
Banka Shqiptare e Zhvillimit, Ibrahimaj konsultime me bankat
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues të institucioneve bankare, në kuadër të konsultimeve për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues të institucioneve bankare, në kuadër të konsultimeve për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, përmes së cilës synohet mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe startup-et si edhe projekteve zhvillimore që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.
Qeveria prezantoi së fundmi projektligjin për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e ngjashme me bankat apo institucionet kombëtare promovuese që funksionojnë në Bashkimin Evropian, me synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar të ekonomisë.
Ministrja theksoi se ky bashkëbisedim është thelbësor për të siguruar që ky institucion i ri financiar të ofrojë instrumente efektive për nxitjen e kreditimit dhe zhvillimit ekonomik.
“Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është një hap i rëndësishëm për forcimin e klimës së biznesit në vend dhe për përafrimin e Shqipërisë me modelet më të avancuara evropiane, duke i hapur rrugën një ekonomie më të fortë, konkurruese dhe të zhvilluar”, deklaroi Ibrahimaj.
Arsyetimi kryesor ekonomik për ekzistencën e një institucioni të tillë bazohet në faktin se operimi nën potencial apo dështimet e tregut mund të çojnë në mungesë financimi dhe investimesh që, si rezultat, sjellin një rritje më të ngadaltë sesa ajo që do të ishte ekonomikisht e dobishme apo e synuar.
Këto institucione ndërhyjnë në ato segmente që mbeten të nënfinancuara apo të nënshërbyera, duke synuar një qasje plotësuese ndaj financimeve që ofrohen nga operatorët tregtarë financiarë.
Në projektligjin e dalë për konsultim publik thuhet se veprimtaria e tyre ushtrohet në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore dhe pa shkaktuar ndikim të padrejtë në konkurrencë.
Veprimtaria e Bankës së Zhvillimit do të fokusohet në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, startup-eve, promovimin e eksporteve, mbështetjen e projekteve publike në nivel qendror dhe vendor me rëndësi për zhvillimin ekonomik, apo dhe zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale.
Burimi ATSH