
Vota e diasporës, Kuvendi miraton me 108 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Kuvendi miratoi me vota 108 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër

Kuvendi miratoi sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.
Kuvendi miratoi me vota 108 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.
Pika më e rëndësishme e këtyre ndryshimeve është që diaspora nuk do të paguajë asnjë lek për votën. Të paktën për këto zgjedhje, shteti do të paguajë edhe koston e kthimit të votës së diasporës në Shqipëri. Ndryshimet do futen menjëherë në fuqi dhe pritet të alokohet edhe fondi që do të mbulojë pagesën për kthimin e votës se diasporës.
Propozimi i PD që të votojnë edhe ata emigrantë me dokumente të huaja nuk ishte pjesë e këtij drafti, por kërkesa do t’i kalojë Komision Rregullator të KQZ, nëse do mundet të gjejë zgjidhje.
Me ndryshimet e reja, afrohen afatet për regjistrimin e partive e kandidatëve më 12 mars nga 22 mars që ishte më parë, me qëllim që KQZ të prodhojë më shpejt fletën e votimit, për ta dërguar në kohë në diasporë.
PD ka arritur një prej kërkesave të saj, që vota e diasporës që do të mbërrijë në KQZ të mos numërohet nga komisionerë, por nga anëtarë të zgjedhur nga vetë politika. Komisioni për numërimin e votës së diasporës do përbëhet nga 4 anëtarë dhe Sekretari që emërohen nga KQZ.
Dy prej anëtarëve propozohen nga shumica parlamentare dhe dy nga pakica, ndërkohë që sekretari i komisionit do përzgjidhet në bazë të aplikimeve të lira në KQZ, por duhet me patjetër të jetë në profesion jurist.
Kuvendi miratoi edhe një pikë të kërkuar nga KQZ, për të ndryshuar afatet e ankimimit në gjykatë për votuesit nga Diaspora që kërkojnë regjistrimin në listën zgjedhore. Ndryshimet e reja përcaktojnë një afat kohor “deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve” për ankimimin në gjykatë të votuesve nga jashtë, nga afati 7 ditor që ishte më parë.
Po ashtu, iu hap rrugë edhe dy ndryshime të tjera, rritja e tavanit të financimeve dhe koha e reklamave televizive gjatë fushatës. PD propozoi në Komisionin e Ligjeve që të ketë më shumë hapësirë televizive për kandidatët në listë të hapur në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për të bërë fushatë. Dhe me ndryshimet që u futën në fuqi menjëherë, koha për kandidatët që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta.
Nga ana tjetër me propozim të PS, ndryshoi edhe financimi i partive politike. “Shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, pa përfshirë kandidatët e tij, për fushatën zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 5 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 88 të këtij ligji”, thuhet në draftin e miratuar.
Ndërkohë, kandidatët e partive politike mund të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në 3 milionë lekë të rinj.
Kjo është dakordësia e dytë që arrihet mes PS dhe PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pas atyre të korrikut 2024.