Begaj, pritje me Trupin Diplomatik: Angazhim për reforma të thella, sfidë cilësia e dialogut politik

Kreu i Shtetit vuri në dukje faktin se Shqipëria ka luajtur një rol aktiv dhe të qëndrueshëm në organizatat ndërkombëtare, e udhëhequr nga besimi dhe përkushtimi në vlerat e përbashkëta demokratike.


Presidenti Bajram Begaj, në pritjen e përvitshme me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, përcolli sot mesazhe për avancimin e integrimit në BE, bashkëpunimin në rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë, si dhe forcimin e strukturës Euroatlantike.

Begaj theksoi njëkohësisht përkushtimin në përmbushjen e objektivave kombëtare, përmes strategjive të qarta, drejtësisë, dialogut politik dhe gjithëpërfshirjes.

Shqipëria, në vlerësimin e Presidentit të Republikës, e ka konsoliduar edhe më tej rolin e partnerit të besueshëm ndërkombëtar dhe atë proaktiv në skenën rajonale, duke dëshmuar mbështetjen më të lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Hapja e negociatave është dëshmi jo vetëm e vlerësimit për reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe tregues i vendosmërisë dhe përkushtimit tonë për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë sonë evropiane. Udhëtimi ynë drejt Evropës së bashkuar nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet pazgjidhshmërisht me vlera të shtrenjta për ne, siç janë: demokracia, të drejtat e njeriut dhe kohezioni social”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit konfirmoi angazhimin për kryerjen e reformave të thella, të cilat mbeten prioriteti kryesor për të ardhmen e vendit dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të cilin e konsideroi si projekt madhor të paqes, mirëqenies dhe zhvillimit.

“Shqiptarët janë të bindur se demokracia, integrimi dhe shteti i së drejtës nuk dhurohen, por janë procese thelbësore që kërkojnë bashkëpjesëmarrje, bashkëveprim dhe strategji të qarta për rezultate të prekshme”, shtoi ai.

Për sa i përket faktorit shqiptar dhe rajonit, Presidenti theksoi se “shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe kudo në diasporë mbeten në vëmendjen tonë për ruajtjen dhe fuqizimin e identitetit kombëtar dhe garantimin e të drejtave të tyre”.

Ndërsa përforcoi qëndrimin për mbështetje të pakushtëzuar ndaj Kosovës, Presidenti Begaj apeloi për thellimin e bashkëpunimit rajonal duke garantuar mbrojtjen e përkatësisë evropiane dhe avancimin e kursit Euroatlantik nga Shqipëria dhe faktori shqiptar.

“Forcimi i Aleancës Euroatlantike duhet të jetë prioritet. Një NATO e fortë dhe e përbashkuar do të kontribuojë në përballjen e çdo sfide”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke iu referuar sfidave globale.

Kreu i Shtetit vuri në dukje faktin se Shqipëria ka luajtur një rol aktiv dhe të qëndrueshëm në organizatat ndërkombëtare, e udhëhequr nga besimi dhe përkushtimi në vlerat e përbashkëta demokratike.

Veç objektivave në politikën e jashtme ndërkombëtare dhe atë rajonale, Presidenti i Republikës, duke folur për prioritetet kombëtare, shprehu mirënjohje ndaj partnerëve të Shqipërisë që kanë kontribuar në zhvillimin e reformave në vend, teksa i bëri thirrje klasës politike për dialog dhe zhvillimin e zgjedhjeve të 11 majit sipas standardeve.

“Cilësia e sistemit të drejtësisë në çdo shkallë të saj dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten prioritete kryesore. Një falënderim të veçantë kam për aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e pazëvendësueshëm që drejtësia të konsolidohet në kolonën solide të shtetit tonë demokratik. Sfidë mbetet cilësia e dialogut politik në vend. Shqipëria shquhet për dialog ndërkulturor e fetar, e nën këtë shembull që i ka shenjuar shqiptarët ndër shekuj, uroj që edhe dialogu midis partive politike të kthehet në normalitet të jetës politike në vend”, shtoi Begaj.

Presidenti Begaj ftoi ambasadorët të bashkëpunojnë për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe të vijojnë të kontribuojnë në promovimin e Shqipërisë për turizmin, si një prej prioriteteve afatgjata të zhvillimit.

“Jam i bindur se edhe në këtë vit të ri misioni juaj ka një rëndësi të veçantë. Bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe kontaktet intensive për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare kontribuojnë për një botë ku tensionet ulen dhe mbizotëron dialogu, paqja dhe prosperiteti”, tha Begaj.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Mazniku takim me biznesin në Elbasan: Bashkëpunim për nxitje ekonomike e vende të reja pune

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, takoi në Elbasan përfaqësues të bizneseve duke adresuar sfidat dhe mundësitë e…

Global 360

Presidenti Trump shpalos vizionin në ditën e parë të mandatit të dytë

Në ditën e parë të mandatit të dytë, Presidenti Donald Trump shpalosi vizionin për një Amerikë më të guximshme dhe…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Mazniku takim me biznesin në Elbasan: Bashkëpunim për nxitje ekonomike e vende të reja pune

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, takoi në Elbasan përfaqësues të bizneseve duke adresuar sfidat dhe mundësitë e…