
Nga marrëdhëniet me Greqinë, te integrimi dhe lufta në Ukrainë, Rama për “MEGA”: Objektivi im, në 2030 të jemi në BE
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin grek, MEGA.

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin grek, MEGA ku ka folur për marrëdhëniet me Greqinë, luftên në Ukrainë dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
“Intervista në emisionin “Pamja e Madhe” për televizionin kombëtar grek MEGA, me një falenderim për etikën e shkëlqyer të gazetares, e cila nuk la asnjë pyetje pa bërë, por më dha mundësinë të dëgjohem nga publiku grek me të gjitha të vërtetat e mia”, shprehet Rama në rrjetet sociale krahas intervistës së plotë me televizionin grek.
I pyerur se cili është qëndrimi i tij për bisedimet aktuale SHBA- Rusisë për luftën në Ukrainë pa Ukrainën dhe pa BE, Rama tha se “jetojmë në kohëra revolucionare. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se status quoja me të cilin jemi mësuar mund të na ndihmojë”.
“Kur bëhet fjalë për këtë pyetja ime nuk ka të bëjë me SHBA e Rusinë por Europën. Çfarë po bën Europa në këto rrethana ku SHBA e Rusisë po diskutojnë për një gjë që ka të bëjë me Europën. Më duhet tju them se këto janë ato raste kur ndjej keqardhje për miq e kolegët e mi që janë në krye të Europës se ju duhet të bëjnë zgjedhje të vështira dhe nuk u kam aspak zili” , deklaron Rama.
Ndërsa pyetjes nëse është dakord me ata që thonë se ka mungesë qeverisjeje në BE, Kryeministri nënvizon se “Europa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit, por kështu siç është Europa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nuk është panoramë që të jep forcë e siguri. Jo vetëm se janë 27 mjekë por dhe patologë”.
E pyetur nga gazetarja greke nëse ka kërcënim ekzistencial Europa, Rama u shpreh se “është fjalë e madhe, por më keq se kërcënimi ekzistencial do të ishte që ky kontinent të shndërrohej në i parëndësishëm”.
Sa i përket marrëdhënieve mes Shqioërisë dhe Greqisë, Kryeministri u shpreh: “ Mendoj se ne vijojmë të kemi problem që jemi fqinj shumë të vjetër por në të njëjtën kohë, fqinj shumë të rinj, sepse patëm ndërprerjen prej 50 vitesh e rrugët tona ishin krejt të ndara…. Në disa raste kemi qenë viktima të kësaj të shkuare, por sot më shumë sesa një herë kemi pasur provën që jemi shumë të ngjashëm. Kaq shumë ballkanikë, mesdhetarë, emocionalë, dhe pengje të historisë sonë. Por unë kam bërë të qartë se historia mund të jetë ose kurth i madh ose burim i madh për të ecur para. Sfida është ta shohësh historinë me sytë e të ardhmes. Marrëdhëniet tani janë mirë, mund të jenë shumë më mirë. Për një farë kohe ishin keq, për një çështje që ishte shumë e rëndësishme për palën greke ndërsa për ne ishte një mes shumë çështjesh por jemi në rregull tani”.
Burimi ATSH