
Ja si po fuqizohet ekonomia private në Kinë. Ekonomia kineze ecën e sigurt në epokën e re me anë të krijueshmërisë, inovacioneve dhe cilësisë
Presidenti i Kinës, Xi Jinping (njëkohësisht edhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak) mori pjesë ditën e hënë, 17 shkurt 2025, në një simpozium organizuar për ekonominë private të Kinës.

Nga Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
***
“Sipërmarrjet private dhe sipërmarrësit duhet të përqafojnë sipërmarrjen dhe patriotizmin, të fokusohen në forcimin, optimizimin dhe zgjerimin e bizneseve të tyre dhe të jenë kontribuues të fortë në ndërtimin e socializmit me karakteristika kineze dhe avancimin e modernizimit kinez.”
Xi Jinping
Presidenti i Kinës, Xi Jinping (njëkohësisht edhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak) mori pjesë ditën e hënë, 17 shkurt 2025, në një simpozium organizuar për ekonominë private të Kinës.
Foto nga Xinhua
Në këtë takim shumë të rëndësishëm për ecurinë dhe të ardhmen e sektorit privat në Kinë, Xi Jinping theksoi se “Kina angazhohet për zhvillim të shëndetshëm dhe cilësor të ekonomisë private dhe se edhe më shumë përpjekje do të bëhen për të promovuar këtë zhvillim”. Në fjalën e tij ai theksoi qëndrimin e palëkundur si për konsolidimin dhe zhvillimin e sektorit publik, ashtu dhe inkurajimin dhe mbështetjen paralele për zhvillimit të ekonomisë jo-publike, duke theksuar se në Kinë garantohet që të gjitha subjektet ekonomike në pronësi të ndryshme të kenë akses të barabartë në dhe për faktorët e prodhimit sipas ligjit, duke konkurruar në treg me barazi dhe në mbrojtje të barabartë përpara ligjit. Kina do thellojë edhe më tej hapjen në të gjitha aspektet, duke shfrytëzuar padyshim edhe mundësitë e jashtëzakonshme që ofron një treg super gjigant prej 1.4 miliardë banorësh, në një vend si Kina që zgjeron në mënyrë të vazhdueshme perspektivat për zhvillimin e ekonomisë private.
Në fjalën e tij, Presidenti i vendit ftoi sipërmarrësit e sektorit privat të japin kontributet e tyre në (1) promovimin e risive tekniko-shkencore, (2) kultivimin e forcave të reja prodhuese cilësore, (3) ndërtimin e një sistemi industrial modern, (4) nxitjen e gjithanshme të rigjallërimit rural, (5) forcimin e zhvillimit të koordinuar rajonal, si dhe (6) mbajtjen e duhur të përgjegjësive shoqërore, duke nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe me cilësi të lartë të këtij sektori në vend.
Sipas tij, “epoka e re ka ofruar mundësi të reja të bollshme dhe hapësirë më të madhe për zhvillimin e sektorit privat, përballë të cilit ka sfida dhe vështirësi, që tejkalohen me (1) besim në të ardhmen, (2) duke çmontuar pengesat që i pengojnë ndërmarrjet të aksesojnë faktorët e prodhimit në mënyrë të barabartë dhe të konkurrojnë në treg në mënyrë të drejtë, (3) duke hapur më tej zonat konkurruese të infrastrukturës për subjektet e ndryshme të biznesit në mënyrë të drejtë, (4) duke bërë vazhdimisht përpjekje solide për të adresuar vështirësitë me të cilat përballen ndërmarrjet private në marrjen e financimit të përballueshëm, (5) duke mbrojtur në mënyrë efektive të drejtat dhe interesat e ligjshme të ndërmarrjeve private dhe sipërmarrësve, kjo, në përputhje me ligjin.
Foto nga Xinhua
Në këtë simpozium morën pjesë edhe Li Qiang (anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të CPC dhe kryeministër), Ding Xuexiang (anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të CPC dhe zëvendëskryeministër), Wang Huning (anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez) dhe kjo prani në këtë veprimtari tregon rëndësinë shumë të madhe që ka zhvillimi i sektorit privat në vend, zhvillim për të cilin partia në pushtet dhe qeveria kineze i kushtojnë rëndësi shumë të madhe, si një nga shtyllat e rëndësishme të zhvillimit të shëndetshëm dhe cilësor të ekonomisë kombëtare.
