Rama: Një drejtësi e çalë profesionalisht mund të kthehet në një kërcënim për demokracinë

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” duke iu përgjigjur qytetarëve në rrjetet sociale, ka folur sërish për sistemin e drejtësisë në vend.


Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” duke iu përgjigjur qytetarëve në rrjetet sociale, ka folur sërish për sistemin e drejtësisë në vend.

“Ke 12 vite por akoma nuk ke zgjedhur, duhet të mbrosh ministra të korruptuar duke sulmuar Drejtësinë, apo do të ulësh kokën përpara saj duke respektuar pushtetet e pavaruara?”, ishte pyetja e një qytetari në rrjetet sociale drejtuar kryeministrit.

Kreu i qeverisë iu përgjigj se “a thua vërtetë kam unë 12 vite që nuk kam bërë një zgjedhje të qartë, apo ti i dashur, Gjergj bashkë me këdo që mendon si ti, duhet t’i mbani parasysh disa gjëra që mua më duken të thjeshta”.

“E para, po të mos e kisha bërë unë zgjedhjen e qartë, jo 12, po 16 vite më parë për të luftuar për një drejtësi të pavarur – kjo që sheh sot, ka qenë e shkruar në programin tonë që kur ishim në opozitë – atëherë do të vazhdonte të ishte ende e paimagjinueshme që drejtësia të godiste majtas e djathtas deri fare lart, ashtu siç ka qenë e paimagjinueshme 100 e kusur vite, apo jo, që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe deri kur ne bëmë Reformën në Drejtësi, duke i hyrë këtij deti në këmbë, në një vend ku kurrë, kurrë një person i lidhur me pushtetin politik nuk ka shkuar para drejtësisë.

E dyta, nuk e di unë çfarë ke parë kur thua “sulme ndaj Drejtësisë”, po nëse e ke për ato që unë kam thënë lidhur me ndalimin pa gjyq të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, atëherë kemi nevojë që të sqarohemi përsëri”, u shpreh Rama.

Rama tha se “të kërkosh standardet demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër për të zgjedhurit nga populli në krye të bashkisë së kryeqytetit, që merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur akoma i pandehur, e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë; të kërkosh që drejtësia e re të kuptojë se qëllimi i lartë nuk i justifikon në asnjë mënyrë mjetet e ulëta, nuk është sulm ndaj drejtësisë, por është detyrim. Është detyrimi ynë për të ngritur zërin, sepse ky është një ndër kushtet themelore të Shqipërisë 2030 në BE: Një vend ku sundon ligji dhe ku drejtësia jep vetëm drejtësi dhe nuk bën padrejtësi”.

“Prandaj kur ka probleme standardesh demokratike në një proces të drejtësisë, këtë jo mund dhe duhet ta themi tanimë, po edhe do ta themi sa herë që të jetë e nevojshme, do ta themi me kokën lart dhe do ta themi me zërin plot”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se heshtja ndaj vendimeve të drejtësisë ishte strategjike për të garantuar një atmosferë ku institucionet e drejtësisë të veprojnë të pavarura nga intimidimi politik.

“Ne heshtëm, heshtëm totalisht 5 vjet rresht, 5 vjet e më shumë madje, jo se nuk pamë probleme, jo se nuk u skandalizuam në ndonjë rast apo se nuk e patëm ndjeshmërinë ndaj një trysnie që ka shkuar hera-herës deri në absurd mbi punonjësit e administratës, por ne heshtëm strategjikisht, heshtëm për të garantuar një atmosferë, ku pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej, në një vend ku drejtësia s’ka pasur kurrë, kurrë, pavarësi dhe ku norma ka qenë intimidimi dhe marrja në kontroll e saj nga pushteti politik”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se “tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë – kur thotë populli – madje është qartësisht burimi i një vetëbesimi të Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale, ne do të flasim për forcimin e demokracisë dhe do të jemi kritikë sa herë që nga drejtësia të shkelen standardet demokratike, sepse një drejtësi e pavarur, një drejtësi profesionale, një drejtësi garante e lirive dhe e të drejtave kushtetuese të kujtdo, pa përjashtim, është thelbi i një demokracie të fortë evropiane. Ndërsa një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë”.

