
Rama: Mbështesim drejtësinë e re, ngremë zërin për standardet demokratike të proceseve
Në një videomesazh në rubrikën “Sy m’sy” në rrjetet sociale, kryeministri Rama iu përgjigj një komentuesi i cili i kërkoi të jepte dorëheqjen, duke mbajtur kështu përgjegjësi morale për rastet e zyrtarëve të ndjekur nga drejtësia.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “mbetemi të palëkundur në mbështetje të drejtësisë së re dhe reagimi ynë është: drejtësia të bëjë punën e vet në pavarësi të plotë dhe ne nuk bëjmë avokatinë e asnjë individi, por ama, tani ka ardhur koha të ngremë zërin për standardet demokratike të proceseve”.
Në një videomesazh në rubrikën “Sy m’sy” në rrjetet sociale, kryeministri Rama iu përgjigj një komentuesi i cili i kërkoi të jepte dorëheqjen, duke mbajtur kështu përgjegjësi morale për rastet e zyrtarëve të ndjekur nga drejtësia.
“Le t’i marrim pak me radhë. E para, populli besimin e tregon me votë dhe që kur erdha unë në këtë detyrë e deri më sot ma ka dhënë besimin nëntë herë. Të siguroj se do t’ma japë përsëri në 11 maj për të dhjetën herë dhe me rezultatin më të mirë nga të dhjeta herët. Pse kam unë këtë bindje? E kam këtë bindje pikërisht, sepse ky popull nuk mendon kështu, se unë duhet të jap dorëheqjen se udhëhoqa pavarësimin e drejtësisë dhe i hapa rrugën goditjeve në nivele të larta, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë nga vitit 1912 dhe deri kur me PS-në udhëhoqëm e realizuam Reformën në Drejtësi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se populli priste pikërisht këtë nga Reforma në Drejtësi, fundin e pandëshkueshmërisë, fundin e një drejtësie ku ligji kishte fuqi vetëm mbi më të dobëtit.
“‘Dolën të gjithë hajdutë’, thua ti, po jo, nuk janë kështu disa gjëra që duhet vërtetë t’i sqarojmë. E para, në tre mandate unë kam pasur nja 60 ministra dhe deri tani dy ministra të mandatit të parë janë dënuar. Një tjetër është në paraburgim, që mund të ndiqej fare mirë në gjendje të lirë, pra nuk është i dënuar dhe një tjetër, ish-zëvendëskryeministri ka marrë arratinë për t’i shpëtuar drejtësisë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se nga njëra anë, këto janë pasqyrë e një vullneti të hekurt politik për të mos penguar drejtësinë të bëjë punën e saj të pavarur, pa parë majtas e djathtas.
“Të jesh i bindur se pa këtë vullnet kjo nuk ndodhte kurrë. Dhe nga ana tjetër, me ligj dhe me zakonin e vjetër shqiptar ‘hajdut’ quhet dikush që dënohet me prova, jo dikush që dënohet dhe linçohet me gurë në pazar pa prova. E njëjta logjikë vlen edhe për nja 250 kryetarë bashkie e deputetë gjatë këtyre viteve. Disa të dënuar, vërtetë. Por të thuash të dolën të gjithë hajdutë është thjesht t’i bashkohesh korit të blegërimave të kopesë politiko-mediatike”, tha Rama.
Duke folur mbi përgjegjësitë, Rama kujtoi se ato janë individuale.
“Tani të vijmë te përgjegjësia. Mësoje nga unë se jeta është e gjatë dhe mund të të duhet. Edhe në një familje, le pastaj në një organizatë, në një parti, në një shtet të tërë, përgjegjësia e shkeljes së ligjit nuk është dot kolektive, është vetëm individuale”, tha Rama.
Ndërsa moralisht, kryeministri kujtoi se familja, organizata, partia, vetë qeveria mbajnë përgjegjësi për si reagojnë ndaj rastit kur dikush nga anëtarët e tyre shkel ligjin.
“Deri para se të bëhej Reforma në Drejtësi, reagimi ishte marrja në mbrojtje dhe pengimi me çdo mjet i drejtësisë dhe linçim publik i njerëzve të drejtësisë. Ata që duan ta kthejnë përmbys reformën janë ende mes nesh, përballe nesh, me përbetimin publik se në 11 maj, po u dhatë votën, do reagojnë duke e shkrirë fare SPAK-un. Natyrisht, s’kanë për të marrë votën dhe SPAKU-t s’kanë çfarë t’i bëjnë, fare”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se “mbetemi të palëkundur në mbështetje të drejtësisë së re dhe reagimi ynë është: drejtësia të bëjë punën e vet në pavarësi të plotë dhe ne nuk bëjmë avokatinë e asnjë individi, për rastin e vet konkret, por ama tani ka ardhur koha të ngrejmë zërin për standardet demokratike të proceseve”.
“Sepse pavarësia e drejtësisë shqiptare u arrit. Për herë të parë në histori, ndërsa drejtësia europiane që duam për Shqipërinë 2030 është një drejtësi, ku pavarësia nuk mundet kurrsesi të kthehet në asnjë rast në shqelm ndaj standardeve demokratike, lirive e të drejtave të çdo individi. Pavarësi, profesionalizëm dhe garanci kushtetuese e ligjore për çdokënd që hetohet e gjykohet, po kurrsesi nuk duhet të poshtërohet në pazar e të merret peng pa gjyq dhe të tërhiqet zvarrë nëpër kanalet e lumit mediatik dhe politik me nxitje dhe ushqim nga brenda burimeve të drejtësisë. Historia na i mëson të gjitha, mjafton të duam të mësojmë historinë. Dhe unë të ftoj të bësh atë që bëj unë, të mësosh historinë”, shtoi ai.
Burimi ATSH