
Kina në vitin 2025: një plan për sigurinë ushqimore, inovacionin dhe prosperitetin
Në një botë që përballet me ndryshime të mëdha, pasiguri dhe pabarazi ekonomike, Kina ka shpallur “Dokumentin Qendror Nr. 1” për vitin 2025 – një plan politik gjithëpërfshirës që skicon një rrugë të guximshme drejt modernizimit bujqësor.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Në një botë që përballet me ndryshime të mëdha, pasiguri dhe pabarazi ekonomike, Kina ka shpallur “Dokumentin Qendror Nr. 1” për vitin 2025 – një plan politik gjithëpërfshirës që skicon një rrugë të guximshme drejt modernizimit bujqësor. Ky dokument, i cili është deklarata e parë politike që lëshohet nga autoritetet qendrore të Kinës çdo vit, është më shumë se një plan i thjeshtë, është një deklaratë qëllimesh dhe prioritetesh. Ai sinjalizon përkushtimin e Kinës për të transformuar zonat rurale në motorë të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë, duke siguruar që askush të mos lihet pas në marshimin drejt modernizimit. Në thelbin e tij, dokumenti është një thirrje për veprim: për të thelluar reformat rurale, për të shfrytëzuar inovacionin teknologjik dhe për të mbrojtur sigurinë ushqimore të kombit. Por, përtej gjuhës politike, qëndron një histori shprese, dhe ambicie, një histori që rezonon jo vetëm më shumë se 500 milionë banorët ruralë të Kinës, por edhe me komunitetin global që kërkon zgjidhje për disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë.
Përpjekjet për përmirësimin e zonave rurale të Kinës gjatë dekadës së fundit kanë hedhur një bazë të fortë për arritjen e rigjallërimit gjithëpërfshirës rural, duke u përafruar me qëllimet e kombit për modernizimin dhe prosperitetin e përbashkët. Qeveria Kineze ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin rural, të nxitur nga një sërë politikash dhe iniciativash që synojnë reduktimin e varfërisë, modernizimin e bujqësisë dhe rritjen e cilësisë së jetës në zonat rurale. Angazhimi i qeverisë për rigjallërimin rural ka qenë një gur themeli i strategjisë së saj më të gjerë të zhvillimit, duke reflektuar rëndësinë e adresimit të pabarazive urbano-rurale dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme.
“Dokumenti Qendror Nr. 1” dhe përparësitë e vendit
Duke riafirmuar përkushtimin e vendit ndaj përmirësimit të jetesës në zonat rurale si një element madhor i modernizimit kinez, dhe duke pasur parasysh pasiguritë globale dhe sfidat e brendshme, dokumenti paraqet një plan të shënjestruar për të rritur prodhimin bujqësor, për të përmirësuar industritë rurale dhe për të përmirësuar jetesën e fermerëve.
Zonat rurale të Kinës janë shtylla kurrizore e ekonomisë, kulturës dhe traditës së saj. Ato janë shtëpi për qindra miliona fermerë që ushqejnë kombin. “Dokumenti Qendror Nr. 1” kërkon të ndërtojë një urë mbi hendekun që ekziston midis zonave urbane dhe rurale, duke avancuar rigjallërimin rural, një vizion që shkon përtej rritjes ekonomike për të përfshirë transformimin social, kulturor dhe mjedisor. Dokumenti vendos qëllime të qarta: deri në vitin 2027, duhet të arrihet progres i dukshëm në modernizimin rural, dhe deri në vitin 2035, duhet të arrihet progres vendimtar në zhvillimin gjithëpërfshirës të zonave rurale. Kjo do të arrihet jo vetëm nga ndërtimi i rrugëve dhe shkollave, spitaleve, etj., por nga krijimi i komuniteteve të gjallëruara dhe të qëndrueshme ku fermerët mund të kenë prosperitet, të rinjtë të ndërtojnë të ardhme të mirë dhe inovacioni të lulëzojë.
Në zemër të dokumentit qëndron një mesazh i fortë: siguria ushqimore është siguri kombëtare. Dokumenti vendos sigurinë ushqimore dhe furnizimin e qëndrueshëm të produkteve bujqësore në krye të rendit të ditës. Arritjet e Kinës në këtë fushë janë tashmë të jashtëzakonshme. Në vitin 2024, vendi arriti një moment historik, duke prodhuar mbi 700 milion tonë drithë—një dëshmi e punës së palodhur dhe aftësive të bujqve kinezë. Por, sfidat po rriten. Fatkeqësitë natyrore, zvogëlimi i tokave të punueshme dhe kërkesa në rritje për produkte ushqimore me cilësi të lartë po dëmtojnë sektorin bujqësor.
Për t’i adresuar këto sfida, dokumenti skicon një strategji me shumë dimensione, si p. sh., zgjerimi i tokave bujqësore me standarde të larta. Deri në fund të vitit 2024, Kina kishte ndërtuar rreth 66.7 milionë hektarë tokash bujqësore me standarde të larta, të pajisura me rrjetet e avancuara të ujitjes dhe të dizajnuara për t’i rezistuar thatësirave dhe përmbytjeve. Dhe me shumë rëndësi është fakti se Kina po shfrytëzon inovacionin për të minimizuar humbjet dhe për të maksimizuar vlerën bujqësore.

Inovacioni: motori i ri i rritjes rurale
Nëse siguria ushqimore është themeli i rigjallërimit rural, inovacioni është motori i saj. “Dokumenti Qendror Nr. 1” prezanton një koncept revolucionar: “forcat prodhuese të cilësisë së re” në bujqësi. Ky term, që përfshin teknologji si seleksionin biologjik, dronet, inteligjencën artificiale dhe sistemet digjitale, përfaqëson një ndryshim paradigmë në mënyrën se si Kina i qaset bujqësisë. Analistët sugjerojnë se kjo nuk është vetëm për përmirësimin e teknikave bujqësore, por edhe për transformimin e industrive rurale përmes digjitalizimit dhe zinxhirëve modernë të furnizimit.
