
Siguria dhe multipolarizimi në vizionin kinez
Konferenca e Sigurisë e Mynihut (MSC) është cilësuar ndër vite si një platformë kyçe për dialogun mbi sigurinë globale dhe bashkëpunimin multilateral. Në vitin 2025, Kina e sheh MSC-në si një mundësi të rëndësishme për të promovuar një rend botëror multipolar, duke vënë në dukje rëndësinë e respektit të ndërsjellë, mosndërhyrjes dhe bashkëpunimit të përbashkët për përfitime të ndërsjella.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit(AIGS)
Tema e Konferencës së Sigurisë të Mynihut për këtë vit, multipolarizimi, thekson një tipar përcaktues të botës së sotme. Megjithatë, pyetja që ngrihet është: drejt çfarë lloj bote multipolare po shkojmë? A do të jetë një botë ku të fuqishmit bëjnë çfarë munden dhe të dobëtit vuajnë çfarë duhet, një botë ku ata që janë në pushtet veprojnë pa kufij, ndërsa të dobëtit janë të detyruar të pranojnë çfarë u jepet, apo do të kemi një botë ku, nëse nuk je në tryezë, je pjesë e menusë – pa asnjë mundësi për të ndryshuar fatin e një ose shumë kombeve?
Konferenca e Sigurisë e Mynihut (MSC) është cilësuar ndër vite si një platformë kyçe për dialogun mbi sigurinë globale dhe bashkëpunimin multilateral. Në vitin 2025, Kina e sheh MSC-në si një mundësi të rëndësishme për të promovuar një rend botëror multipolar, duke vënë në dukje rëndësinë e respektit të ndërsjellë, mosndërhyrjes dhe bashkëpunimit të përbashkët për përfitime të ndërsjella.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, mbajti një fjalim të rëndësishëm në sesionin “Kina në Botë”. Fjalimi i tij, i titulluar i “Kina: Një Forcë Konstruktive dhe e Qëndrueshme në një Botë në Ndryshim” ngjalli diskutime të gjera midis analistëve ndërkombëtarë. Një botë e tillë, si në titullin e fjalimit të Wang, nuk është vetëm një domosdoshmëri historike, por edhe një realitet i ri që po merr formë.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Mynihut(MSC)/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Qëndrimi i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë
Në një botë të karakterizuar nga trazira dhe transformime të vazhdueshme, Kina po pozicionohet si një aktor kyç në formësimin e një rendi të ri global. Ky ishte mesazhi qendror i fjalimit të mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kryediplomati kinez Wang Yi paraqiti një vizion të qartë dhe bindës për një botë ndryshe. Në këtë vizion, Kina bën thirrje për një sistem ndërkombëtar të ndërtuar mbi barazi, respekt për të drejtën ndërkombëtare, multilateralizëm dhe përfitim të ndërsjellë. Ndërsa dinamikat e fuqisë globale po ndryshojnë, Kina kërkon të vendoset jo vetëm si një forcë stabilizuese, por edhe si një aktor konstruktiv, përkushtuar bashkëpunimit dhe prosperitetit të përbashkët. Në thelb të fjalimit qëndronte koncepti i multipolarizimit, i cili shërben si një model për të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ministri pranoi pashmangshmërinë e ngritjes së një bote të tillë, një realitet që tashmë po merr formë ndërsa kombet në të gjithë botën përpiqen për pavarësi dhe pjesëmarrje të barabartë në arenën ndërkombëtare. Për Kinën, ky ndryshim nuk është thjesht një tendencë historike, por një evolucion i domosdoshëm i sistemit ndërkombëtar.
Një nga argumentet më të fuqishme të fjalimit ishte thirrja e Kinës për barazi si themel i së ardhmes që duam. Duke nxjerrë mësime nga pasojat katastrofike të rivaliteteve të fuqive të mëdha në të kaluarën, veçanërisht nga dy luftërat botërore, Wang theksoi se pabarazia dhe dominimi nga disa vende të fuqishme janë relikte të një epoke të kaluar. Në botën e sotme, të drejtat e barabarta, mundësitë e barabarta dhe rregullat e barabarta duhet të bëhen parimet udhëheqëse të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për vendet në zhvillim, zërat e të cilëve janë margjinalizuar historikisht në qeverisjen globale dhe vazhdojnë të margjinalizohen edhe sot. Qëndrimi i Kinës është i qartë: mbron përfshirjen dhe përfaqësimin e të gjitha vendeve, pavarësisht nga madhësia apo fuqia e tyre ekonomike.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Mynihut(MSC)/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Një mesazh tjetër kyç i fjalimit ishte rëndësia e respektimit të ligjit ndërkombëtar. Në një botë ku kaosi dhe konflikti shpesh lindin nga besimi se “e drejta është e të fortit,” Kina paraqitet si një mbrojtëse e vendosur e normave dhe parimeve ligjore. Wang theksoi se Karta e Kombeve të Bashkuara ofron kornizën themelore për menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në mënyrë të drejtë dhe të rregullt. Pa norma të tilla, sistemi global rrezikon të zhytet në rrëmujë, ku lufta për pushtet dhe veprimet unilaterale minojnë përparimin kolektiv.
