
Rama: Misioni im – Shqipëria në BE
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama tha synimi i tij është vendosja e emrit “Albania” në tryezën e familjes së përbashkët europiane.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se ulja e Shqipërisë në tryezën e Këshillit Europian si anëtare me të drejta të barabarta është misioni i tij, ndërsa shtoi se “e vetmja punë që di të bëjë ‘Bufi i kënetës’ është të sakatojë dhe të bëjë pis vendin”.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama tha synimi i tij është vendosja e emrit “Albania” në tryezën e familjes së përbashkët europiane.
“Ndaj, unë jam këtu, rri këtu, dua mandatin e katërt. Nuk kam unë asnjë gjë tjetër në kokë përveç një gozhde që e kam qysh ditën e parë që kam marrë të përpjetën duke sfiduar ish- kryetarin e PS-së dhe mikun tim të kahershëm dhe të përhershëm Fatos Nano, duke marrë lidershipin e PS-së, duke sfiduar ‘Bufin e kënetës’ dhe duke e lënë në gjithë ‘kënetën’ e vet në mjerimin e vet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ka këmbëngulur për këtë vizion pavarësisht të gjithë llumit, baltës, gurëve dhe poshtërsive që ka përjetuar dhe i janë bërë familjes së tij.
“Është vetëm një fotografi me të cilën zgjohem dhe fle, fotografia që dua ta bëj dhe postoj këtu në Facebook duke ju thënë: Misioni u përmbush! Ku do të jetë e shkruar ‘Albania’ në tryezën e Këshillit Europian, aty ku do të ulemi për të mos u ngritur më, të barabartë mes të barabartëve. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu dhe këto të tjerat pastaj mund t’i thonë të gjithë por nuk kanë lidhje fare me ne. O e bëj unë me PS-në, ose kjo nuk bëhet. Kë do të çonit të flasë me ta, të ulet si i barabartë me ta, që t’u tregojë atyre se kush janë shqiptarët dhe Shqipëria: ‘Bufin e kënetës’, apo ato kuak-kuak-kuaket, që e vetmja punë që dinë të bëjnë është të sakatojnë e bëjnë pis vendin e tyre?!”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH