
Rama: Tirana, një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë për turistët
Kryeministri Rama në fjalën e tij gjatë aktivitetit “Pakti i Qyteteve të Lira”, u shpreh se Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij sot gjatë aktivitetit “Pakti i Qyteteve të Lira”, u shpreh se Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.
Rama tha se Tirana sot është shndërruar në një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë për turistët. Sipas Ramës ky transformim është i jashtëzakonshëm.
I pranishëm në samitin “Pakti i Qyteteve të Lira”, që po zhvillon punimet sot në Tiranë, ku kryebashkiakë dhe përfaqësues nga metropolet më të mëdha të Europës dhe botës ndanë eksperiencat dhe perspektivat për zhvillimin e qendrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit, Rama vuri në dukje se qytetet do të mbajnë barrën e sfidave të përditshme të njerëzve.
Ai theksoi se, “kjo aleancë qytetesh jo vetëm që ia vlen, por është gjithnjë e më e domosdoshme, sepse qytetet do të mbajnë barrën e sfidave të përditshme të njerëzve të kësaj kohe dhe në rast se qeveritë mund të bëjnë diçka më pak apo më shumë, është e pamundur që të zëvendësojnë atë që duhet të bëjnë qytetet për njerëzit dhe nga ana tjetër është e pamundur që njerëzit të mjaftohen me çfarë u ofron qytetit dhe të kërkojnë përtej qytetit”.
“Qyteti për njerëzit është shtëpia dhe ambicia për ta bërë gjithnjë e më të mirë shtëpinë është e pakufizueshme,” tha Rama.
Samiti “Pakti i Qyteteve të Lira” është një rrjet global qytetesh, ku bëjnë pjesë metropole të mëdha si: Athina, Amsterdami, Barcelona, Budapesti, Berlini, Brukseli, Frankfurti, Kievi, Londra, Los-Anxhelos, Milano, Mynihu, Parisi etj. Ky rrjet që ka si mision mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe vlerave progresive. Gjatë gjithë ditës së sotme ka pasur disa panele diskutimi, ku kryetarët e bashkive pjesëmarrëse prekën tema si: siguria e qyteteve në kohë krizash, qëndrueshmërinë e qyteteve dhe migracioni.