
Begaj pranon Letrat Kredenciale nga ambasadori i Kenias: Hapja e ambasadës në Nairobi thellon bashkëpunimin politik
Kreu i Shtetit theksoi se njohja e shtetit të Kosovës nga Kenia do të ishte një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.

Presidenti Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit jo rezident të Kenias në Shqipëri, Fredrick Lusambili Matwang’a.
Presidenti Begaj, i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, ndërsa e siguroi atë për mbështetjen në përmbushjen e detyrës si ambasador jo rezident në Tiranë.
Begaj e konsideroi historik momentin e takimit në kontekstin e vendimit të shtetit shqiptar për të hapur së shpejti ambasadën në Nairobi, vendim që, sipas Kreut të Shtetit, do të thellojë pozitivisht bashkëpunimin e mirë politik që ekziston midis dy vendeve.
Presidenti Begaj vlerësoi dhe inkurajoi vijimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kenias në nivel organizatash ndërkombëtare.
Kreu i Shtetit theksoi se njohja e shtetit të Kosovës nga Kenia do të ishte një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.
Nxitja e bashkëpunimit ekonomik, shtimi i ndërveprimeve njerëzore nëpërmjet shkëmbimeve kulturore, dhe turistike ishin disa nga temat që u trajtuan si mundësi e forcimit të lidhjeve midis dy vendeve.