
Begaj: Pavarësia e Kosovës, meritë e përpjekjeve titanike të një populli që nuk u përkul
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë sot në pritjen shtetërore të mbajtur në Prishtinë me rastin e 17- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë sot në pritjen shtetërore të mbajtur në Prishtinë me rastin e 17- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e tij në këtë pritje, Begaj u shpreh se “pavarësia e Kosovës është testament i qëndresës, amanet i shenjtë, ngadhënjim i sakrificës dhe besimit në të drejtën e një populli autokton për të jetuar i lirë, me dinjitet dhe në një shtet të barabartë mes të barabartëve”.
Begaj theksoi se, Pavarësia e Kosovës erdhi si meritë e përpjekjeve titanike të një populli që nuk u përkul dhe nuk u dorëzua kurrë ndaj padrejtësive dhe gjenocidit.
“Sot e përjetë nderojmë arkitektin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, liderin dhe Presidentin historik të Kosovës, dhe Adem Demaçin, nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nderojmë gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat për një të ardhme në liri të mijëra burrave dhe grave, nderojmë lotët dhe dhimbjet e nenave, nderojmë firmëtarët e pavarësisë”, u shpreh Kreu i Shtetit.
“26 vite më parë, çështja e Kosovës bashkoi shtete dhe kombe. Me mbështetjen e aleatëve tanë Euroatlantikë dhe me ndërhyrjen unike vendimtare të NATO-s kundër terrorit, krimeve të luftës dhe gjenocidit serb u hap rruga e lirisë, u krijua shteti i Kosovës, arritje e madhe për kombin shqiptar në këtë shekull”, nënvizoi Begaj.
”Republika e Kosovës gjithnjë e më shumë është kontribuuese e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës. Ajo ka forcën, kurajën dhe vizionin të shohë përpara. Kosova ka provuar se jo vetëm di të kërkojë, të mbrojë e të respektojë lirinë dhe demokracinë, por edhe të përmbushë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar”, shtoi Begaj.
“Shqipëria dhe Kosova, faktori shqiptar në rajon, është aleat besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, aleat i përkushtuar i Aleancës Euroatlantike dhe vlerave të saj në rajon. Shqiptarët do të jenë përgjithnjë mirënjohës për mbështetjen e tyre të pakursyer. Ne besojmë se Evropa e Bashkuar është destinacioni ynë strategjik dhe jetik, është një projekt në shërbim të paqes, demokracisë, sigurisë, stabilitetit e prosperitetit. Shqiptarët besojnë në Bashkimin Evropian, në vlerat që ai përfaqëson, si dhe në përkushtimin për zgjerim, por mosnjohja e shtetit të Kosovës është akt që bie ndesh me këtë përkushtim. Dëshirojmë që këto vende të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe, gjithashtu, Bashkimi Evropian të heqë sanksionet e vendosura padrejtësisht ndaj shtetit të Kosovës”, nënvizoi Presidenti Begaj.
Begaj u shpreh se, “duhet të jemi shumë të kthjellët për vlerat tona Euroatlantike dhe duhet të punojmë pareshtur për forcimin e aleancave tona strategjike. Paqja, liria dhe demokracia janë realitete që duhen ushqyer e mbrojtur kurdoherë, me të gjitha fuqitë tona”.
“Shqipëria do të jetë gjithnjë pranë Kosovës, në të gjitha përpjekjet e arritjet e saj. Ne do të përkrahim dhe mbështesim kurdo dhe kudo Republikën e Kosovës, në çdo iniciativë integrimi rajonal, në organizatat ndërkombëtare, në rrugën drejt integrimit evropian dhe për njohje të reja”, tha Begaj.
“Bashkëpunimi ynë është përgjegjësi, është rruga drejt forcimit të vetë shteteve tona për fuqizimin e ndikimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë, por edhe për forcimin e kombit shqiptar. Ky bashkëpunim ka një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar plotësisht, e mbi të gjitha ne kemi një xhevahir, që është gjuha shqipe, e cila duhet ruajtur, zhvilluar, pasuruar, e trashëguar”, shtoi Kreu i Shtetit.
“Qytetarët tanë presin më shumë ndërveprim dhe bashkëpunim, më shumë rezultate të prekshme dhe shkëmbime ekonomike, më shumë lehtësim në tregje dhe nisma të përbashkëta, më pak burokraci apo keqkuptime”, shtoi Begaj.
Ne shqiptarët, vijoi Presidenti Begaj, “përgjatë gjithë historisë sonë të lashtë, nuk kemi pasur nga askush dhurata politike. Na është dashur të luftojmë për të drejtat tona më themelore: lirinë, pavarësinë, gjuhën tonë. Sot kemi arritur t’i gëzojmë. Për këtë jemi krenarë. E me këtë krenari të mbajmë edhe përgjegjësi për sfidat që kemi përpara. Ta duam kombin shqiptar me fuqinë hyjnore, të punojmë së bashku me fuqinë njerëzore për të ruajtur lirinë, për të forcuar paqen, demokracinë dhe stabilitetin, të punojmë së bashku për prosperitet dhe integrim, të jemi ndërtues të së ardhmes së begatë të kombit shqiptar”.
Burimi ATSH