Rama: Opozita ka hedhur vetëm baltë për Shqipërinë nga këneta e tyre, vota për ta është e çuar dëm
Përmes një videomesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentueseje në rrjetet sociale, e cila tërhoqi vëmendjen për gjuhën e përdorur nga Rama ndaj opozitës.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se opozita ka hedhur vetëm baltë për Shqipërinë brenda e jashtë vendit nga këneta e tyre, dhe kanë bërë çmos ta pengojnë këtë vend, ndërsa tani kërkojnë votën e shqiptarëve.
Përmes një videomesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentueseje në rrjetet sociale, e cila tërhoqi vëmendjen për gjuhën e përdorur nga Rama ndaj opozitës.
“Unë flas një herë në tre muaj tri fjalë për opozitën dhe bëka aq shumë përshtypje, sa nuk meritokam më ta udhëheq atë vend dhe atë popull, siç shkruani ju nga jashtë. Por, çfarë meriton atëherë opozita, opozita që tre vakte në ditë merret me gjithë librin e shtëpisë sime, me këdo i del përpara, me mua po e po,” tha Rama.
Sipas Ramës, këneta e akuzave të opozitës është turp në sytë e të huajve dhe jo nderi i Shqipërisë.
“Nuk besoj se është opozitë që ju përfaqëson juve dhe familjen tuaj, se nuk besoj se keni ndonjë problem me familjen time dhe nuk ma ha mendja se libri i shtëpisë sime ju duket një program i mirë për ekonominë, punësimin, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e me radhë për Shqipërinë. Pastaj, ju jeni jashtë dhe kjo kënetë në sy të të huajve është një turp dhe kurrsesi nderi i Shqipërisë që sot çmohet, respektohet si kurrë më parë. Ju jeni vetë dëshmitarë,” tha Rama.
Kryeministri shprehet më tej se “edhe në parlament i kam lënë të merren me librin e shtëpisë sime dhe të më ulin e të më ngrenë, kriminel e hajdut, e të m’i hedhin mua në kurriz të gjitha të zezat që i kanë bërë vetë, pasi kanë hedhur vetëm baltë brenda e jashtë Shqipërisë, për Shqipërinë, nga këneta e tyre dhe kanë bërë çmos ta pengojnë këtë vend, tani duan edhe votën”.
Kryeministri thekson se asnjëherë nuk merret me opozitën duke hedhur baltë e duke shpifur.
“Prandaj do merrem pak edhe me ata, por ama me shqipen e mësuesve të mi, të Nolit, Fishtës, Konicës dhe asnjëherë kurrë me baltë e me shpifje me librin e shtëpisë, me familjet, asnjëherë në nivelin e asaj kënete,” tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve që të mos e çojnë votën dëm duke votuar opozitën, e cila sipas tij, “do të jenë prapë aty ku janë”.
“Më vjen keq kur një buf stërplak e ka kthyer opozitën në një kor zhabash e bretkosash, kuak-kuak, ditë e natë i rrokanisin shqiptarët. Për dreq, ajo kënetë ka krijuar edhe disa pellgje opozitash të reja që nuk kanë asnjë gjë të re, përveç moshës së pronarëve të tyre. Që të gjithë imitojnë bufin stërplak. Kush të votojë verbërisht kuak-kauk-kuak, le t’i votojë, por dy gjëra nuk i ndryshon dot: E para, që vota për ta është e çuar krejtësisht dëm, se ata aty ku janë do të jenë prapë dhe e dyta, vota për ta nuk sjell asnjë ndryshim, sepse sa të jetë ajo kënetë në mes të mexhelisit tonë, nuk ka dot Shqipëria opozitë reale, sfiduese, europiane dhe fituese,” tha Rama.
Burimi ATSH