Ermir Shahini era e mirë e shkencës ekonomike

Studiues i mirfilltë i shkencave ekonomike. Vlerësuar nga SCOPUS i dyti në UAMD dhe i 65 në Shqipëri


Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ia kisha dëgjuar emrin. Kam lexuar për të. Moshë e pjekur për të shpërthyer, për të qenë dikushi në atë që njeh dhe në atë që zotëron. Ambicioz për të çfrytëzuar mundësitë dhe aftësitë dhe për ti vënë në shërbim të vendit të tij. Nuhatja e këtij që quhet zanati ynë, më ngacmonte ta bëja sa më shpejt personazh të shkrimeve të mia, pasi është rasti më i mirë për ta fokusuar dhe për të përhapur punën që kryen. Kam biseduar, lexuar e çfrytëzuar çdo mundësi për të hyrë në esencën e pasionit, por edhe të profesionit të këtij shkencëtari të ekonomisë do ta quaja.

Quhet Ermir Shahini. Në letrat që çfletoj të biografisë së tij, fiksoj emërtimin e profesionit. Është Profesor në Ekonomiks dhe Prof.As. Dr në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Madje m’u desh të kaloja dhe të vështroja me hollësi portalin e kërkimit shkencor SCOPUS, që është bazë të dhënash bibliografike dhe abstrakte ndërkombëtare, e krijuar dhe manaxhuar nga Elsevier. Ky është nga botuesit më të mëdhenj shkencorë në botë. Këtu përfshihet literaturë shkencore, teknike, mjekësore dhe sociale, duke mbuluar gamë të gjërë disiplinash.

Scopus përdoret kryesisht nga studiues, akademikë dhe institucione për kërkime shkencore, matjen e ndikimit të citimeve dhe vlerësimin e revistave shkencore. Ndër të tjera ndala tek H –indeks, që mat ndjeshëm ndikimin e studiuesve, të cilët përfaqësojnë kombinimin e produktivitetit dhe ndikimit të citimeve.

Pashë një të dhënë dhe e vështrova me shumë vëmëndje. Ky djalë durrsak – Ermir Shahini, qendronte i dyti ndër afro 310 pedagogë në UAMD dhe i 65-ti ndër 10.000 kërkuesit shkencorë të Shqipërisë. H-ja, pra indeksi i vlerësimit është 12, ku më i miri në Shqipëri është 20 dhe në botë 200. Duke u hutuar me politikën e ditës, me rutinën klasike tonën, pa dashur spostohemi për të vrojtuar e zbuluar të tillë shembuj si ky. Ishte rasti më i mirë, për ta takuar këtë kërkues model shkencor, që po na zbardh faqen dhe që e kemi në Durrës.

Fola me Ermir Shahinin gjërë e gjatë, ashtu siç kisha biseduar edhe më të tjerë, ku veçse mirë më kishin folur për të. Po mbështetem vetëm në një rast, ku një ish student i Ermirit, shkruan publikisht:

-Si një ish-student i Profesorit Asoc. Dr. Ermir Shahini, pedagog i jashtëzakonshëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, në lëndët ekonomike, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për të, si individ dhe profesor. Profesor Shahini ka dëshmuar jo vetëm aftësi të shkëlqyera akademike, por edhe një përkushtim të rrallë ndaj studentëve dhe përmirësimit të arsimit në Shqipëri.

Duke qenë i regjur në këtë zanat, ku nuhatja ndaj natyrës së personazhit që i kushtohemi është maksimalaisht e zhvilluar, vura re se kisha të bëja me një djalë të qetë, i thjeshtë, por me bagazh, me kulturë, me dije, me horizont, me vizion. E njihte mirë vetën e tij dhe fliste me këmbë në tokë. Mësova se çka bërë dhe ku kërkon të shkojë. Synimet i kishte të qarta. Kohën shumë të zënë. Planet për më tej të kopsitura dhe i bindur për hapat që do të hedhë.

Sa rast interesant! Sa na duhet të kërkojmë, që të gjejmë dhe t’i bëjmë pronë të publikut, të lexuesit, të shoqërisë. Thjeshtësia dhe modestia na vështirësojnë, pasi nuk janë mediatikë, nuk bërtasin nëpër studio, nuk para e kanë qejf të merresh me to, si unë në këtë rast. Por nuk ma prishi, pasi isha i vendosur dhe e dija, se do të mësoja gjëra që ia vlenin jo vetëm zanatit tim, por edhe masës së gjërë.

