
Thaçi në Hagë, Grenell e quan padrejtësi, Rama: Absolutisht, njollë mbi organin e drejtësisë ndërkombëtare
Rama ndau në rrjetet sociale mesazhin e të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sa më shumë të vazhdojë mbajtja në paraburgim në Hagë e Hashim Thaçit, “aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”.
Rama ndau në rrjetet sociale mesazhin e të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, i cili u shpreh se “presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë dhe jo pas hekurave në Hagë”.
“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”, shkruan Rama, ndërsa ndan mesazhin e Grenell.
Ndërsa uroi 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Grenell u shpreh se ish-presidenti Hashim Thaçi po mbahet padrejtësisht në Hagë.
“Ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, ka shkruar Grenell në rrjetin social X.
Sipas tij, institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund asaj që ai e cilëson “padrejtësi”.
“Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në pesë vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha Grenell në X.
Burimi ATSH