Presidenti Xi Jinping, në këtë takim, bisedoi me dhjetra sipërmarrës, përfaqësues të një numri të madh biznesesh të njohura private kineze, që operojnë brenda dhe jashtë vendit, një pjesë e madhe e të cilëve janë edhe themelues e pronarë të ndërmarrjeve më të suksesshme private kineze, që gëzojnë famë botërore si Ren Zhengfei (përfaqësues i gjigantit të telekomunikacionit Huawei Technologies), Wang Chuanfu (përfaqësues i prodhuesit të makinave elektrike BYD), Liu Yonghao (përfaqësues i prodhuesit të ushqimit të kafshëve New Hope’s), Yu Renrong (përfaqësues i prodhuesit të gjysëmpërçuesve Will), Wang Xingxing (përfaqësues i kompanisë Robotika Unitree), Lei Jun (përfaqësues i prodhuesit të smartfonëve Xiaomi), etj, të cilët morën fjalën në këtë takim të veçantë dhe i parashtruan kreut të shtetit mendimet dhe idetë e tyre për zhvillimin e ekonomisë private të vendit dhe së bashku me ta ishin edhe Pony Ma (përfaqësues i gjigantit të lojërave dhe mediave sociale Tencent), Jack Ma (përfaqësues i gjigandit të tregtisë elektronike Alibaba), Liang Wenfeng (përfaqësues i kompanisë së inteligjencës artificiale, një yll në rritje i sektorit privat kinez, AI DeepSeek), etj. Këto kompani dhe shumë të tjera po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe po drejtojnë inovacionin teknologjik të Kinës.
Foto nga Xinhua
Një nga përfaqësuesit e Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës (NDRC) theksoi një ditë pas kësaj veprimtarie se “ndërmarrjet private do mbështeten që të japin kontribute në strategjitë kryesore kombëtare, të rrisin kapacitetet e sigurisë në fushat kryesore, të marrin pjesë në përmirësimet e pajisjeve në shkallë të gjerë si dhe të marrin pjesë në programet e tregtisë së mallrave të konsumit. Gjithashtu, nga ky komision u premtua se do rishikohen e publikohen procedurat për aksesin në treg, do vazhdojnë përpjekjet për të siguruar akses të drejtë të sektorit privat në sektorin e infrastrukturës, kërkimin shkencor dhe do intensifikohen masat rregullatore dhe ndëshkimore për praktikat e pandershme të biznesit, si dhe do adresohen me seriozitet edhe aspektet e pagesave për ndërmarrjet private.
Sektori privat në Kinë gëzon perspektiva të gjera dhe potencial të madh në rrugëtimin e ri në epokën e re dhe është pikërisht momenti që ndërmarrjet private dhe sipërmarrësit t’i japin hapësirë të plotë aftësive të tyre, për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe cilësor të sektorit privat. Sipas Administratës Shtetërore për Rregullimin e Tregut të Kinës, numri i subjekteve të biznesit privat në Kinë kishte tejkaluar 180.86 milionë deri në fund të shtatorit të vitit 2024, duke përbërë 96.37% të totalit të subjekteve të biznesit të vendit dhe luan një rol kyç në drejtimin e përpjekjeve të Kinës për inovacion, duke kontribuar më shumë se 92 për qind të ndërmarrjeve të teknologjisë së lartë, duke përbërë një forcë shumë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kinës dhe specifikisht në aspektet e zhvillimit teknologjik. Sektori privat kinez kontribuon në 48.6% të tregtisë së jashtme, 56.5% të investimeve të aktiveve fikse, 59.6% të të ardhurave tatimore, me mbi 60% të PBB-së, me mbi 70% të inovacioneve teknologjike dhe në më shumë se 80% të punësimit urban.
Aplikacioni kinez i inteligjencës artificiale, Deepseek/VCG
Përparimet e ekonomisë private në Kinë, veçanërisht në fushën tekniko-shkencore, janë të dukshme dhe kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e shpejtë të vendit. Sektori privat ka luajtur një rol të rëndësishëm në inovacion, teknologji dhe zhvillimin e industrive të reja. Tre arsyet kryesore të suksesit të ekonomisë private në Kinë janë promovimi i (1) inovacionit dhe teknologjisë, (2) zhvillimi i infrastrukturës dhe industrive dhe (3) politikat e favorshme qeveritare. Në lidhje me perspektivën e sektorit privat në Kinë, padyshim ekonomia e Kinës, një nga liderët e ekonomisë botërore, e orientuar dukshëm drejt inovacionit dhe zhvillimit të teknologjisë, i hap sektorit privat padyshim një perspektivë të madhe për rritje dhe zhvillim, sepse mundësitë për mbështetjen e sektorit privat me burime natyrore, financiare dhe njerëzore janë të panumërta, Padyshim që në këtë aspekt ndikojnë në një masë shumë të madhe edhe epërsitë e sistemit ekonomik të Kinës, ndër të cilat mund të përmendim (1) integrimi i ekonomisë shtetërore dhe private, (2) rregullimin e mbështetjes nga ana e shtetit, (3) lehtësimet e vazhdueshme për pronësinë private dhe sektorin privat në vend. Gjithashtu edhe politikat e nxitjes së rritjes së konsumit të brendshëm kanë kontribuar në mënyrë të dukshme në forcimin e sektorit privat dhe në ndihmën që i është dhënë zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SMEs), si motorë të rëndësishëm të inovacionit dhe punësimit.
