Oferta e Donald Trump dhe përgjigja e presidentit Xi Jinping!
Se politika e presidentit në ardhje të SHBA-ve, Donald Trump, do të ishte tjetër nga ajo e katër viteve të shkuara të presidencës së tij, kjo u duk në ftesën që ai i bëri presidentit Xi për të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës më 20 janar, kur nuk kishte ftuar as presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Presidenti amerikan në ardhje, Donald Trump, deklaroi para disa ditësh se përfaqësuesit e tij dhe të presidentit të Republikës Popullore të Kinës tashmë kishin folur për marrëdhëniet midis të të dy vendeve. “Ne kemi folur tashmë. Ne kemi folur përmes përfaqësuesve,” tha Trump në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve REUJTER. Më pas Trump e përshkroi presidentin kinez si një njeri të fortë dhe të fuqishëm. Ndërkohë që shtoi se kjo “është një marrëdhënie e dyanshme”! Zëdhënësi i minstrisë së Jashtme të Republikës Popullore të Kinës u shpreh gjithashtu se Kina i kushton “rëndësi të madhe” deklaratës së Trump-ut dhe se ajo synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA.
Se politika e presidentit në ardhje të SHBA-ve, Donald Trump, do të ishte tjetër nga ajo e katër viteve të shkuara të presidencës së tij, kjo u duk në ftesën që ai i bëri presidentit Xi për të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës më 20 janar, kur nuk kishte ftuar as presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ndërkohë sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, artikuloi para pak javësh një të vërtetë të pa përmendur më parë për rolin e Pekinit, presidentit dhe qeverisë kineze për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore nga ana e Vladimir Putin. Në analizat e kohës e kam artikuluar këtë fakt, sepse kisha vënë re që Kina dhe autoritetet e saj punonin fort në këtë drejtim. Natyrshëm ky kontribut i Pekinit duhet konsideruar si një akt i jashtëzakonshëm për paqen në botë.
Kryetari i shtetit i Kinës Mao Zedong u takua me presidentin amerikan Richard Milhous Nixon, 21 shkurt, në vitin 1972/Foto nga Xinhua
Të gjitha këto zhvillime na dëshmojnë se Uashingtoni dhe Pekini duan të sjellin një epokë të re në marrëdhëniet midis tyre. Për herë të parë pas viteve 1970 fryn një erë e ngrohtë në këto marrëdhënie dhe kjo ka të bëjë jo thjesht me vullnetin e dëshirën e njërit apo një tjetri lideri politik. Ka të bëjë me ekuilibrat që janë krijuar në botë dhe me zhvillimet e sotme gjeopolitike që shohim. Në politikë dhe në marrëdhëniet midis shteteve ka vetëm interesa. Asgjë nuk u nënshtrohet ndjenjave humane apo “mëshirës” midis palëve. Kjo do të thotë se Kina tashmë është faktor global, të cilin SHBA-të nuk mund ta kapërcejnë e të mos e përfillin. Por dukshëm vihet re edhe vullneti i dy liderëve për bashkëpunim, që natyrshëm vjen në dobi të paqes e sigurisë globale. Nëse dy Fuqitë më të Mëdha të globit nuk bashkëpunojnë, do të tronditej stabiliteti global dhe shtoheshin tragjeditë për njerëzimin.
Por nuk është aq i lehtë një bashkëpunim pa kushte dhe pa kritere e parime midis të të dy Fuqive më të Mëdha të globit. Sfida e bashkëpunimit gjithnjë është e pranishme. Donald Trump përsërit vazhdimisht kërcënimin për vendosjen e rregullave të reja në tregëti dhe bashkëpunimin ekonomik. Dhe kjo do të thotë të cënohen interesat kineze në marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve. Kina është në të drejtën e saj të mos e pranojë këtë ndryshim. E nëse presidenti i ri amerikan insiston, do të thotë se marrëdhënia midis dy vendeve nuk mund të shkojë përpara.
