![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/universiteti-i-kamzes.jpg)
Rama: Synojmë ta shndërrojmë UBT në një destinacion ekselence në Ballkan
Kryeministri Rama u bëri thirrje të gjithë maturantëve shqiptarë ta vendosin Universitetin Bujqësor të Tiranës ndër zgjedhjet e tyre të mundshme në sezonin e ardhshëm
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/universiteti-i-kamzes.jpg)
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria synon ta shndërrojë Universitetin Bujqësor të Tiranës në një destinacion ekselence në Ballkan.
“Mendoj se mund të synojmë për t’u bërë vërtet një destinacion ekselence në këtë anë të Europës. Dhe duhet të ecim përpara drejt kësaj pa u shkurajuar nga ajo me të cilën mund të përballemi rrugës”, tha Rama, në bisedë me ish-rektorin e Univesitetit BOKU të Vjenës, Hubert Hasenauer, si dhe rektorin e Univesitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, në episodin e 5-të të sezonit të katërt të podkastit “Flasim”.
Kësaj ideje iu bashkua edhe profesori Hasenauer, i cili tha kishte parë potencial të jashtëzakonshpm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë apo Mal të Zi. Ai e sheh bashkëpunimin midis vendeve më efikas, sesa ndërtimin e struktura të tilla nga secili vend.
“Do donim të kishin një strukturë të qartë të programeve Bachelor dhe kërkimit shkencor në përputhje me kompetencat që kemi përcaktuar, që Universiteti (Bujqësor i Tiranës – shën. i red.) të shihet si qendër kryesore për çështjet mjedisore e sociale në fushën e bujqësisë apo të mjedisit. Nëse e arrijmë këtë atëherë mendoj se keni potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Shqipëri. Unë e njoh situatën në Kosovë apo Mal të Zi. Këto vende janë ca si shumë të vogla për të ndërtuar struktura të tilla. Por ato mund të përfitojnë në rast se gjërat këtu ecin mirë dhe sigurisht anasjelltas”, theksoi ai.
Hasenauer tha se ishte ende herët për këtë, por në periudhë afatgjatë ai shprehu besimin se Shqipëria do ta zgjeronte hapësirën e ndikimit.
“Për të qenë i sinqertë, po të mos isha i bindur që ajo që po bëjmë është krejtësisht kuptimplotë, nuk do të isha këtu”, deklaroi ai.
Kryeministri u ndal dhe te situata nga u nis puna për transformimin e Universitetit Bujqësor. “E kishim të qartë mes nesh në qeveri se nëse donim të kishim rritje përtej përmirësimit normal në fushën e bujqësisë e të zhvillimit rural, duhet të mbështesnim Univesitetin Bujqësor”.
Rama tha se në vizitën e tij në këtë universitet, disa kohë më parë, ishte përballur me sy të rinjsh që nuk shpresonin.
“Për shkak të saj që bëjmë prej një kohe të gjatë kam mësuar për të lexuar energjinë e njerëzve në sytë e tyre dhe duke takuar kaq shumë njerëz në kaq shumë vende dhe duke ndërvepruar me kaq shumë fytyra, duke u marrë me kaq shumë grupe njerëzish, kam shqisën të kap diçka nga sytë. Po ju them se kur vajta të shoh këtë universitet shumë kohë më parë, sytë e njerëzve atje, të studentëve, të njerëzve që ecnin, kalonin korridorit, ishin pa dritë, pa shpresë, thjesht dukej sikur ishin aty, në një udhëkryq, sikur prisnin të ndodhte diçka, prisnin autobusin, por mendonin se autobusi nuk vjen kurrë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se situata u ndryshua në momentin kur u prezantua programi i bashkëpunimit me BOKU-n.
“Kjo nisi të ndryshonte. Dhe këtu duhet të kthehem dhe t’ju tregoj nivelin e intensitetit të energjisë kur bëmë prezatimin e programit. Pashë atmosferë të ndryshme. Njerëzit ishin më ndryshe. Nisëm me ambicien që të kishim Universitetin BOKU dhe profesor Hasenauer tha se po jep rezultat. Janë rezultat në progres dhe në të kuptuarit më mirë të gabimeve dhe boshllëqeve dhe shumë gjëra që duhet të rregullohen”, tha Rama.
Çështja është, vuri në dukje ai, që të sigurohemi që në 2030 të kemi një UBT me imazh të ri.
“E kemi nisur nga një situatë dramatike para se të thoshim: Në rregull, mund të shkojmë te BOKU. Universiteti ishte lënë në dorë të ndërtimeve pa leje dhe rënie drastike të emrit të vet. Më kujtohet diskutimi me rektorin kur filloi të ndihej i shqetësuar që nuk kishte studentë mjaftueshëm dhe më tha se duhet të ulin pritshmëritë dhe duhet të hapnim dyert edhe për nxënësit me nota të ulëta nga gjimnazi. I thashë: Jo! Nuk është kjo mënyra. Tani na duhet të vrapojmë drejt ekselencës. Dhe këtë po përrpiqemi të bëjmë”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama u bëri thirrje të gjithë maturantëve shqiptarë ta vendosin Universitetin Bujqësor të Tiranës ndër zgjedhjet e tyre të mundshme në sezonin e ardhshëm, sepse tha ai, 2030 do ta gjejë në majën e universiteteve të rajonit, siç do ta gjejë Shqipërinë në majën e BE-së.
“Jam i inkurajuar që UBT po transformohet, nga i cili përfitojnë pedagogët dhe studentët e atij universiteti, por edhe i gjithë sistemi i arsimit tonë të lartë”, theksoi Rama.