
Rama: 57% e pagave nuk taksohen, rikthyem 140 milionë euro në vit në xhepat e qytetarëve
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tatimi progresiv, një politikë fiskale e vënë në zbatim nga qeveria që ai drejton që nga 2013-ta, lehtësoi qytetarët me paga të ulëta.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tatimi progresiv, një politikë fiskale e vënë në zbatim nga qeveria që ai drejton që nga 2013-ta, lehtësoi qytetarët me paga të ulëta.
Në takimin me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit, Rama tha se falë taksimit progresiv dhe heqjes dorë nga taksa 10% e qeverisjes së djathtë, 140 milionë euro në vit u mbetën në xhep qytetarëve.
“Kur ne kemi marrë detyrën, për çdo pagë kishte një taksë 10%. Pastruesja në Kryeministri paguante 10% nga paga e vet taksë, pa llogaritur sigurimet shoqërore e shëndetësore”, u shpreh Rama.
Sot, vuri në dukje ai, 57% e pagave nuk kanë asnjë taksë.
“36% e kanë taksën nga 4-10%. Dhe e dini se çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që ne kemi hequr dorë, kemi hequr nga arka e shtetit 140 milionë euro në vit, që i merreshin nga paga atyre që paguheshin më pak”, tha ai.
Rama tha se kjo shumë po u lihet qytetarëve në xhepat e tyre prej më shumë se 10 vitesh.
“Ne nuk i kemi marrë më, për 10 vite rresht. Në vend që t’i merrte shteti, ia ka lënë njerëzve në xhep”, shtoi ai.
Kryeministri po ashtu foli për rritjen e pagave, teksa bëri të ditur se paga mesatare ka shkuar sot 930 euro.
“Unë e di që e mira nuk ka fund. E di që kur vjen puna tek ekonomia nuk është asnjëherë shumë mirë. Kjo është një betejë e përditshme. Por ama, le ta ngrejë dorën kush e mendonte që ne do të arrinim të kishim sot pagën mesatare në sektorin publik 930 euro”, tha ai.
Rama u shpreh se edhe sektori privat po rrit me shpejtësi pagat, por se sipas tij, mbetet ende problem deklarimi i saktë i tyre.
“Në sektorin privat, po ashtu pagat po rriten me shpejtësi, pavarësisht problematikës së mosdeklarimit si duhet”, nënvizoi Rama.
Burimi ATSH