
Java e Ndërgjegjësimit për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Karameta: Kontribuojmë për riintegrimin e tyre në shoqëri
Ministria e Drejtësisë fton të rinjtë shqiptarë që si individë dhe qytetarë që u përket ndërtimi i së ardhmes t’i bashkohen këtyre aktiviteteve

Ministria e Drejtësisë nisi sot Javën e Ndërgjegjësimit për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, në kuadër të së cilës do të organizohet një fushatë informimi, sensibilizimi dhe veprimi për të garantuar mbështetje dhe drejtësi për çdo viktimë.
Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, zëvendësministri i Drejtësisë Klajd Karameta ftoi të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile që t’i bashkohen dhe të kontribuojnë në këtë nismë të rëndësishme.
“Bashkohuni të gjithë për javën e Ndërgjegjësimit të Viktimave të Krimit. Së bashku të gjithë mund të japim një kontribut për forcimin, respektimin dhe riintegrimin e tyre sërish në gjirin e shoqërisë sonë”, thuhet në këtë mesazh.
Ministria e Drejtësisë organizon për të dytin vit radhazi Javën e Ndërgjegjësimit për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, në datat 15-22 shkurt 2025.
Kjo fushatë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimin e shoqërisë për të drejtat dhe mbrojtjen e viktimave të krimit, duke nxitur një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj kësaj sfide.
Gjithashtu, fushata është pjesë e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, një strategji kjo e vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Europian dhe që synon mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të viktimave, duke ofruar një sistem drejtësie penale të aksesueshëm, efikas dhe transparent, që jo vetëm respekton standardet europiane të të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha ofron mundësi dhe mbështetje për integrimin shoqëror të viktimave.
Gjatë kësaj jave me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe jetësimin e mënyrave më të mira për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave, në bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile do të organizohen takime informuese dhe tryeza diskutimesh me profesionistë të fushës.
Ministria e Drejtësisë fton të rinjtë shqiptarë që si individë dhe qytetarë që u përket ndërtimi i së ardhmes t’i bashkohen këtyre aktiviteteve, pasi vetëm nëpërmjet veprimeve konkrete mund të kontribuojnë efektivisht në parandalimin e ushtrimit të dhunës, si dhe minimizimin e efekteve negative të saj.
Burimi ATSH