Shtohet personeli në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore
Numri i personelit rritet nga 86 në 118 vetë.
Rritet numri i personelit në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Vendimi i marrë sot nga Këshilli i Ministrave parashikon që struktura e urgjencës kombëtare të rritet nga 86 në 118 persona.
Vendimi, i miratuar gjatë mbledhjes së qeverisë, përmban tre pika dhe vjen me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në vendimin e miratuar të mërkurën parashikohet që në vendimin nr. 933, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës organizative të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”, të ndryshuar, të bëhen dy përditësime:
Së pari, numri i personelit rritet nga 86 në 118 vetë.
Së dyti, “Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) siguron shërbim, komandim, monitorim, kontroll dhe koordinim të shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore. Gjithashtu, ajo siguron shërbim dhe mbulon me personel mjekësor edhe Njësinë e Transportit Mjekësor me Helikopter”, lexohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Burimi ATSH