Më ndihmoi edhe Ermiri, por edhe vetë pashë tek ky Scopus, që 17 punimet shkencore të Ermir Shahinit kishin 227 citime nga kërkuesit shkencorë në botë. Rritja e tyre dhe porsosja e indeksit të vlerësimit, shpejt mund ta vendosin Ermir Shahinin në raporte të avantazhuara, për t’u njohur në botën shkencore dhe për të qenë lektor ndërkombëtar. Bota e përparuar dhe sidomos ajo shkencore, nuk niset me opinione dhe hatëre, të jep çmimin që meriton, pasi për vlerat ky është kuti i gjykimit.

U bënë 12 vite që është pedagog në UAMD, në fakultetin e biznesit. I përfshirë në departamentin e shkencave ekonomike jep lëndët mikroekonomi, makroekonomi, bazat e ekonomiksit të sjelljes dhe për studentët master, leksionet përqendrohen në ekonomiksin e çështjeve sociale. Në harkun kohor 2006-2012, mbaroi studimet në ekonomi, duke përfshirë edhe masterin.

Mosha e re, synimet tejet të avancuara, ngarkesat gjithnjë në rritje që i dëshiron ti ketë pa u ndalur, sfidat të cilat i ofron sado të vështira qofshin, bindja për t’u riarmatosur me armët e dijes, të kulturës, janë cilësi arsyetuese për ecurinë gjithnjë e më tërheqës të këtij kuadri, intelektuali, eruditi të ekonomisë. Kjo në raport së pari me veten, me fakultetin, me Universitetin ku punon dhe më në vijimësi, me vendin dhe pse jo edhe me botën. Si një atlet i kërcimit së larti edhe Ermir Shahini, ngren stekën e aftësive të tij për çdo ditë, për çdo javë, për çdo muaj dhe për çdo vit.
Pse më befasoi ky djalë, që i duhen 3-4 vite që të shkojë tek 40-tat? Për kohën tenton idhullin. Natyrisht duke vënë bastin e jetës me veten, guxon të sulmojë me aftësitë e tij Scopus-in e famshëm, ku sistemohen sipas vlerave kërkuesit shkencorë anekënd botës. Dhe për Shqipërinë, luajta vendit kur më tha, se parashikon të renditet në vendin e pestë ndër 10.000 kërkues. Këtë afirmim dhe konfirmim arritjesh, kërkon ta bëjë në Durrësin e tij, në Shqipërinë e tij. Kjo është betejën e jetës për Ermir Shahinin, duke u kthyer në referim për të tjerët.


Më pëlqeu kur më pohoi, megjithëse e lexoja me kureshtje në fytyrën e tij atë që kërkonte dhe të bënte në profesion, se studentët mbeten lënda e parë ku përgatitja vihet në provë. Deri tani është Doktor dhe Profesos i asociuar. Kjo e gëzon duke i vënë fre ekzaltimit. Punon, kërkon, studion. Ky trinom e mbështjell fort, e pajis me kurajon e pazakontë, duke mos e patur ndërmënd dhe ti marrë kohë synimi për një post drejtues.
Të gjitha studimet që ka bërë dhe ato që ka ndërmënd të bëj, i mat sa i shërbejnë vendit, sa i shërbejnë ekonomisë, sa i shërbejnë mbi të gjitha të rinjve, për akomodim ngacmues në këtë që është toka e jonë. Leksionet e Shahinit të lënë gojëhapur. Studentët lënë kokën për pedagogun e tyre. Por edhe ai nuk ndahet prej tyre.

Njihem e njihem, më atë çka ka bërë ky mendimtar, ky i mënçur i ekonomisë, ky ambicioz i pazakontë. Tema, studime, argumentime, nisma për të gjetur alternativat e mundshme për të zbatuar ato që krijon. Prandaj edhe Scopus reagon dhe është i ndjeshëm ndaj Shahinit tonë, që ska ndërmënd të ndalet, pasi e ndjen se mund të japë shumë më shumë se kaq.

