Hapet sesioni i ri i Kuvendit, Spiropali: Vota e Diasporës ndër arritjet e shënuara të legjislaturës
Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, nisi punimet sesioni i tetë i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, nisi punimet sesioni i tetë i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Pas çeljes së seancës, nën tingujt e Himnit Kombëtar, Kryetarja Elisa Spiropali, mbajti fjalën e hapjes, në të cilën u fokusua tek objektivat dhe prioritetet kyçe të Kuvendit përgjatë sesionit të ri parlamentar.
Në fillim të seancës, kryetarja Spiropali njoftoi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dërguar për Kuvendin e Shqipërisë një letër, ku i është drejtuar deputetëve me një mesazh në nisje të sesionit të ri parlamentar. Presidenti Begaj, kërkoi dialog politik në shërbim të qytetarëve dhe bashkëpunim për hir të integrimit.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Spiropali, u shpreh se nesër është 21 janar, dita e themelimit te parlamentarizmit shqiptar, ku 105 vjet më parë Kongresi i Lushnjës, artikuloi politikisht, ligjërisht dhe institucionalisht, vendosmërinë e popullit per të zgjidhur fatin e atëhershëm dhe të ardhshëm të Shqipërise.
“Kongresi nisi ndërtimin e administratës shtetërore, forcave të rendit në mbrojtje të integritetit të Shqipërisë”, theksoi Spiropali.
Më tej, Kryetarja e Kuvendit, vazhdoi fjalën e saj duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe gjithëpërfshirjes, si dhe u ndal tek bashkëpunimi që do të duhet të ketë Kuvendi deri në përfundim te kësaj legjislature.
Duke u ndalur në disa prej prioriteteve të sesionit të ri, Kryetarja Spiropali, nënvizoi rritjen e transparencës së institucionit të Kuvendit të Shqipërisë; mbështetjen dhe fuqizimin e institucioneve të pavarura, bashkëpunimin me partneritetët ndërkombëtar, sfidat për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, etj.
Po ashtu, Kryeparlamentarja tha se, ndryshimi i legjislacionit dhe krijimi i mundësisë që shqiptarët e diasporës të votojnë, është një nga arritjet më të shënuara të legjislaturës që po mbyllet.
“Ndryshimi nga Kuvendi i Shqipërisë i legjislacionit zgjedhor dhe krijimi i mundësisë që pjestarët e Diasporës të votojnë për zgjedhjet për në Kuvend nga vendet pritëse është ndër arritjet më të shënuara të legjislaturës që po mbyllim”, tha Spiropali.
“Shumë ishte folur, por pak ishte bërë për jetërsimin e kësaj mundësie në procesin e zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, ajo që nuk ishte arritur për disa legjislatura, u realizua në këtë legjislaturë”, theksoi ajo.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi të katër grupet parlamentare dhe të gjithë deputetët për mbështetjen e plotë të këtyre ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.
“Me realizimin e tyre, iu përgjigjëm një nevoje të natyrshme të konsolidimit të demokracisë pjesëmarrëse, si dhe i kthyem Diasporës shqiptare, emigrantëve të hershëm e të rinj, një “borxh” që ishte e padrejtë të mos ua shlyenim, politikisht, atdhetarisht dhe moralisht. Ja arritëm të hapim udhë që kontributi ekonomik, social dhe human i Diasporës në zhvillimin e Shqipërisë të plotësohet edhe me pjesëmarrje politike dhe elektorale. Në këtë mënyrë ngushtuam “defiçitin demokratik” që ishte krijuar në sistemin tonë politik, mes kontributit të Diasporës në zhvillimin e vendit dhe mosplotësimit të kushteve praktike të ushtrimit në praktikë të së drejtës për të votuar nga atje ku janë”, u shpreh më tej Spiropali.
Spiropali gjithashtu u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit.
Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj foli edhe për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe hapjen e grup kapitujve të negociatave.
“arritje tjetër e rëndësishme e kësaj legjislature është përshpejtimi i ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë ne Bashkimin Evropian. Me krenari të ligjshme pohoj se kjo shpejtësi ka qenë më e madhe se gjatë çdo periudhe dhe gjatë çdo legjislature që pas marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha Spiropali.
“Muajt e fundit të sesionit të kaluar patëm dy ngjarje të rëndësishme: Tryezën e Dytë dhe te Tretë Ndërqeveritare Bashkimi Europian-Shqipëri dhe hapjen respektivisht të negociatave për grup-kapituj I-Themelorët dhe VI- Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
Por, shtoi Spiropali, “nuk janë vetëm këto. Tirana është bërë tashmë qendra e gravitetit e procesit të integrimit europian të rajonit. Samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor i 6 dhjetorit 2022, i pari që organizua jashtë kufijve të BE-së, u mbajt në Tiranë. Në maj Shqipëria do bëhet mikpritësja dhe organizatorja e Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Në vitin 2027 Shqipëria dhe Tirana do të mirëpresin Samitin e NATO-s”.
