Denaj: Kulla dhe Buni i Bajraktarit në Bogë mikpresin turistë vendas e të huaj nga çdo cep
Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.
Kulla dhe Buni i Bajraktarit në Bogë, Shkodër, një pikë e re agroturizmi mes natyrës së mrekullueshme të zonës po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorët vendas e të huaj sidomos e në këto ditë të para janari, ku dëbora ka mbuluar gjithë zonën.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjetet sociale pamje nga Kulla dhe Buni i Bajraktarit në Bogë, e cila i ka dhënë një tjetër dimension ekonomisë rurale të kësaj zone.
“Kur bora mbulon çdo cep, Kulla dhe Buni i Bajraktarit mahnit këdo që shkel në ato anë. Një sipërmarrje e bukur e njerëzve punëtorë si Gëzim Olaj, mes natyrës fantastike dhe klimës si askund tjetër, i kanë dhënë një tjetër dimension ekonomisë rurale me mikpritjen e turistëve vendas e të huaj që vijnë nga çdo cep për të shijuar ushqimet tradicionale të zonës”, theksoi Denaj.
Ministrja Denaj u shpreh se “zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri është sot një realitet falë politikave tona mbështetëse me fonde dhe lehtësi të veçanta fiskale”.
Mbështetja për agroturizmin ka nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.
Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.
Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve dhe siguruar cilësi, për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona.
Burimi ATSH