Kryepeshkopi Janullatos rindërtoi nga themelet jetën kishtare në Shqipëri
Me vizionin hyjnor dhe punën e palodhur, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë sot në moshën 95-vjeçare, rindërtoi nga themelet jetën kishtare në Shqipëri.
Me vizionin hyjnor dhe punën e palodhur, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë sot në moshën 95-vjeçare, rindërtoi nga themelet jetën kishtare në Shqipëri.
Janullatos ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.
Anastas Janullatos, lindi më 4 nëntor të vitit 1929 në Pire të Greqisë. Që në vitet e para të jetës ai nisi të angazhohej në kishë edhe pse kishte prirje për lëndët shkencore, kryesisht në matematikë.
Ndërsa me fillimin e luftës së dytë botërore, duke parë shkatërrim dhe vuajtje të njerëzve ai vendosi ti përkushtohej fesë, si një formë për tu ardhur në ndihmë atyre.
Më 1953 diplomohet shkëlqyeshëm në Universitetin Kombëtar të Athinës. Në vitet 1965 – 69 kreu studimet pasuniversitare në Historinë e Feve, Etnologji, Misiologji dhe Afrikanologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut.
Me përfundimin e studimeve, ai iu bashkua vëllazërisë “Zoi”, një organizatë fetare e fokusuar në rilindjen shpirtërore të Kishës në Greqi. Ai udhëhoqi disa lëvizje studentore qe kishin si synim jetësimin e besimit ortodoks tek të rinjtë.
Me tej angazhimi i tij do të vijonte në Shqipëri. Në vitin 1991, Anastas Janullatos do të caktohej Patriarku Ekumenik Eksark Patriarkal. Një vit më pas u zgjodh kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë.
Gjithashtu gjatë drejtimit prej tij të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, u ndërtuan mbi 145 kisha si dhe u riparuan mbi 160 të tjera godinat e te cilave gjate regjimit komunist kishin ndryshuar funksionin e tyre.
Kryepeshkopi Anastas është zgjedhur vazhdimisht në pozicione të shquara në udhëheqjen e organizmave ndërkombëtarë: Moderator i Komitetit për Misionin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-1991) dhe i Konferencës së Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror në San Antonio Teksas (1989); anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2003-2010); Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009); President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013); President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (2006 e në vazhdim).
Kryepeshkopi Anatas ishte autor i 24 librave (kërkime për Fetë Afrikane, ese në Theologji dhe në Historinë e Misioneve, predikime etj.), ku përfshihen: Islami, një vështrim i përgjithshëm (16 botime), Historia e Feve- Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, Globalizmi dhe Orthodhoksia, Hierapostullim në gjurmët e Krishtit, Deri në skajet e dheut, Bashkekzistenca, Në Shqipëri – Kryq dhe Ngjallje. Ka botuar mbi 200 ese dhe artikuj me tema teologjike e baritore. Studimet dhe artikujt e tij janë përkthyer në 17 gjuhë të huaja.
Ai ishte nderuar me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodokse dhe vende të ndryshme, si: “Kryqi i Madh i Urdhrit të Nderit i Republikës së Greqisë” (1997); çmimi “Athenagora për të Drejtat e Njeriut” (Nju Jork, 2011); çmimi për “Kontributin e shquar për unitetin e popujve orthodoksë” (Moskë, 2005); dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Tiranë, 2010).
Kryepeshkopi Anastas ishte njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë, në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.
Kryepeshkopi vdiq sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë, si pasojë e mosfunksionimit të mjaftueshëm të shumë organeve. Më parë ai ishte trajtuar për disa ditë në spitalin “Hygeia” në Tiranë.
Burimi ATSH