“Këto ngjarje i japin Shqipërisë, jo vetëm perceptimin dhe imazhin, por edhe përmbajtjen dhe substancën e një vendi anëtar i denjë i familjes evropiane dhe i komunitetit euro-atlantik”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit gjithashtu theksoi se, Kuvendi ka realizuar objektivat për të udhëhequr procesin e anëtarësimit dhe garantuar legjitimitetin demokratik dhe karakterin e tij gjithëpërshirës.
“Gjatë shtatë sesioneve të kësaj legjislature kemi zhvilluar 156 seanca plenare, ndër të cilat 163 seanca të zakonshme, 11 të jashtëzakonshme dhe 1 sesion të jashtëzakonshëm, 52 interpelanca dhe 10 seanca pyetjesh me anëtarë të Këshillit të Ministrave. Miratuam 457 ligje, ndër të cilat 86 ligje parësore, 144 ligje me ndryshime, 185 marrëveshje ndërkombëtare, 42 akte normative”, tha Spiropali.
Sa i takon diplomacisë parlamentare, Kryeparlamentarja u shpreh se, “u përqendrua në disa aspekte prioritare: sigurimin e mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian; mbështetjen e Kosovës dhe të pranimit të saj në organizatat ndërkombëtare; mbrojtjen dhe mbështetjen e të drejtave të pakthyeshme të shqiptarëve në rajon; mbështetjen e kontributit të Shqipërisë si anëtare e NATO-s për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve, promovimi i lidershipit të Shqipërisë në bashkëpunimin dhe integrimet rajonale etj”.
Spiropali foli edhe për për ngritjen e dy komisioneve të posaçme “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” dhe “Për dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Dy komisionet, tha ajo, “janë kthyer në kantiere ndërveprimi dhe ekspertize me akademinë dhe shoqërinë civile, veprimtari e cila uroj të shtrihet edhe gjatë legjislaturës pasaradhëse prandaj ftesa opozitës për të zenë vendin dhe marrë rolin e saj në këto komisione mbetet e hapur”.
Kryetarja e Kuvendit gjithashtu renditi si një prioritet të Legjislaturës së XI miratimin e ligjit për organizmin dhe funksionimin e Kuvendit që përfshin edhe statusin e deputetit.
Në këtë kuadër ajo u shpreh se, ka ardhur koha të ndërtohet Kuvendi i Shqipërisë Evropiane.
“Për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes së afërt, Kuvendi ka nevojë për ndryshime. Ka ardhur koha që komisionet e përhershme parlamentare si dhe nënkomisionet në përbërje të tyre të riformatohen. Objektivi i Kuvendit duhet të jetë që asnjë fushë e veprimtarisë ekonomike, shoqërore, kulturore, teknologjike në shoqërinë shqiptare të mos mbetet jashtë përgjegjësive të Komisioneve të përhershme parlamentare”, u shpreh Spiropali.
“Rritja e eficiencës së drejtimit dhe organizmit të kuvendit kërkon që brenda lirive kushtetuese dhe parlamentare, deputetët të jenë aktivë, produktive, rigoroz në ndjekjen e axhendës parlamentare”, shtoi ajo.
“Unë ndjej, por besoj kështu ndodh edhe me ju se kuvendi i Shqipërisë ka më shumë nevojë e hapësirë për autonomi. Si parlamenti i një republike parlamentar mendoj se zgjerimi i autonomisë duhet të nisë nga ajo financiare. Prandaj si një prioritet i Legjislaturës së XI do të rendisja miratimin e ligjit për organizmin dhe funksionimin e Kuvendit që përfshin edhe statusin e deputetit. Kjo presupozon krijimin e kushteve logjistike dhe financiare që deputetët të kenë mundësi të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre duke u pajisur me zyra, stafe mbështetëse etj. Kjo mund të kërkonte një rikonceptim të godinës së Kuvendit dhe bashkimin në një sallë të seancave plenare me mjediset e shërbimeve parlamentare. Nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për një bashkim hapësinor, por edhe funksional, në mënyrë që shërbimet parlamentare t’u përgjigjen në mënyrë më efikase axhendës dhe veprimtarive parlamentare. Ka ardhur koha të ndërtojmë Kuvendin e Shqipërisë Evropiane”, tha Spiropali.
Në seancën e sotme u njoftuan çështjet e depozituara në Kuvend për shqyrtim, dhe po ashtu seanca miratoi Programin e punës së Kuvendit, për periudhën 20 Janar 2025-28 Shkurt 2025 dhe Kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 20 Janar 2025 – 7 Shkurt 2025.
Sipas rendit të ditës, Gazmend Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dhe Niko Peleshi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mbajtën fjalën e rastit në nisje të sesionit të ri parlamentar dhe parashtruan prioritetet e grupeve parlamentare që përfaqësojnë.