Ndërhyrje restauruese në Manastirin e Shën Mërisë Spilesë, një nga më të bukurit e Lunxhërisë
E ndërtuar në shekullin e 17-të, kjo kishë ka sfiduar shekujt duke ruajtur tipologjinë arkitekturore të kohës, afresket dhe detajet e saj unike.
Në zemër të Lunxhërisë, po rijetësohet një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, kisha e Manastirit të Shën Mërisë Spilesë.
E ndërtuar në shekullin e 17-të, kjo kishë ka sfiduar shekujt duke ruajtur tipologjinë arkitekturore të kohës, afresket dhe detajet e saj unike.
Ministri Blendi Gonxhja, në një publikim në rrjetet sociale u shpreh se, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe investimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër, po ndërmerren ndërhyrje të kujdesshme restauruese: përforcime strukturore, hidroizolim, konservimi i afreskeve dhe elementeve arkitekturore, duke ruajtur autenticitetin e saj historik.
Gonxhja e konsideroi këtë, një tjetër hap të rëndësishëm për të mbrojtur dhe përcjellë tek brezat e ardhshëm, thesaret e kulturës sonë.
Manastiri i Shën Mërisë Spilesë është nga më të bukurit e Lunxhërisë. Ai ndodhet mbi Saraqinisht, rreth 20 km larg Gjirokastrës. Mbishkrimi mbi portën kryesore të kishës (naosit) tregon se ky objekt kulti daton në vitin 1634. Kisha e manastirit të Shën Mërisë në Spile është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”, i miratuar në qershor të vitit 1973. Manastiri është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e peshkopit Kalist. Manastiri ngrihet mbi një shkëmb gëlqeror për shkak të shpellave karstike. Aty kanë banuar eremitët, njerëz që qëndronin të izoluar nga bota, të cilët përpiqeshin të vuanin qenien e tyre mëkatare, si një vepër shlyerje para Perëndisë.
Burimi ATSH