Përkushtimi i Kinës ndaj ligjit ndërkombëtar nuk është thjesht retorik; ai mbështetet nga veprimet konkrete. Kina është anëtare e pothuajse të gjitha organizatave ndërqeveritare universale dhe ka nënshkruar mbi 600 konventa ndërkombëtare. Kjo tregon angazhimin e saj për të ndjekur rregullat e sistemit global dhe për t’u siguruar që të gjitha vendet, të mëdha apo të vogla, t’i përmbahen të njëjtave standarde. Duke theksuar rëndësinë e sovranitetit dhe integritetit territorial, fjalimi gjithashtu përforcon me takt qëndrimin e Kinës për çështje gjeopolitike të ndjeshme, ndërsa nënvizon përkushtimin e saj më të gjerë për stabilitet dhe rend.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, asnjë vend nuk mund të përballojë të qëndrojë vetëm. Wang kritikoi unilateralizmin dhe proteksionizmin, duke argumentuar se këto politika çojnë vetëm në ndarje dhe konflikt. Në vend të kësaj, Kina mbështet veprimin kolektiv përmes institucioneve multilaterale si OKB-ja, të cilat kanë ofruar një kornizë të rëndësishme për bashkëpunimin ndërkombëtar për pothuajse 80 vjet. Kina përherë e më shumë ka luajtur një rol proaktiv në nisma globale si Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike dhe ka kontribuar në buxhetin e rregullt të Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, Kina ka propozuar disa nisma globale, duke përfshirë Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën për Sigurinë Globale, të cilat synojnë përmirësimin e qeverisjes globale dhe adresimin e çështjeve të ngutshme globale. Këto përpjekje pasqyrojnë besimin e Kinës në fuqinë e veprimit kolektiv dhe gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësi në avancimin e përparimit global.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Mynihut(MSC)/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Aspekti më i orientuar nga e ardhmja i fjalimit ishte vizioni i Kinës për një ekonomi globale të hapur dhe me përfitime të ndërsjella. Ministri Wang argumentoi se zhvillimi është çelësi për zgjidhjen e shumë problemeve të botës dhe se proteksionizmi dhe shkëputjet janë kundërproduktive. Të gjitha vendet duhet të kenë mundësinë të zhvillohen së bashku, me globalizimin ekonomik si motor i prosperitetit të përbashkët. Rritja ekonomike e Kinës është një shembull i fuqishëm i përfitimeve të hapjes dhe bashkëpunimit. Me një normë rritjeje të PBB-së prej 5% vitin e kaluar, Kina kontribuoi në gati 30% ekonominë globale. Tregu i saj, një nga më të mëdhenjtë në botë, ka ofruar mundësi për biznese dhe kombe në të gjithë globin. Fjalimi gjithashtu theksoi gatishmërinë e Kinës për të bashkëpunuar me fuqi të tjera ekonomike, si Bashkimi Evropian, për të arritur qëllime të përbashkëta zhvillimore.
Kina dhe bota në tavolinën e diskutimeve në Mynih
Patjetër që në një takim të nivelit të tillë do të flitej dhe komentohej për marrëdhëniet midis fuqive të mëdha dhe problemeve akute dhe aktuale të botës. Marrëdhëniet Kinë-ShBA janë gjithmonë në qendër të vëmendjes, dhe në Mynih ishte e sigurt që do ishin në agjendë. Për ministrin Wang, Kina dhe ShBA-ja nuk duhet të hyjnë në konflikt, përndryshe bota do të vuajë. Sistemet e ndryshme shoqërore të Kinës dhe ShBA-së pasqyrojnë zgjedhjet e popujve të tyre përkatës dhe është joreale të kërkosh transformimin ose përmbysjen e njëri-tjetrit. Respekti i ndërsjellë është premisa për ndërveprimet Kinë-ShBA. Kina është e gatshme të ndërtojë një marrëdhënie dypalëshe të shëndetshme dhe të qëndrueshme dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin e saj kombëtar, dinjitetin dhe të drejtat legjitime të zhvillimit. Ky angazhim shërben gjithashtu për të mbështetur drejtësinë ndërkombëtare dhe për të ruajtur normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, tha Wang.