Foto nga Xinhua
Si rezultat ekonomia private në Kinë ka arritur të zhvillohet me shpejtësi, duke shfrytëzuar mundësitë që i janë ofruar nga politikat mbështetëse të qeverisë dhe integrimi me sektorin shtetëror. Ky sistem ka krijuar një ambient shumë të favorshëm për rritje dhe konkurrencë, duke i mundësuar ekonomisë kineze të ecë përpara në një treg global të ndërvarur, ku ekonomia e Kinës gjithmonë e më shumë po luan një rol përherë e më të rëndësishëm.
Ja disa nga gjigantët e sektorit privat kinez, përfaqësuesit e të cilëve ishin të pranishëm në këtë veprimtari:
1. Huawei Technologies, lider global në telekomunikacion, elektronikën e konsumit dhe shërbimet IT. Kompania ka qenë në krye të revolucionit të teknologjisë 5G dhe vazhdon të inovojë në AI, në informatikën cloud dhe në rrjetëzimin e ndërmarrjeve, pavarësisht sfidave gjeopolitike.
2. BYD, lider global në automjetet elektrike (EV) dhe zgjidhjet e energjisë së rinovueshme. Kompania ka bërë përparime të dukshme në teknologjinë e baterive dhe infrastrukturën EV, duke luajtur një rol kyç në tranzicionin e energjisë së gjelbër të Kinës, me zgjerimin e partneriteteve globale.
3. Will, i specializuar në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e qarqeve të integruara, veçanërisht në zgjidhjet e gjysmëpërçuesve të energjisë. Themeluar në vitin 2008, kompania e vendosi shpejt veten si një lojtare kyçe në industrinë globale të gjysmëpërçuesve, duke ofruar produkte për një gamë të gjerë aplikimesh, përfshirë elektronikën e konsumit, automobilat dhe sektorët industrialë. Angazhimi i kompanisë ndaj avancimit teknologjik dhe partneriteteve strategjike, e ka ndihmuar atë të njihet si një kontribuues jetik në sektorin në rritje të gjysmëpërçuesve të Kinës.
Robotë të Unitree në ekspozitë, qytet Nankin, provincë Jiangsu, Kinë Lindore, dhjetor 2024/VCG
4. Unitree fitoi vëmendje këtë vit gjatë Gala-së së Festës së Pranverës të CMG-së, ku robotët e saj të fuqizuar nga AI, të pajisur me njohje të avancuar të të folurit dhe AI emocionale, performuan drejtpërdrejt në skenë. Robotika Unitree është një lider në zgjidhjet e AI, të dhënat e mëdha dhe Internetin e Gjërave (IoT), duke u fokusuar në qytetet inteligjente, sigurinë dhe kujdesin shëndetësor.
5. Xiaomi, themeluar në vitin 2010, prodhues dhe lider kryesor në tregun e IoT-ve. Ekosistemi i gjerë i pajisjeve të lidhura të kompanisë, ka kontribuar ndjeshëm në industrinë e shtëpive inteligjente ndaj ajo mban pozitën e tretë globalisht në tregun e smartfonëve.
6. Alibaba Group, një nga konglomeratet më të mëdha në botë të tregtisë elektronike dhe teknologjisë, me operacione që përfshijnë tregtinë elektronike (Taobao, Tmall), informatikën cloud (Alibaba Cloud) dhe pagesat digjitale (Alipay). Kohët e fundit, përparimet e Alibabas në kompjuterin cloud dhe AI, kanë zgjeruar ndikimin e saj global, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë digjitale të Kinës. Kompania do të partnerizohet me Apple, për AI-në e iPhoneve të shitura në tregun kinez, duke bërë që aksionet e listuara në Hong Kong të gjigantit të teknologjisë kineze, të rriten mbi 9% brenda maksimumi tre viteve.
7. Tencent, themeluar në vitin 1998, një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë në Kinë, e njohur për dominimin në mediat sociale, lojërat dhe shërbimet digjitale. WeChat, produkti kryesor i Tencent, ka mbi një miliard përdorues dhe kompania është një lider global në lojërat me tituj si Honor of Kings dhe PUBG Mobile.
8. Deepseek, kompani inovative kineze e specializuar në analizën e të dhënave dhe teknologjitë e kërkimit të drejtuar nga AI. Kompania lançoi së fundmi DeepSeek-1, një model i madh gjuhësor (LLM) që ka tërhequr vëmendje globale për aftësitë e avancuara në përpunimin e gjuhës natyrore dhe analitikën parashikuese, duke forcuar pozicionin e saj si një lojtare e shquar në peizazhin e AI.
Burimi CGTN