Lulëzimi i “ekonomisë dimërore” në Kinë

Bota e Akullit dhe e Dëborës në Harbin është bërë një nga destinacionet turistike më përfaqësuese të dimrit në Kinë.

Bota e Akullit dhe Dëborës e Harbinit/VCG

Në fund të dhjetorit u hap edicioni i 26-të i Galasë së Dëborës dhe Akullit në Botën e Akullit dhe Dëborës të Harbinit, parku më i madh në botë për aktivitete argëtuese dimërore, që ndodhet në qytetin Harbin, kryeqendër e provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore. Vitin e kaluar, këtu erdhën mbi 2.7 milionë vizitorë.

Magjia e akullit dhe e dëborës në Harbin


Bota e Akullit dhe e Dëborës në Harbin/VCG


Pista të gjata për rrëshqitje në Botën e Akullit dhe të Dëborës në Harbin/VCG

Bota e Akullit dhe e Dëborës në Harbin është bërë një nga destinacionet turistike më përfaqësuese të dimrit në Kinë. Sivjet, në një sipërfaqe prej një milion metrash katrorë, mjeshtrit përdorën mbi 300 mijë metra kubë akull dhe dëborë për të bërë skulptura dhe pajisje për argëtimin me lojëra dimërore.

Shumë njerëz udhëtojnë me mijëra kilometra për në Harbin për të përjetuar këtë vend të mrekullueshëm për aktivitete në akull dhe borë. Pistat e mëdha për rrëshqitje në akull prej 500 metrash në Botën e Akullit dhe Dëborës, të publikuara gjerësisht në rrjetet sociale, ishin më tërheqësja për të gjithë vizitorët. Kështu që, pavarësisht shtimit të numrit të “korsive” sivjet në 24, nga 16 që ishte vjet, radha e pritjes për një përvojë “shpejtësie dhe pasioni” në këtë pistë mund të arrijë deri në qindra metra brenda një ore.

Vitin e kaluar, Kina regjistroi mbi 385 milionë vizita turistike në dimër në mbarë vendin, duke shënuar një rritje 38 % në krahasim me vitin 2023, me një rritje të ardhurash prej 50 %. Vetëm qyteti Harbin priti më shumë se 87 milionë vizitorë, trefish më shumë se në 2023, duke siguruar rreth 17.4 miliardë dollarë amerikanë të ardhura nga turizmi dimëror, me një rritje mahnitëse 500 %.


“Vendlindja e dëborës”, Mudanjiang, provincë Heilongjiang/VCG

Ndërkohë, edhe Mudanjiang, një qytet tjetër në provincën Heilongjiang të Kinës Verilindore, që cilësohet si “vendlindja e dëborës”, po sheh fluks vizitorësh. Veshja e kostumeve të veçanta dhe bërja e fotografive me formacionet e dëborës në formë kërpudhash janë bërë të pashmangshme për turistët. Vetëm brenda një muaji këtu kanë ardhur më shumë se 400 mijë vizitorë. Këtë vit, qyteti ka zgjeruar ofertat e tij me një shteg pyjor dhe një bulevard tregtar buzë lumit. Këtu do të organizohen gjithashtu maratona dhe gara kërcimi disko në natyrë, duke ofruar aktivitete edhe më emocionuese për dashamirësit e dimrit.

Rritja e turistëve në Jilin


Rituali ceremonial për nisjen e peshkimit në liqenin Chagan, provincë Jilin, Kinës Verilindore/VCG

Më 28 dhjetor, një ritual ceremonial u mbajt në liqenin Chagan të provincës Jilin, duke çelur Festivalin e 23-të të Kulturës së Peshkimit dhe të Gjuetisë të Chagan-it.

Chagan është liqeni më i madh i provincës Jilin. Me një sipërfaqe prej 40000 hektarësh dhe një rezervë ujore 700 milionë metra kubë, këtu rriten mbi 100 lloje peshqish. Për të mbrojtur sistemin ekologjik, peshkimi kolektiv lejohet vetëm dy herë në vit, dhe më i njohuri është ai që kryhet nga mesi i dhjetorit deri në janar, nëpërmjet metodave tradicionale qindravjeçare. Në këtë aktivitet, mijëra peshkatarë rrinë mbi sipërfaqen e ngrirë të liqenit dhe dhjetëra makina transportojnë pa ndërprerë peshqit e kapur, që mund të arrijnë një peshë deri në një mijë tonë.

Rreth këtij peshkimi unik, autoritetet turistike vendore organizojnë 145 aktivitete të ndryshme, duke ndërthurur shumë lojëra të përjetimit të kulturës së peshkimit dhe të gjuetisë tradicionale. Tani kjo është një ndër pikat më të njohura të provincës.


Një resort profesional i lojërave dimëror në këmbët e vargmaleve Changbai, provincë Jilin, Kinë Verilindore/VCG

Përveç liqenit Chagan, vargmalet Changbai janë një tjetër pikë tërheqëse për turistët që vizitojnë Jilin-in. Vargmalet Changbai ndodhen në “gjerësinë gjeografike të artë të borës”. Këtu dimri është i gjatë e bie shpesh dëborë e madhe dhe shumë cilësore për lojërat sportive dimërore. Me kushtet ideale natyrore, vargmalet Changbai janë një ndër tre bazat kryesore të botës me dëborë pluhur, duke u cilësuar si “parajsa e skive”. Këtu gjenden dhe shumë pista të njohura skish, ku mund të hasen shpesh sportistët më të mirë kinezë dhe botërorë.

Gjatë sezonit 2024-2025, në provincën Jinlin do të zhvillohen 21 veprimtari sportive dimërore të nivelit botëror, kontinental e kombëtar, të cilat priten të tërheqin më shumë vizitorë vendës e të huaj.

Ethet e lojërave dimërore në mbarë vendin


Vizitorë në një arenë ski brenda dhomës, qyteti Huzhou, provincë Jiangsu, Kinë Lindore/VCG

Sektori i turizmit të akullit dhe borës ka fituar popullaritet jo vetëm në Kinën Verilindore, por edhe në rajone të tjera të vendit.

Në fillim të këtij muaji, Sichuan-i njoftoi një paketë prej 150 milionë juanësh, e cila përfshin kuponë dhe bileta falas, së bashku me një sërë produktesh të turizmit dimëror për ski, burime termale etj., që do të zgjasin nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të këtij viti.

Në krahinat ku bie rrallë dëborë, “ethet” e turizmit dimëror “po kaplojnë” gjithnjë e më shumë banorë. Në Shangai, Xian, provincën Zhejiang, në Chongqing, e madje edhe në provincën jugore Guangdong, pistat e skive në mjedis të mbyllur po bëhen ndër destinacionet e parapëlqyera gjatë pushimeve.

Në krahasim me resortet profesionale të lojërave dimërore në verilindje të vendit, këto pista të brendshme, të ndërtuara me teknologji të lartë, janë si “kurse trajnimi” për banorët vendorë për të njohur sportet përkatëse. Ata, pasi zotërojnë mjeshtëritë bazë në objekte të tilla, mund të vijojnë më tej në resortet profesionale.

Turizmi i akullit dhe borës luan një rol kyç në përmirësimin e konsumit, sepse prej tij jo vetëm përfitojnë resortet, por edhe lulëzojnë sektorët e hotelerisë, të restoranteve të turizmit,e madje edhe ata të prodhimit të pajisjeve dhe të risive kulturore.

Tani, krahas popullaritetit në rritje të sporteve dimërore dhe përmirësimit të vazhdueshëm të politikave që mbështesin zhvillimin e ekonomisë përkatëse, sektori i turizmit dimëror në Kinë është i gatshëm për një rritje të konsiderueshme.

Në një udhëzim të publikuar në dhjetor të vitit 2024 nga qeveria kineze, vihet theksi te nxitja e ekonomisë së akullit dhe borës si një sektor i ri i rritjes, me një vlerë ekonomike prej 1.2 trilion juanësh deri në vitin 2027 dhe 1.5 trilion juanësh deri në vitin 2030.

Gjatë sezonit dimëror 2023-2024, vëllimi i konsumit lidhur me sportet dimërore i kaloi 150 miliardë juanët (20.5 miliardë dollarë amerikanë). Parashikohet se gjatë sezonit 2024-2025, shifra do të arrijë mbi 700 miliardë juanë, duke realizuar 500 milionë udhëtime turistike përkatëse.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

“A do që të rrosh e të jetosh si Mbret, shko e jeto në Përmet!”

"Zoti, kur e morri vesh, ngriti një dolli me shenjtorët e tij, duke e pagëzuar qytetin me emrin “Përmet”.

Global 360

Liderët e BE-së urojnë Trump për kthimin e tij në Shtepinë e Bardhë

Udhëheqësit e BE-së kanë uruar Donald Trump për kthimin e tij si president i SHBA-së në Shtepinë e Bardhë.

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“A do që të rrosh e të jetosh si Mbret, shko e jeto në Përmet!”

"Zoti, kur e morri vesh, ngriti një dolli me shenjtorët e tij, duke e pagëzuar qytetin me emrin “Përmet”.