“Kinezët nuk kanë besuar kurrë në besëtytni dhe nuk kanë frikë nga fantazmat. Kina e re është zhvilluar dhe rritur mes tejkalimit të vështirësive dhe pengesave të ndryshme,” tha Wang. Një thënie e vjetër në Kinë thotë: “Ndërsa natyra ndryshon fuqishëm, një njeri me virtyt duhet të përpiqet vazhdimisht për të forcuar veten”. Ministri i Jashtëm citoi edhe të tjera thënie të lashta kineze ndërsa fliste për marrëdhëniet ShBA-Kinë me kryetarin e konferencës, diplomatin gjerman Christoph Heusgen. Duke shfaqur pak humor Wang tha së këto fjalë të urta kineze nuk janë të thjeshta për tu përkthyer “por pa problem, mund ti drejtoheni Deepseek për ndihmë” – tha ai. Me këtë start-up kinez DeepSeek dhe modelin e tij të inteligjencës artificiale (AI) që tronditi sektorin global të teknologjisë, kryediplomati kinez u duk se shfrytëzoi mundësinë për të promovuar dhe natyrisht për të qenë krenar se ky model kinez tashmë është prezent në mbarë botën.
Kina ka besim në të ardhmen e botës, si dhe në të ardhmen e marrëdhënieve Kinë-SHBA. Tre janë parimet – respekt reciprok, bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunim të favorshëm – janë edhe pritshmëria më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare. Administrata e re amerikane po riformëson marrëdhëniet e saj me botën, gjë që mund të jetë një mundësi për Kinën dhe ShBA-në për të eksploruar hapësirën për bashkëpunim të mëtejshëm. Shpresohet që Pekini dhe Washingtoni, në këtë periudhë përshtatjeje, të mund të diskutojnë më shumë për interesat e përbashkëta
NATO dhe Kina kanë vepruar historikisht në sfera të ndryshme territoriale dhe gjeopolitike, por në Mynih takimi i Wang me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, në kuadër të MSC-së shpalosi edhe disa pika të rëndësisë së veçantë. Wang Yi shpreson që NATO-ja të ndjekë një politikë pozitive e të përgjegjshme ndaj Kinës dhe shprehu shpresën që Rutte ta inkurajojë NATO-n të mbajë një qëndrim racional dhe pragmatik ndaj Pekinit. Të dyja palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi krizën në Ukrainë. Rutte theksoi se NATO-ja i kushton një rëndësi të madhe ndikimit dhe rolit të Kinës dhe shpreson që Kina të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë sa më shpejt.
Nga ana tjetër, duke qenë në Gjermani, marrëdhëniet Kinë-BE nuk mund të liheshin pa u prekur. “Ndërmjet Kinës e BE-së nuk ka konflikte të thella interesi apo përplasje gjeopolitike,” theksoi Wang, gjatë një takimi me përfaqësuesen e lartë për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë të BE-së Kaja Kallas. Ai u shpreh më tej që si Kina, ashtu edhe BE-ja mbeten të përkushtuara ndaj multilateralizmit, mbrojnë statusin qendror të OKB-së, besojnë se çështjet ndërkombëtare duhet të trajtohen nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe kundërshtojnë çdo formë ngacmimi. Kina shfaqet dinjitoze në këtë konferencë pasi duket qartë që kemi të bëjmë me një marrëdhënie shumë më të përmirësuar me Evropën.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Mynihut(MSC)/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Së fundmi, në kontrast me këtë kaos në rritje, Kina shquhet me një vizion të qartë për një botë multipolare më të drejtë dhe pati mundësinë të paraqitet si një shtet i arsyeshëm, një fuqi e matur. Në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, ministri i jashtëm Wang Yi theksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë për të gjitha kombet, pavarësisht madhësisë, dhe nënvizoi nevojën për të respektuar ligjin ndërkombëtar për të parandaluar çrregullimin. Kina ka ndërmarrë hapa konkrete drejt ndërtimit të një rendi të tillë botëror. Duke qenë e njohur për qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e saj, Kina ofron siguri në një botë të pasigurt dhe vazhdon të pozicionohet si një forcë konstruktive në këtë transformim global, duke u angazhuar për një bashkëpunim më të thellë dhe të përbashkët në përballjen me sfidat ndërkombëtare.
Burimi CGTN