Lamtumirë “Plaku Mu”, i shkëlqyeri mik Enea Muça!

Enea Muça! Tipiku tiranas. I bukur, i hijshëm, zotni, i thjeshtë dhe shumë modest!


Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Me 15 korrik 2025, i binte të ishte në 84 vjetorin e lindjes. Ndërsa takim i i parë dhe i fundit me të, ka qenë në Currila të Durrësit, në lokalin e Tim Turkut me 24 prill 2024. Emri i njohur i gjimnastikës dhe i sporteve Tomor Fishta, festonte 82 vjetorin e lindjes dhe kishte krijuar tavolinën më mahnitëse në botë.

Ndërmjet të tetëve, emra shumë të njohur, ishte edhe ky njeri fantastik Enea Muça. Me profil të lodhur, por me forcë të brendëshme të pashtershme. Bastuni i tij më dukej si këmbët gjigande të një ure, ku mbështetej fiziku i brishtë dhe i vuajtur i Enea Muçës. Më la shumë mbresa, aq sa detyrohem ti përkushtohem me këto rradhë por fatkeqësisht të dhimbshme, të trishtueshme, që nuk do të doja të ishin kështu.

Enea Muça është lindur me 15 korrik të vitit 1943. Dhe e sosi jetën me 23 janar 2025. Para 10 viteve, botoi librin “Plaku Mu –frymëzime djaloshare në pleqëri”. Shkaku i thjeshtë. Të linte kujtim për shoqërinë e pastër, për shoqërinë e rrallë të patur me burra të rrallë, që përbënin vetë konturet e jetës së tij. Mënyra se si çfaqet dhe se si shprehet, mbetet shumë e veçantë në dashurinë dhe respektin e jashtëzakonshëm që manifestonte ndaj shokëve. Enea Muça nuk e shiste shoqërinë por e blinte me koston e jetës. Dhe ky libër u bë për ta, ja për të gjithë kujtim i përjetshëm i këtyre cilësive të rralla, që kishte ky burrë i rrallë, në një mall dhe sentiment po kaq të rrallë.

Që në faqet e para të librit, ky zotni i lindur për shoqëri, që jepte dhe konsumonte shoqëri, që frymonte shoqëri, ku ADN-ja e tij ishte shoqëri shkruan:

– Ndoshta vjershat që janë përmbledhur në këtë libër, nuk do të ishin shkruar asnjëherë, nëse nuk do të ishin shokët e mi. Për ata i shkruajta, atyre ua lexoja, pa të cilët nuk di sesi do të ishte kjo jetë. Ata janë shtyllat ku mbështetem. Ata janë ballkoni ku unë hakmerrem. Ata janë salla ku unë mbaj leksione. Janë komisioni i provimit të përjetshëm për të qenë njeri. Ata janë pasqyra ku përmirësoj pajën time, ata janë labirinthi ku humbas kohën time. Shokët nuk janë molla e sherrit, por sherri vetë. 1000 herë jam grindur, e sërisht jam pajtuar, e gjithmonë duke i thënë njërit tjetrit “ nuk kemi më kohë të grindemi sërisht”. E të nesërmen grindemi sërisht. Ndaj them se ky libërth u bë prej tyre dhe për ta.

Po cili është Enea Muça?

Tiranas që kur lindi. Këtu u shkollua. Studimet e larta për pilot –aviacion i nisi në Krasnodar të Bashkimit Sovjetik, për ti përfunduar në Kinë. Në vitin 1966 nisi punën si redaktor në redaksinë e sektorit të jashtën në RTSH, ku nuk lëvizi deri në vitin 1974. Transferohet deri në vitin 1982, si gazetar në revistën “Në shërbim të popullit”. Në fillim të viteve 90-të e deri në 2011-tën, punoi si përkthyes në një institucion shtetëror. Sistemi i djeshëm e përsekutoi, pasi ishte shok i ngushtë me gazetarin e njohur Agron Çobani.

Enea Muça është me merita në gazetarinë shqiptare, paçka që nuk e thonte kurrë këtë. Ai i kënaqej karrierës së shokëve të thekur, me të cilët ndau bukën dhe djathin. Kur ishim ulur në tavolinë, në ditën e bukur të 24 prillit 2024, ofrohet pranë nesh një burrë fisnik, me fytyrë paqësore, shumë i thjeshtë dhe me një të folur sikur kërkonte falje.

Erdhi me inxhinjerin e njohur të ish Kantjerit Detar të Durrësit Tofik Fishta. Kur na u prezantua, foli vetëm dy fjalë:

-Jam Enea Muça. Është fat dhe kënaqësi për mua që ndodhem ndërmjet miqsh të dashur dhe emra të njohur nga Durrësi. Jua paça borxh këtë pritje.

Qendrova me këtë njeri super disa orë. Dhe e përcolla me shumë dashuri, sikur për të thënë që ky ishte takimi ynë i parë dhe i fundit. Dhe kështu qëlloi vërtet. Por më la shumë mbresa. Gjatë këtij takimi, më njohu që shokët e tij të përditshëm janë emra me shumë famë, disa prej të cilëve i kam edhe kolegë. Dhe më tregoi se linte kokën për Agron Çobanin (nuk jeton), Betim Muçon (nuk jeton), Melsi Çobanin (nuk jeton ), Alfons Gurashin (nuk jeton), Kiço Blushin (nuk jeton), Rikard Ljarjan ( nuk jeton), Leka Bungon, Pëllumb Kullën, Robert Ndrenikën, Albert Shalën, Moikom Zeqon, Virgjil Karaj, Kreshnik Tartarin, Zamir Matin etj.

Lajmi për largimin nga jeta të Enea Muçës, më preku dhe më shtoi keqardhjen. Paç bekimin e një tjetër miku tëndin, por këtë herë jo nga Tirana, por nga Durrësi Enea Muça, për t’u qetësuar përjetësisht në të paqmin tënd. I shkove pranë Agronit, Fonsit, Betimit, Melsit, Rikardit dhe Kiços. Po edhe Moikomit. Dhe na le në trishtim.

Enea Muça! Tipiku tiranas. I bukur, i hijshëm, zotni, i thjeshtë dhe shumë modest, duke dhënë atë që mundi dhe si mundi, paçka se nuk shikoi asnjëherë se çfarë mori. Dhe çfarë mori?!
Kujtimin e gjithkohshëm të shokëve dhe miqve që i pati pafund. Ndërmjet tyre edhe timin, të një durrsaku, që i le mbresa të pëtjetërsueshme.

Lamtumirë dhe dheu i lehtë, i miri mik Enea Muça!

Durrës: 23 janar 2025

Mazniku takim me biznesin në Elbasan: Bashkëpunim për nxitje ekonomike e vende të reja pune

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, takoi në Elbasan përfaqësues të bizneseve duke adresuar sfidat dhe mundësitë e…

Global 360

Presidenti Trump shpalos vizionin në ditën e parë të mandatit të dytë

Në ditën e parë të mandatit të dytë, Presidenti Donald Trump shpalosi vizionin për një Amerikë më të guximshme dhe…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Mazniku takim me biznesin në Elbasan: Bashkëpunim për nxitje ekonomike e vende të reja pune

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, takoi në Elbasan përfaqësues të bizneseve duke adresuar sfidat dhe mundësitë e…