Bekim Balaj dhe Ezmiralda Franja fitues të “Topit të Artë 2024”

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u zhvillua sonte ceremonia “Topi i Artë 2024”, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku i ftuar ishte edhe kryeministri Edi Rama.


Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u zhvillua sonte ceremonia “Topi i Artë 2024”, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku i ftuar ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u moderua nga Ardit Gjebrea dhe Almeda Abazi.

Me 18 gola në 36 ndeshje gjatë sezonit 2023-2024, Bekim Balaj është fituesi i “Këpucës së Artë” në kampionatin “Abissnet Superiore”. Balaj shënoi gola të rëndësishëm dhe me skuadrën e Vllaznisë, luftoi deri në fund për titullin kampion, duke arritur me plot meritë në “Final Four”.

Çmimin e “Këpucës së Artë” ia dorëzoi legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, i cili e përgëzoi Balajn dhe e uroi për më shumë sukses në të ardhmen. Edhe në sezonin aktual (2024-2025), Bekim Balaj vazhdon të kryesojë renditjen e golashënuesve në kampionatin “Abissnet Superiore” me 13 gola.

Sa i takon trofeut “Arbitri i vitit 2024”, fitues u shpall Juxhin Xhaja. Ai u zgjodh si arbitri më i mirë i vitit 2024 nga kolegët e tij. Kandidat për trofun ishin dhe Eldorian Hamiti, Enea Jorgji dhe Kreshnik Cjapi.

Ndërkohë futbollistja e “Apolonisë” Xhesika Ndoj u shpall “Talenti i vitit 2024”. Në garë ishin edhe: Angela Nikaj, Klesta Ago, Herta Hasa. Trajnerja e ekipit Kombëtar U-19 për vajza, Luçije Gjini u ngjit në skenë për t’i dorëzuar Xhesikës trofeun.

Sa i takon çmimit “Talenti i Vitit 2024” për djem, fitues u shpall futbollisti i Skënderbeut, Ermir Rashica. Ai ishte në garë me futbollistë si: Ermal Meta, Ledjo Tresaj, Ergis Arifi.

Ashtu si në çdo edicion tjetër, përveç çmimeve individuale të dhënë për futbollistët shqiptarë të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre përgjatë vitit 2024, është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit.

Për të shpallur emrat e fituesëve është ftuar në skenë Sulejman Mema, ish-trajneri i njohur shqiptar. Mema lexoi emrat e fituesve të përcaktuar sipas votimit të bërë nga gazetarët e emisioneve sportive në televizionet shqiptare.

Nga porta në sulm, 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre përgjatë vitit 2024 janë këto: Alen Sherri (portier), Edison Ndreca (mbrojtës i majtë), Renato Malota (qendërmbrojtës), Arbenit Xhemajli (qendërmbrojtës), Arsid Kruja (mbrojtës i djathtë), Arinaldo Rrapaj (mesfushor i majtë), Albano Aleksi (mesfushor qendre), Arbin Zejnullai (mesfushor i djathtë), Ermir Rashica (sulmues i majtë), Bekim Balaj (sulmues qendre) dhe Baton Zabërgja (sulmues i djathtë).

11 futbollistët u ngjitën në skenë dhe tërhoqën çmimet, teksa nuk munguan falënderimet e rastit dhe një foto e të gjithë ekipit së bashku.

Gjatë ceremonisë u nda dhe çmimi “Trajneri i vitit”, i cili i shkoi teknikut të “Egnatias” Edlir Tetova. Në garë ishin edhe Orges Shehi, Ivan Gvozdenoviç dhe Ilir Daja.

Sakaq, Berat Gjimshiti u zgjodh “Lojtari i vitit”. Përzgjedhja e tij u bë nga kolegët e kombëtares së Shqipërisë. Trofeu ju dorëzua nënës së tij nga trajneri Silvinjo.

Në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit, një moment i veçantë ishte ndarja e çmimit “Zemër kuqezi” për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Ky çmim prestigjioz, përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares, nderon shpirtin e tij të jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.

Çmimi “Zemër kuqezi” iu dorëzua Ramadanit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe tifozi i Kombëtares, Besmir Limani, i njohur ndryshe si “Fytyra me Shqiponjë”.

I emocionuar, mesfushori kuqezi tha: “I nderuar që marr këtë çmim dhe premtoj që do të jap më shumë që të ecë përpara Shqipëria”.

Ndërkohë trofeun “Topi i Artë” për vajza u fitua nga Ezmiralda Franja, kapitene e Vllaznisë. Në garë ishin edhe: Xhesika Ndoj, Mesuare Begallo, Vanesa Levendi.

Trofeun e rëndësishëm ia dorëzoi Ezmiralda Franjes i ftuari special i FSHF-së në këtë event special, Gaizka Mendieta. Ish-futbollisti i njohur ka qenë kapiten i Valencias, ka luajtur me Barcelonën, Lazion etj, si edhe me kombëtaren e Spanjës. Mendieta përshëndeti të pranishmit dhe uroi Franjën e të gjithë fituesit e tjerë të këtij edicioni të “Topit të Artë”. “Është nder të jem sot këtu. Përgëzoj fituesit dhe i them të vazhdojnë të frymëzojnë të rinjtë. Përgëzoj Federatën për punën”.

Ezmiralda Franja fiton për herë të parë këtë trofe, teksa ka qenë në listën e të nominuareve edhe në edicionet e kaluara. Mes shumë emocionesh, mesfushorja e talentuar tha: “Sot jam shumë e lumtur, nuk e kam menduar që do arrija kaq lart kur nisa të luaja futboll. Falënderoj presidentin e Vllaznisë, Lazer Matija dhe shoqet e ekipit që bënë të mundur që unë të fitoj këtë trofe. Ia dedikoj familjes time dhe në veçanti mamit tim, që ëndërroi të bëhej futbolliste, por nuk ia doli dot”.

Bekim Balaj është shpallur edhe si “Topi i Artë” 2024 në kampionatin “Abissnet Superiore”. Futbollisti i Vllaznisë fitoi çmimin e futbollisti më të mirë të vitit, pas një gare të fortë me Arinaldo Rrapajn, Albano Aleksin dhe Ermir Rashicën.

Çmimin e “Topit të Artë” në Mbrëmjen Gala ia dorëzoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e uroi Balajn për këtë arritje.

Nga ana e tij, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, përgëzoi FSHF-në për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm dhe shprehu kënaqësinë e tij për fitimin e çmimit më të rëndësishëm të mbrëmjes.

Spiropali takon drejtoren për Europën në FCDO dhe Abbot: Partneriteti ynë gjithnjë në rritje

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka zhvilluar sot një takim me Victoria Billing, drejtore për Europën në FCDO (Zyra e…

Global 360

Ahmad al-Sharaa emërohet zyrtarisht president i Sirisë

Administrata gjithashtu autorizoi al-Sharaa të krijojë një këshill të përkohshëm legjislativ për të mbikëqyrur qeverisjen derisa të miratohet dhe zbatohet…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Spiropali takon drejtoren për Europën në FCDO dhe Abbot: Partneriteti ynë gjithnjë në rritje

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka zhvilluar sot një takim me Victoria Billing, drejtore për Europën në FCDO (Zyra e…