Nuk është puna dhe detyra ime për të bërë thirrje, që ti japim pozicione avantazhuese Ermir Shainit, kundrejt cilësive të veçanta që prezanton dita ditës. Ajo që unë ndjej dhe më takon, është të zbërthej dhe të bëj të ditur rastin fatlum, rrezatimin mirësues që ai shpërndan, këmbënguljen për të bërë shkencë, duke e ushquar me djersë dhe pasion, vullnet dhe zell jo të zakonshëm.

Studime për pensionet, studime për efektet ekonomike të luftës Rusi-Ukrainë, efekti i presidencës Tramp në ekonominë botërore, studime të pafund, pasi zihet shumë vend në këtë shkrim për ti cituar të gjitha dhe të tëra të argumentuara në bazë të logjikës dhe versioneve.

U gëzova pa masë, se një format të tillë të kërkuesit shkencor të mirfilltë të ekonomisë, djali i një mësuese të gjuhë letërsisë Nexhi Muzhaqi, i një kuadri dalë nga Akademia e Rendit Bardhyl Shahini, nipi i sipërmarrësit Rexhep Muzhaqi dhe adminsitratorit për çështjet publike Isuf Shahini, vëllai i psikologut dhe poetit Elti Shahini, të jetë pjesë e jona, e Durrësit dhe jo vetëm.


Bujar Qesja

Shahini kërkon të japë mësim në Universitetet më të mira në botë, të njihet dhe të kapë kuotat e larta të përfaqësimit, sado shkallë e lartë e vështirësisë qoftë. Vështroj profilin e tij. Është shumë aktiv. Ai nuk ecën, por vrapon. Në mes të pensionistëve, duke i ndërgjegjësuar për shpresat në përmirësimin e pensioneve, në mes të shtresave në nevojë, duke i inkurajuar se edhe më mirë do të jetë e ardhmja e tyre, në mes të punonjësve të gjelbërimit duke mbjellë pemë, duke shpërndarë ndihma në shtëpinë e foshnjes, duke i dhënë nja vakt bukë të pamundurve, në mes të studentëve, për të besuar se ardhmja e tyre është premtuese në vendlindje dhe puënsimi i garantuar.

Nuk dua ti jap mburrje të pamerituar, se as nuk më takon, por as e dëshiroi. Por si laps i hershëm, shembulli i Ermir Shahinit më gjallëroi, më goditi atë pesimizëm ku na lexohet të gjithëve, kundrejt halleve që po kalojmë dhe çedimit të besimit se bëhemi. E ky Ermir, Era e Mirë e së ardhmes, më prezantoi tjetër pamje, e veshur me petkun tërheqës të përparimit. Këtë jo me fjalë, por me argumenta, që buronin nga arsyeja e studimeve shkencore, por edhe e fuqisë së mendimit.

Sa mirë e bukur kështu! Jo pak flasin mirë për Ermir Shahinin. Kolegë, pjesë të opinionit që na rrethon, më shprehen hera herës për një djalë vizionar, energjik, që punon e krijon, që studion e hulumton, që njihet me të rejat e zhvillimit të ekonomisë në botë dhe tenton sadopak të besoj, se mjaft praktika mund të përshtaten edhe tek ne. Dhe ky pedagog, që tashmë është edhe me titullin prof.as.dr. quhet Ermir Shahini.
Tenton dhe pasqyron logjikën e faktit, se universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit t’i shtohen edhe degë të reja si ekonomi institucionale, ekonomi e gjelbër, ekonomi informative. Dhe për këtë jep shpjegimet përkatëse.

Pse mbështetet Shahini tek Scopus-i? Është burim i çmuar për këdo që merret me kërkim shkencor dhe për institucionet, të cilat duan të maturojnë ndikimin e kërkimit të tyre. Ekzistojnë 25.000 revista që botohen nga botues të ndryshëm globalë. Përfitimet e përdorimit të Scopus-it, një prej të cilëve është edhe Ermir Shahini, janë të shumëfishta.

Studiuesit gjejnë në të literaturë shkencore të cilësisë së lartë, vlerësime për performancën e kërkimit shkencor. Jepet ndihma e duhur në vendmimarrjet për grantet dhe financimet, bazuar në matjet e ndikimit shkencor. Është botues i disa librave, ndërmjet tyre “Hyrje në ekonominë e sjelljes”.

