria është një vend i bekuar, në kuptimin që në një territor të vogël ka gjithçka, kemi shumë male, dy dete, shumë lumenj. Nga ky këndvështrim, këto tri etapa janë spektakolare, pasi nxjerrin në pah një pjesë shumë të bukur të vendit dhe nga ana tjetër është e jashtëzakonshme, se është një mënyrë për të treguar Shqipërinë si në një film”, – u shpreh ndër të tjera Kryeministri, i cili theksoi se interesi i turistëve italianë për të vizituar Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e mbyllur vitin 2024 me 1.4 milionë vizitorë italianë.
“Dua të them me krenari se kur nisëm këtë rrugëtim të ri të rilindjes së vendit, numri i italianëve që vizitonin Shqipërinë ishte modest. Pastaj, vetëm vitet e fundit pati një rritje të madhe të numrit. Për shembull, në 2023 arritëm në rreth 800 mijë turistë italianë që vizituan Shqipërinë, ndërsa vitin 2024 e mbyllëm me 1,4 milionë vizitorë italianë, një dyfishim brenda një kohe të shkurtër”, – tha kryeministri.
Gara e famshme popullore, me një traditë 114-vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra-milionë teleshikues.
“Giro D’italia” është një ndër ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit, e cila transmetohet nga 200 televizione të botës, çka do të kontribuojë në promovimin e Shqipërisë, duke nxitur kështu edhe më shumë turizmin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Tri etapat e nisjes së “Giro D’Italia” në Shqipëri do të zhvillohen nga 9-11 maji 2025.
Itinerari, dita e parë më 9 maj 2025 – gjatësia 164 kilometra; Nisja do jetë në Durrës, për të kaluar në drejtim të Bishqem-Fushë, Papër, Gracen dhe më pas për të përshkuar rrugën që të çon në Surrel dhe gjithë malin e Dajtit, e më pas në Tiranë.
Itinerari, dita e dytë (kronometër), më datë 10 maj 2025 – gjatësia 13,7 kilometra; Nisja në Tiranë dhe fundi po në Tiranë. Kjo do jetë një garë e tipit fushor dhe qytetas, që do përshkojë gjithë Tiranën. Me nisje nga sheshi “Skënderbej”, në 13,7 kilometrat e garës do të përshkohen rrugët kryesore të qytetit dhe do të ketë gara me kronometër.
Itinerari, dita e tretë më 11 maj 2025 – gjatësia 160 kilometra; Nisja në Vlorë dhe fundi po në Vlorë. Gjithçka në 11 maj 2025 nis nga Vlora dhe përshkon një pjesë të madhe të bregdetit të jugut. Vlorë – Peshkëpi – Qafa e Dushkut – Brataj – Qafa e Shkallës – Porto Palermo – Himarë – Qafa e Vishës – Iliaz – Qafa e Llogorasë – Orikum dhe mbërritja po në Vlorë.
Burimi ATSH