
Begaj: Dëshmorët e luftës në Kosovë, ura mes një ëndrre dhe realitetit të sotëm
Presidenti Bajram Begaj, gjatë vizitës në Kosovë për 17-vjetorin e Pavarësisë, mori pjesë edhe në ceremoninë që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti me rastin e dekorimit të figurave me kontribut në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Presidenti Bajram Begaj, gjatë vizitës në Kosovë për 17-vjetorin e Pavarësisë, mori pjesë edhe në ceremoninë që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti me rastin e dekorimit të figurave me kontribut në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, ku kujtoi momentet e vështira të Kosovës, bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha trevat, dhe nderoi dëshmorët e lirisë, Begaj tha se “kjo ditë na mbush me krenari, respekt dhe reflektim”.
“Krahas figurës legjendare të Komandantit Adem Jashari, Zahir Pajazitit e shumë të tjerëve, po aq krenarë jemi edhe për Indrit Carën apo “Ushtar Kavajën”, Tahir Sinanin, Skerdilajd Llagamin dhe shumë dëshmorëve të tjerë nga të gjithë trevat e Shqipërisë që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, theksoi Begaj.
Duke iu referuar aktivizimit në Shqipëri të atdhetarëve në stërvitjen e grupeve të para të luftëtarëve me në krye Adem Jasharin, Presidenti Begaj, vlerësoi se ky moment dëshmoi shpirtin e shqiptarëve dhe ndërgjegjen kombëtare.
“Ata nuk pyetën për rreziqet, vepruan, sepse ndihma për vëllanë është zgjedhje e natyrshme. Ata u përgjigjën siç i është përgjigjur gjithmonë Shqipëria- Kosovës dhe Kosova thirrjes së Shqipërisë. Asokohe ata u bënë ura mes një ëndrre dhe një realiteti të sotëm”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “Shqipëria ka kontribuar dhe do të kontribuojë gjithmonë për Kosovën, sepse kështu na thotë ndërgjegjja jonë kombëtare”.
Kreu i Shtetit theksoi se fakti që shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresorë përgjatë historisë, nuk i bën të dobët apo të pafuqishëm.
“Shqiptarët gjithmonë kanë mbrojtur të drejtën, kanë mbrojtur lirinë dhe vlerat Euroatlantike. E ardhmja jonë është e përbashkët: Nuk ka Shqipëri të fuqishme pa Kosovën e fortë, nuk ka Kosovë të sigurt pa një Shqipëri të qëndrueshme dhe të zhvilluar”, deklaroi Begaj duke theksuar të ardhmen e përbashkët drejt Evropës, bazuar e cilësuar atë përkatësi të natyrshme shpirtërore, kulturore, në vlera e parime.
Nderimi i veprës së atdhetarëve, sipas Presidentit, përcjell mesazhe të rëndësishme për të ardhmen.
“Jemi bashkë, do të mbetemi bashkë, do të ecim përpara bashkë. Historia na ka vënë përpara sfidave të mëdha, por ne kemi ditur gjithmonë të triumfojmë. Objektivi ynë mbetet i pandryshueshëm: një Shqipëri e Kosovë demokratike dhe moderne, një komb i fortë që njeh vetëm zhvillim, integrim dhe prosperitet”, tha Begaj.