Projekt evropian për përmirësimin e bashkëjetesës midis njeriut dhe jetës së egër
Projekti ofron një mundësi për të zbatuar strategji inovative në menaxhimin dhe ruajtjen e natyrës.
Aktorë të linjës, aktivistë e profesorë diskutuan në lidhje me përmirësimin e bashkëjetesës mes njeriut dhe mishngrënësve të mëdhenj në kuadër të projektit në rajonin Adriatiko-Jonian që përfshin 8 shtete nga Italia deri në Greqi.
Në një seminar online u diskutua në lidhje me aksionet e parashikuara që fokusohen në forcimin e monitorimit ndërkufitar të specieve, parandalimin dhe reduktimin e dëmeve, bashkëkrijimin e një komuniteti aktiv aktorësh për të nxitur pjesëmarrjen dhe iniciativat inovative për bashkëjetesën.
Projekti evropian udhëhiqet nga Universiteti i Udines (Itali). Një bashkëjetesë më e mirë mes njeriut dhe jetës së egër të tilla si rrëqebulli, ujku, ariu, çakalli si dhe forcimi i mbrojtjes së tyre, si një element kyç për ruajtjen e biodiversitetit në ekosistemet ku këto specie luajnë një rol të rëndësishëm janë në fokus të projektit.
Partneriteti përveç partnerit drejtues, përfshin edhe nëntë partnerë të tjerë nga tetë vende të rajonit Adriatiko-Jonian: Italinë, Shqipërinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Slloveninë.
Aktivitetet do të zhvillohen në disa zona natyrore të rëndësishme të Alpeve Verilindore, Alpeve Dinarike dhe Pindus, ku ka prezencë të gjitarëve të mëdhenj.
Gjithsej, në këto zona banojnë mbi 4,000 ujqër dhe arinj, dhe mbi 200 rrëqebuj.
Për të arritur rezultatet e pritshme, projekti do të fokusohet në forcimin e monitorimit dhe grumbullimin e të dhënave të përbashkëta në nivel ndërkufitar, forcimin e strategjive dhe masave për parandalimin dhe zbutjen e dëmeve nga kafshët, përfshirjen aktive të komuniteteve lokale dhe palëve të interesit (fermerëve, blegtorëve, gjuetarëve) si dhe bashkëkrijimin e praktikave dhe nismave inovative për menaxhimin e tokës dhe nxitjen e bashkëjetesës midis njerëzve dhe mishngrënësve të mëdhenj.
Kjo nismë është krijuar për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën e ruajtjes së natyrës, me fokus të veçantë në aspektet e bashkëjetesës mes njerëzve dhe mishngrënësve të mëdhenj, si dhe faunës në përgjithësi.
Gjithashtu, projekti synon të përmirësojë lidhjet ekologjike, të forcojë rrjetin e infrastrukturave të gjelbra, si urat ekologjike ose kalimet nën autostrada, dhe të sigurojë kalimet e sigurta mbi kanalet ujitëse.
Projekti ofron një mundësi për të zbatuar strategji inovative në menaxhimin dhe ruajtjen e natyrës. Ai do të mundësojë forcimin e sistemeve të monitorimit për mishngrënësit e mëdhenj dhe identifikimin e strategjive për përmirësimin e bashkëjetesës me njerëzit.
Një avantazh shtesë do të jetë zbutja dhe parandalimi i rreziqeve apo dëmeve që rezultojnë nga ndërveprimet negative me kafshët shtëpiake.
Mes të tjerash, aktivitetet do të përqendrohen në krijimin e mundësive për komunitetet lokale, siç është rrjeti i laboratorëve (Living Labs). Këta janë laboratorë të hapur ku komunitetet dhe palët e interesit marrin pjesë aktive në kërkime dhe aktivitete menaxheriale.
Partneri kryesor i projektit është Universiteti i Udines (Itali). Partneriteti përfshin gjithashtu nëntë institucione të tjera partnere: Institutin Mesdhetar për Studime Mjedisore të Qendrës për Shkencë dhe Kërkime Koper, Shoqatën e Gjuetarëve të Sllovenisë, Universitetin e Beogradit (Serbi), OIKON (Kroaci), Arcturos (Greqi), Venetian Cluster (Itali), CZIP – Qendra për Mbrojtjen dhe Kërkimin e Shpendëve (Mali i Zi), Igea MAK (Maqedonia e Veriut) dhe PPNEA (Shqipëri), si dhe shtatë partnerë të asociuar.
Projekti ka nisur në vitin 2024 dhe do të zgjasë tre vjet.
Burimi ATSH