Çfarë synon ky kërkues skrupuloz i ekonomisë? Ku e ka interesin? Përse veçon dhe po shkëlqen puna e tij, studimet që bën dhe të tjerat që presin rradhën?

Përvoja 12 vjeçare nuk është e pakët, aq më shumë kur dihet se ajo vazhdon të pasurohet. Përqendrimi është në përmirësimin e politikave ekonomike dhe arsimore në vend. Profesori i Asociuar Shahini e di fort qartë, se sfidën e ka me studentët. Pas shkollimit të tyre, problem mbetet punësimi, tregu i punës. Dhe studimet për këtë nuk janë të pakta.

Pasi po studion me rrënjë politikat ekonomike dhe sociale, kërkon të mos e shkëpusë vëmëndjen edhe nga praktikat më të arrira në nivel ndërkombëtar. Duke u përqendruar këtu, shkencëtari i ekonomisë Shahini, do të nxitet në krijimin e ligjeve dhe politikave, të cilat të jenë në përshtatje me nevojat e qytetarëve.

Po nuk mbaron këtu, shqetësimi, mundimi dhe optika e shikimit të nevojave ekonomike sipas sektorëve. Ermir Shahini mendon për reforma të thella në arsim dhe ekonomi, që ndikojnë në zhvillimin e qendrueshëm të vendit. Është i qartë dhe i bindur në idetë për modernizimin e kurrikulave dhe nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe botës së biznesit. Veçanërisht rinia, është përqendrimi më serioz dhe më i vëmëndshëm i prof.as.dr. Ermir Shahinit, për të siguruar mundësi më të mira arsimore dhe punësimi.

Ishte viti 2016, kur ky studiuesi i spikatur i ekonomisë, mbrojti me autoritet gradën “Doktor i Shkencave Ekonomike” në Universitetin “A. Moisiu” Durrës. Karriera e shkëlqyer kërkimore shkencore dhe pedagogjike, bëri që në vitin 2023 të nderohet me titullin “Profesor i Asociuar” në Tiranë. Ermir Shahini është kthyer nga studiuesit më të vlerësuar në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 2024, Prof.As. Dr. Ermir Shahinit i jepet fondi, për trajtimin shkencor si ekselent në fushën e kërkimit shkencor nga institucioni i UAMD-së.

Ndonëse 37 vjeç, studiuesi dhe hulumtuesi i zëshëm i ekonomisë Ermir Shahini, përfaqëson modelin e frymëzimit për të rinjtë shqiptarë. Me profilin nderues që gëzon si studiues i përkushtuar, qytetar aktiv dhe vizionar, mbetet vlerë e shtuar jo vetëm për qytetin e Durrësit, por për mbarë Shqipërinë. Me këtë punë të kryer, është kthyer në pikmbështetje, pikëreferimi, nxitje të optimizmit dhe shembullit për t’u ndjekur nga të rinjtë.

Ermir Shahini, shpresa e së ardhmes. Nxitje për punë të mëdha, që lindin nga ide të reja, për ti përshtatur në kushtet e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Thithja e këtyre kapaciteteve në sektorë të jetës politike, ekonomike, qoftë edhe legjislative të Shqipërisë, do të ishte nder për të gjithë, e veçanërisht për brezin e ri që përfaqëson.

Durrës: 17 janar 2025

Lexo më shumë nga

Ermir Shahini era e mirë e shkencës ekonomike

Studiues i mirfilltë i shkencave ekonomike. Vlerësuar nga SCOPUS i dyti në UAMD dhe i 65 në Shqipëri

Global 360

Marrëveshja trepalëshe me Shqipërinë dhe Emiratet, Meloni: Projekt ambicioz, ndërlidhje e re energjetike

Meloni theksoi se është e gëzuar që të nënshkruajë kuadrin e partneritetit strategjik me Kryeministrin Rama për të nisur një…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Ermir Shahini era e mirë e shkencës ekonomike

Studiues i mirfilltë i shkencave ekonomike. Vlerësuar nga SCOPUS i dyti në UAMD dhe i 65 në Shqipëri