11 maji, KQZ dhe Komisioneri i Informimit: Zbatoni ligjin për të dhënat personale
Ky udhëzues orienton subjektet zgjedhore për mënyrën e garantimit të mbrojtjes së të dhënave personale të votuesve.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp u bënë sot apel zgjedhësve, partive politike, organizatave, palëve të tjera të angazhuara në këtë proces të kenë kujdes në respektimin e ligjit sa u përket administrimit dhe përpunimit të të dhënave personale në kuadër të veprimtarisë zgjedhore.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në kuadër të fushatës zgjedhore informojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë se të dyja institucionet mbeten të angazhuara në monitorimin rigoroz të periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
“Konsiderojmë si detyrë tonën parësore të garantojmë që të drejtat themelore të shtetasve të respektohen në çdo hap duke zbatuar Kodin Zgjedhor, ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR) të Bashkimit Evropian,” thuhet në deklaratë.
Ata theksojnë se, “çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në kritere të qarta ligjore dhe të kuptueshme për shtetasit. Shtetasit duhet të informohen në mënyrë të qartë se si dhe për çfarë qëllimi do të përpunohen të dhënat e tyre”.
“Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të mbledhin dhe të përpunojnë vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme për qëllimet e regjistrimit të zgjedhësve,” shtojnë ata.
Komisionerët nënvizojnë se, “të dhënat e mbledhura duhet të mbrohen me masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të parandaluar qasjen e paautorizuar, shkatërrimin ose keqpërdorimin e tyre”.
“Të dhënat e mbledhura për qëllime regjistrimi nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera, si propaganda politike, pa marrjen e pëlqimit të informuar të shtetasit,” thuhet më tej në deklaratë.
“Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të jenë të përgjegjshme për çdo shkelje të parimeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të jenë të hapura ndaj mbikëqyrjes nga autoritetet kompetente,” vijon deklarata.
Sipas tyre, “zbatimi i parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale ndihmon në përforcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe ruajtjes së besimit tek proceset demokratike”.
Duke marrë parasysh rreziqet e mundshme që mund të sjellë përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale të zgjedhësve, ata inkurajojnë qytetarët dhe subjektet zgjedhore që në rastet kur evidentojnë shkelje apo cenim të të dhënave personale të ankohen pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Ky proces realizohet duke plotësuar fillimisht formularin e ankesës, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, https://idp.al/ankohu/ e më pas duke e dorëzuar atë përmes postës elektronike [email protected], postës zyrtare, si dhe fizikisht pranë zyrave të këtij institucioni,” thuhet në daklaratë.
Për më tepër informacion, Zyra e Komisionerit ka hartuar dhe publikuar udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”.
Ky udhëzues orienton subjektet zgjedhore për mënyrën e garantimit të mbrojtjes së të dhënave personale të votuesve.
Burimi ATSH