Nga ana tjetër Republika Popullore e Kinës ka promovuar në botë politikën e mirëkuptimit dhe të mosaprovimit të veprimeve unilaterale, bazuar në të drejtën shtetërore dhe parimin e ruajtjes së sovranitetit të shteteve. Edhe në rastin e Ukrainës është shprehur për ruajtjen e sovranitetit të saj. Ndërkaq Pekini nuk mund të pajtohet p.sh me cënimin e sovranitetit të shtetit të Panamasë mbi kanalin me të njëjtin emër. Ndryshimi i kufijve nuk është pjesë e filozofisë së Republikës Popullore të Kinës. Në këtë aspekt Pekini vjen në të njëjtën valë me qëndrimet e vendeve të Europës. Zëdhënsja e Ministrisë së Jashtme të Kinës ka shprehur tashmë qëndrimin kinez për mbrojtjen e sovranitetit të Panamasë mbi kanalin me të njëjtin emër.
Vlerat dhe rregullat e sotme të rendit ndërkombëtar duket se për Kinën janë të rëndësishme. Ndërkohë që Fuqi të tjera të Mëdha, përfshirë dhe projektet e zotit Trump, shkojnë përtej sjelljes së tyre të parashikuar në të drejtën ndërkombëtare. Ndaj dhe bashkëpunimi e marrëdhënia e qëndrueshme Kinë-SHBA do të varet edhe nga këto principe. Nëse Kina do të bëjë lëshime në përcaktimin e një rendi të ri botëror, ajo nuk do të heqë dorë nga shumë principe e vlera të rendit të sotëm të parashikuar në ligjin ndërkombëtar!
Është ngritja e Republikës Popullore të Kinës në një superfuqi të globit, ajo që i shtyn amerikanët të kërkojnë bashkëpunimin e saj. Ky bashkëpunim nuk lidhet vetëm me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis të dy vendeve, sa lidhet me zhvillimet e vrullshme gjeopolitike të sotme.
Pritet që Fuqitë Europiane të dalin nga kjo krizë e përgjithshme më të dobëta se më parë. Vetëm Kina është ajo që nuk ka gjasa të dobësohet në raport me vetëveten ose me SHBA-të. Kësisoj Donald Trump e ka interes jetik marrëdhënien e tij të mirë me Republikën Popullore të Kinës. Ndërkaq realizohen nga kjo edhe interesat e tjera si ato ekonomike e tregtare, për të cilat flet zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.
Presidenti Xi Jinping u takua me presidentin amerikan Donald Trump në Florida të SHBA-së më 7 prill të vitit 2017/Xinhua
Por jo vetëm kaq. Marrëdhënia e mirë dhe e qëndrueshme midis Kinës dhe SHBA-ve është gjithashtu interes global. Për herë të parë në histori bota dhe ekuilibri i saj ndikohen nga dy fuqi të globit të pozicionuar njëri në Perëndim dhe tjetri në Lindje. Kurrë në historinë mijëvjeçare nuk ka ndodhur ky zhvillim kaq interesant dhe komplementar. Praninë e Kinës, si një nga dy vendet më të fuqishme të globit, bota e sheh me një perspektivë ndryshe nga kohët e mëparshme të vendimmarrjes për rendin botëror, së paku prej Kongresit të Vjenës më 1815 e deri në Jaltë. Perspektiva ndryshe e botës së ardhshme me pjesëmarrjen kineze diktohet për shkak të filozofisë paqësore të shtetit dhe popullit kinez. Një filozofi kjo e trashëguar dhe e respektuar që prej antikitetit kinez e deri më sot.
Për të gjitha arsyet që thamë më lart oferta e Donald Trump për bashkëpunim me Republikën Popullore të Kinës dhe presidentin Xi duket serioze dhe e diktuar nga rrethanat e zhvillimeve politiko-shoqërore dhe jo nga ndonjë intrigë politike e caktuar.
Burimi CGTN