![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/balla.jpg)
Balla u drejtohet bashkatdhetarëve: Nga sot hiqet edhe pengesa e dokumentit biometrik të skaduar
Balla përcolli një mesazh të qartë mbi rëndësinë e vazhdimit të progresit dhe integrimit evropian të vendit
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/balla.jpg)
Në një videomesazh drejtuar bashkatdhetarëve, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka falënderuar të gjithë ata që kanë përmbushur detyrimin e tyre ndaj atdheut duke u regjistruar si votues nga jashtë.
Deri më tani, 94 mijë shtetas shqiptarë janë konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si votues nga jashtë. Ndërkohë, procesi i regjistrimit do të vazhdojë deri më 4 mars, dhe pritet që shumë të tjerë të regjistrohen sipas tij.
“Janë plot 94 mijë prej jush, të cilët janë konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si votues nga jashtë dhe deri në fund të këtij procesi kur kanë mbetur edhe 27 ditë deri në 4 mars, unë besoj që edhe shumë, shumë të tjerë prej jush do të vazhdojnë të regjistrohen. Ky është një moment historik për demokracinë shqiptare që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991. Ata që më parë ishin përjashtuar nga e drejta e votës, tashmë kanë mundësinë të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ministri.
Balla u komunikoi bashkatdhetarëve lajmin e rëndësishëm, se për ata që nuk kanë pasur mundësi të rinovojnë dokumentet e tyre të identifikimit, tashmë, regjistrimi si votues nga jashtë mund të bëhet edhe me një kartë identiteti ose pasaportë biometrike të skaduar.
“Kujtoj këtu se që prej vitit 2009 në Shqipëri mund të votosh vetëm me kartën e identitetit biometrike ose pasaportë biometrike. Numri i atyre që u ka skaduar afati është i lartë dhe kjo duket nga numri i lartë i atyre prej jush, mbi 6 mijë të cilët kanë aplikuar me një kartë identiteti apo pasaportë të skaduar. Prej sot jo vetëm ju, por të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit mund të regjistrohen lirshëm. Ju që e keni bërë ndërkohë, ndaj me ju lajmin e mirë se nuk keni për të bërë më asgjë tjetër, veçse në adresën që keni depozituar të prisni përmes postës fletën e votimit”, theksoi ai.
Ministri gjithashtu i kujtoi qytetarëve që kanë hapur llogarinë në platformën PER por nuk e kanë përfunduar regjistrimin, që ta përmbyllin procesin.
“Pra, njëra pjesë është të hapësh një llogari në PER kjo është pjesa e parë, por pjesa e dytë është të regjistrohesh si votues nga jashtë. Ka shumë prej jush që e kanë hapur llogarinë e tyre, disa mijëra e kanë hapur llogarinë e tyre në PER por nuk e kanë mbyllur dhe aplikimin si votues nga jashtë. Prandaj ju lutem ju që e keni hapur llogarinë vazhdojeni deri në fund, vendosni kartën e identitetit ose pasaportën biometrike shqiptare të vlefshme ose të skaduar dhe po ashtu vendosni një dokument i cili të përmbajë adresën tuaj, pra të konfirmojë arsyen pse ju ndodheni jashtë shtetit më datë 11 maj 2025. Mos harroni asnjëherë që duhet të përputhet adresa në dokumentin përkatës, kjo duhet të përputhet edhe me adresën që ju do të vendosni, ku ju dëshironi që t’ju vijë fleta e votimit menjëherë pasi të mbyllet ky proces. 4 marsi është afër edhe 27 ditë dhe e vërteta është që në këtë gjysmë të parë pothuajse të procesit interesi ka qenë i lartë, por unë besoj që në këtë pjesë të dytë interesi do të jetë edhe më i lartë”, u shpreh Balla.
Në fund të deklaratës, Balla përcolli një mesazh të qartë mbi rëndësinë e vazhdimit të progresit dhe integrimit evropian të vendit:
“Dhe në fakt ky mandat i katërt i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës si kryeministër do të jetë mandati i realizimit të kësaj aspirate. Të tjerët janë provuar e sprovuar. Disa edhe pse pretendojnë se janë të paprovuar nuk ja vlen as t’i provosh”, theksoi ai.
Ministri e mbylli mesazhin me një thirrje për të gjithë bashkatdhetarët që ende nuk janë regjistruar:
“Hyni në faqen zyrtare të KQZ-së dhe plotësoni të gjitha të dhënat e kërkuara. Është një detyrë në shërbim të atdheut tonë të përbashkët, Shqipërisë tonë evropiane”, tha Balla.
Burimi ATSH