“E di ti, Gjergj, ku ndryshon një gjyq në diktaturë, në autokraci apo një gjyq në demokraci? Në autokraci prokurori dhe gjykatësi janë një, një trup i vetëm kundër të akuzuarit, ndërsa në gjyqin demokratik, jo vetëm janë të ndarë, por gjykatësi është mbi palët dhe të akuzuarit dhe akuzuesit janë tërësisht të barabartë para ligjit dhe para gjykatësit”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “nëse kjo premisë themelore nuk respektohet dhe nëse ka shenja që thonë se abuzimi me pavarësinë e pushtetit të drejtësisë mund të bëhet një rrugë pa siguri juridike në trupin e shoqërisë, atëherë problemi nuk është më thjesht i atyre që keqtrajtohen direkt nga një pushtet që fryhet me vetveten, por është një problem për vendin, është një problem për shoqërinë dhe si i tillë është patjetër dhe i imi si kryeministër, por edhe i yti si qytetar, jo që ta sulmojmë, por që ta kritikojmë dhe ta ndihmojmë drejtësinë të demokratizohet, të forcohet, të konsolidohet si garante e rendit ligjor, si garante e barazisë së të gjithëve para ligjit, jo duke bërë ne, prokurorin e gjykatësin e prokurorëve dhe gjykatësve, po ama duke vënë gishtin tek problematika e patolerueshme e cenimit të standardeve dhe duke nxitur të gjitha reflektimet përkatëse; jo duke marrë ne anën e të akuzuarve për pretendimet e prokurorit dhe të gjykatësit, por duke mos heshtur kur këta të fundit e tejkalojnë kornizën e ligjit me galloshet e Maliqit dhe prokurorë e gjykatës bëhen një galloshe e vetme, si në diktaturë apo në autokraci, jo largqoftë në asnjë mënyrë duke shkrirë SPAK-un apo duke kërcënuar SPAK-un, të cilin duhet ta mbrojmë medoemos në radhë te parë nga bufi dhe nga llumi i kënetës, edhe me votën tonë në 11 maj, por patjetër dhe nga rreziku i hyrjes së vetes në qejf kur i thonë fjalës, duke luftuar të gjithë bashkë ama, paralelisht për rritjen e standardit të drejtësisë dhe për një triumf të aspiratës për një drejtësi evropiane në 11 maj”.

“Tani, i dashur Gjergji, dështova apo nuk dështova unë të bëj shtet, këtë ia lëmë këtyre pak viteve që kemi përpara, sepse në këto vite përpara, unë do të bëj atë çmosin e madh që Shqipëria të ngjitet në majën e Bashkimit Evropian e nëse ngjitet, do të ngjitet vetëm sepse ka bërë shtet, se ndryshe asaj maje as nuk i qasesh dot. Tani zgjedhja nuk ka qenë kurrë më e qartë: O me mua në Evropë, o me “bufin e kënetës” prapë atje në gropë!” e përmbylli Rama reagimin.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Drejtësinë e pavarur nuk e solli Amerika, është fryt i vizionit të PS

Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur sot pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve në platformat sociale.

Global 360

Arabia Saudite në qendër të politikës së jashtme globale duke pritur bisedimet SHBA-Rusi

Arabia Saudite ka konsoliduar pozicionin e saj në rritje në arenën e çështjeve globale, duke u shfaqur si një pikë…

Diplovista

Mynih – Rama: Zgjedhja e Trump, shans që Europa të zgjohet

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Mynih, Gjermani, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 61 të Sigurisë, mori…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Drejtësinë e pavarur nuk e solli Amerika, është fryt i vizionit të PS

Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur sot pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve në platformat sociale.