![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/01/administrate-1.png)
Pesë shtyllat e draft-strategjisë ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030
Draftstrategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030 është hapur për konsultim publik.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/01/administrate-1.png)
Draftstrategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030 është hapur për konsultim publik.
Në këtë Draftstrategji thuhet se, Reforma në Administratën Publike (RAP) është një ndër prioritet kryesore të Qeverisë shqiptare për jetësimin e vizionit të Shqipërisë 2030 si anëtare e Bashkimit Evropian, përmes forcimit të mëtejshëm të të gjithë mekanizmave për një administratë publike eficiente që vepron me profesionalizëm dhe transparencë.
Përgjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma të thella në fushën e administratës publike, të cilat janë planifikuar dhe monitoruar përmes Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike. Në një këndvështrim rajonal, performanca e përgjithshme e Shqipërisë në këto reforma është vlerësuar si shumë pozitive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, sikurse konfirmohet në raportet e fundit të monitorimit të OECD/SIGMA të viteve 2021 dhe 2024, ku Shqipëria konfirmohet si lider në rajon në 32 indikatorë.
Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2024-2030 (SNRAP) shërben si korniza strategjike që do të udhëheqë zbatimin e reformave të Qeverisë shqiptare dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira për RAP deri në fund të vitit 2030. Kjo reformë është prioritet i qartë kombëtar, në përputhje me qasjen e rivitalizuar të Komisionit Evropian ndaj politikës së zgjerimit.
Me metodologjinë e re të zgjerimit, Reforma në Administratën Publike, pjesë e grup-kapitujve “Themeloret”, mbart rëndësi kritike në përparimin e procesit të negociatave, si shtyllë thelbësore për mirëfunksionimin e shtetit dhe si parakusht për avancimin e agjendës evropiane.
Për këtë qëllim parashikimet e Strategjisë Ndërsektoriale të RAP janë linjëzuar plotësisht me vizionin e agjendës kombëtare të integrimit dhe në mënyrë të veçantë, me zotimet e parashtruara në Udhërrëfyesin për Reformën në Administratën Publike 2023-2030. Ky i fundit u miratua nga Qeveria shqiptare në dhjetor 2023, me qëllim orientimin në drejtimin e duhur të të gjitha politikave që kushtëzojnë integrimin në BE dhe për të nxitur zhvillimin e qendrueshëm të vendit dhe shërben si një gur themeli në përmirësimin e performancës së administratës publike, garantimin e shërbimeve publike të standardizuara, dhe forcimin e llogaridhënies institucionale.
Vizioni i Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2024-2030 është konsolidimi i një administratë publike profesionale, efikase, inovative dhe e motivuar, që vepron në përputhje me standardet evropiane dhe parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe që ka aftësinë dhe mjetet e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur Shqipërinë për procesin historik të aderimit në Bashkimin Evropian.
Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2024-2030 mbështetet në 5 shtylla kryesore që pasqyrojnë Qëllimet e Politikave përmes të cilave synohet të jetësohet vizioni i strategjisë, përkatësisht:
Qëllimi i Politikës 1: Zhvillimi dhe Koordinimi i Politikave;
Qëllimi i Politikës 2: Shërbimi Civil dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore;
Qëllimi i Politikës 3: Ofrimi i Shërbimeve dhe Digjitalizimi;
Qëllimi i Politikës 4: Organizimi, Llogaridhënia dhe Mbikëqyrja e Administratës;
Qëllimi i Politikës 5: Administrata e Gjelbër Publike.
Qëllimi i Politikës 1 synon të sigurojë që zhvillimi dhe koordinimi i politikave, si dhe hartimi, monitorimi dhe vlerësimi i legjislacionit të jenë të rregulluar qartë dhe të lidhur ngushtë me prioritetet e qeverisë dhe planifikimin buxhetor, duke rritur kështu efikasitetin e politikave transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo shtyllë mbulon komponentët e planifikimit dhe koordinimit të politikave në nivel kombëtar, koordinimit efikas të procesit të integrimit evropian dhe hartimit të një legjislacioni gjithëpërfshirës, bazuar në të dhëna.
Përmes Qëllimit të Politikës 2 synohet konsolidimi i një administrate profesionale, të përzgjedhur me meritë, të painfluencuar nga aktorë dhe faktorë të jashtëm, që punon me efikasitet, motivim dhe llogaridhënie të lartë.
Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore janë një fushë e veçantë ku qeveria shqiptare ka treguar angazhim të vazhdueshëm dhe vëmendje të shtuar.
Në vijim të arritjeve të evidentuara nga partnerët ndërkombëtare dhe të reflektuara përmbledhtaz në pjesën e parë të këtij dokumenti, Qëllimi i Politikës 2 do të adresojë sfidat e identifikuara në këtë fushë, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të administratës publike dhe performancës së saj përgjatë procesit të integrimit evropian.
Kjo shtyllë detajon një sërë masash lidhur me komponentët e pranimit në shërbimin civil, në zbatim të plotë të parimit të meritës, motivimit dhe trajnimit të punonjësve, si dhe menaxhimin e përmirësuar dhe efikas të burimeve njerëzore, mes të tjerash edhe përmes përdorimit të sistemeve lehtësuese elektronike.
Qëllimi i Politikës 3 për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset përmes një portali të vetëm synon përmirësimin e vazhdueshëm të aksesit në to dhe efikasitetit të tyre. Kjo qasje synon të thjeshtojë proceset, të reduktojë burokracinë dhe të ofrojë një përvojë më të mirë përdoruesish, duke lehtësuar ndërveprimin mes qytetarëve, bizneseve dhe administratës publike. Impakti fundor i kësaj qasjeje targeton forcimin e besimit në institucionet publike, duke ndikuar edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Qëllimi i Politikës 4 synon konsolidimin e një administrate publike efikase dhe të përgjegjshme përmes forcimit të strukturave organizative, promovimit të llogaridhënies dhe krijimit të mekanizmave të mbikëqyrjes së brendshme dhe të jashtme. Ky Qëllim fokusohet në menaxhimin e mirë të burimeve njerëzore, transparencën në vendimmarrje dhe fuqizimin e proceseve të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, me qëllim final rritjen e besueshmërisë së qytetareve tek institucionet publike dhe përmirësimin e efikasitetit të administratës.
Qëllimi i Politikës 5 synon ndërtimin e një administratë publike që ndjek praktika të qëndrueshme mjedisore, duke minimizuar ndikimet negative në mjedis dhe duke promovuar politika dhe nisma të gjelbra. Kjo shtyllë përfshin komponentët e ndërgjegjësimit të punonjësve mbi administratën e gjelbër, si dhe krijimin e një administrate që vepron në harmoni me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Burimi ATSH