![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/Begaj-Bajram.jpg)
Begaj-Milatović: Projekte të përbashkëta në zonat ndërkufitare me Malin e Zi
Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku u prit me nderime të larta shtetërore në Podgoricë nga homologu i tij, Jakov Milatović.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/Begaj-Bajram.jpg)
Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku u prit sot me nderime të larta shtetërore në Podgoricë nga homologu i tij, Jakov Milatović.
Krerët e dy shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas me praninë e delegacioneve përkatëse.
Biseda u fokusua në dialogun dhe marrëdhëniet dypalëshe, rrugëtimin e përbashkët Euroatlantik, situatën në rajon, sfidat e përballjes me faktorë të tretë, si edhe për shqiptarët në Malin e Zi dhe minoritetin malazez në Shqipëri.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si dy shteteve fqinje dhe anëtare në NATO që po negociojnë intensivisht me Bashkimin Evropian, ndërsa një rëndësi e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik.
Në një konferencë të përbashkët shtypi më Presidentin Milatović, Presidenti Begaj bëri të ditur nismat e përbashkëta.
“Ne sot dakordësuam të inkurajojmë qeveritë e vendeve tona për më shumë projekte të përbashkëta, veçanërisht në zonat ndërkufitare. Në këto zona, potenciali njerëzor, mundësitë ekonomike dhe trashëgimia unike kulturore mund të eksplorohen dhe të shfrytëzohen më mirë. Bashkë me mikun tim, Presidentin Milatović, mendojmë se do të ishte me shumë rëndësi planifikimi i vizitave të përbashkëta në këto zona”, u shpreh ai.
Begaj theksoi se “është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie shumë të mira politike, por akoma më e rëndësishme është të kemi bashkëpunim ekonomik për të rritur mirëqenien e popujve tanë”.
Presidenti vlerësoi sektorin e turizmit si pjesë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit të mirëkoordinuar dypalësh për t’i dhënë në këtë mënyrë shtysë zhvillimit të zonave ndërkufitare.
Duke iu referuar bashkëpunimit ndërmjet zonës së Plavë-Gucisë dhe Vermoshit, Presidenti Begaj u shpreh se duhet ecur më tej me projekte të tilla pozitive që sjellin mirëqenie për popujt dhe mundësi për të rinjtë.
“Ka ende potencial të pashfrytëzuar, që duhet të përfshijnë edhe zona të tjera ndërkufitare në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, gjithashtu. Ndërlidhja rrugore dhe projekte të përbashkëta turistike favorizojnë zhvillimin e këtyre zonave dhe do të stimulojnë të rinjtë të mos i braktisin ato. Ndërtimi i urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin është një projekt me ndikim mjaft të madh në ndërlidhjen kufitare dhe në zhvillimin e turizmit. Ai do të mundësojë krijimin e një boshti ekonomik, turistik dhe social që lidh Shkodrën, Lezhën dhe Ulqinin”, u shpreh ai.
Sipas Kreut të Shtetit, një bashkëpunim i tillë duhet të përfshijë të gjitha vendet e rajonit.
“Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë konstruktiv, dinamik dhe proaktiv, me orientimin e qartë, pavarësisht sfidave. Perspektiva euroatlantike është e vetmja perspektivë që do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë, pajtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo qasje tjetër do të bënte që mosmarrëveshjet dypalëshe, nacionalizmat folklorike dhe ndikimet e faktorëve të tretë të fitonin më shumë terren. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe faktori shqiptar”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj rikonfirmoi po ashtu përkushtimin për të qenë pjesë e plotë e Bashkimit Evropian.
“Kemi realizuar deri tani 2 takime ndërqeveritare dhe hapjen e disa kapitujve, duke shpresuar që brenda vitit 2025 të hapen gjithë kapitujt e negocimit me Bashkimin Evropian. Po kështu, shpresojmë dhe besojmë që Shqipëria, brenda harkut kohor të kësaj dekade, të meritojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pavarësisht se anëtarësimi kërkon kohën e vet, për ne me shumë rëndësi ka procesi, proces i cili po transformon shoqërinë tonë, qeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët tanë”, shtoi ai.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti Begaj tha se me homologun malazez folën edhe për Kosovën, ndërsa përgëzoi edhe një herë popullin e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta dhe të rregullta.
“Kosova duhet të vazhdojë me shumë energji dhe dinamizëm procesin e konfirmimit e saj të plotë ndërkombëtar, të integrimit në organizatat rajonale e ndërkombëtare, të avancimit të kërkesës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të bashkëpunimit institucional me NATO-n, me synim anëtarësimin e saj për të qenë anëtare e NATO-s, dhe të forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh Presidenti, i cili i bëri thirrje liderëve politikë të Prishtinës të krijojnë sa më shpejt qeverinë e re për përmbushjen e këtyre objektivave.
Burimi ATSH