Henan Yimin Holding Co., një prodhues i specave në provincën Henan, duke përdorur teknologjitë 5G dhe IoT për të monitoruar kushtet e tokës në kohë reale, kompania ka reduktuar përdorimin e ujit me 50%, përdorimin e plehrave, me 30% dhe kostot e punës me 70%. Kjo nuk është thjesht një histori e efikasiteti, është një histori e fuqizimit dhe tregon se si teknologjia mund të transformojë jetët, duke i kthyer fermerët tradicionalë në sipërmarrës të përgatitur teknologjikisht.
Dokumenti thekson gjithashtu rëndësinë e rigjallërimit të industrisë së farës, të cilën e përshkruan si “çipin” e bujqësisë. Progresi i Kinës në këtë fushë është jashtëzakonisht revolucionar. Gjatë 40 viteve të fundit, rendimenti mesatar i grurit është dyfishuar, falë avancimeve në teknologjinë e seleksionimit. Sot, kërkuesit po zhvillojnë varietete të specializuara për të përmbushur nevojat e popullatave të ndryshme, nga gruri me fibra të larta , deri te niseshtja me indeks të ulët glikemik për diabetikët. Këto inovacione nuk janë thjesht për të rritur rendimentin; ato janë krijuar dhe përdorur për një sistem ushqimor më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Këto politika dhe programe të aplikuara, janë krijuar për të siguruar që çdo qytetar kinez, pavarësisht statusit social, të ketë mundësi për ushqim të shëndetshëm dhe të përballueshëm ekonomikisht.
Reformat: nxitja e dinamizmit lokal
Ndërsa teknologjia dhe infrastruktura janë kritike, dokumenti njeh që rigjallërimi i vërtetë rural nuk mund të ndodhë pa reforma të thella dhe sistematike. Ai vendos piketat politike për përsosjen e politikave të tokës rurale, zgjerimin e urbanizimit dhe fuqizimin e fermerëve për të marrë në dorë kontrollin e zhvillimit të tyre.
“Dokumenti Qendror Nr. 1” i Kinës është më shumë se një plan politik vendor; është një mesazh që tregon se zhvillimi rural është i arritshëm nëse ka vullnet. Duke investuar në bujqësi, duke fuqizuar fermerët dhe duke shfrytëzuar inovacionin, Kina po siguron të ardhmen e saj dhe po kontribuon në sigurinë ushqimore globale. Ai thërret për përsosjen e politikave të tokës rurale, zgjerimin e urbanizimit dhe fuqizimin e fermerëve lokalë për të marrë kontrollin e zhvillimit të tyre.
Mbi të gjitha, do të jepet më shumë ndihmë për ata që kanë nevojë më shumë duke forcuar mbështetjen për popullsinë rurale me të ardhura të ulëta, duke rritur ndihmën sociale si një rrjet sigurie dhe duke theksuar stimulimin e forcës së brendshme lëvizëse brenda këtij grupi të popullsisë.

Për rajonet rurale ende të pazhvilluara siç duhet, shteti do të zbatojë mbështetjen e politikave të synuara – me fokus kryesor në nxitjen e rigjallërimit dhe zhvillimit të tyre. Ndihma e diferencuar do të ofrohet nëpërmjet mekanizmave të tillë si bashkëpunimi midis rajoneve lindore dhe perëndimore dhe asistenca e synuar, duke u mundësuar këtyre rajoneve që gradualisht të arrijnë në procesin e modernizimit.
Përpjekje dhe direktiva politike të qarta
Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për përshpejtimin e reformave të thelluara rurale dhe arritjen e përparimeve të qëndrueshme në bujqësi. Xi vuri në dukje se qeverisja kineze, në të gjitha nivelet duhet t’i japin përparësi zhvillimit të bujqësisë dhe zonave rurale. Ai kërkoi përshpejtimin e modernizimit bujqësor dhe rural, konsolidimin e bazave bujqësore të vendit dhe rritjen e prosperitetit në këto zona dhe për fermerët, për të përparuar me vendosmëri drejt objektivit të ndërtimit të një fuqie të fortë bujqësore.
Këto udhëzime të Xi u transmetuan dhe u diskutuan në një konferencë të posaçme. Me pak fjalë, fokusi i niveleve më të larta të politikëbërjes së Kinës, ka qenë dhe është zhvillimi i qëndrueshëm rural. Vetë Presidenti Xi Jinping ndër vite ka treguar sa e rëndësishme është kjo për kombin. Të gjitha këto deklarata janë bërë në kontekste kyçe për politikën dhe strategjinë e zhvillimit rural të Kinës, shpesh në konferenca të nivelit të lartë dhe forume qendrore të lidhura me bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik. Si për shembull:
“Pa një bujqësi moderne, nuk mund të ketë një Kinë moderne.” Thënë në vitin 2013, gjatë Konferencës Qendrore të Punëve Rurale.
“Zhvillimi rural nuk është vetëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe të ekonomisë rurale, por gjithashtu për ngritjen e nivelit të jetesës dhe përmirësimin e mirëqenies së njerëzve që jetojnë në këto zona.” Shprehur në vitin 2015, në Forumin e Zhvillimit Rural në Pekin.
“Zhvillimi i zonave rurale duhet të ndjekë një qasje të gjithanshme për t’i bërë fshatrat më të pasura, më të bukura dhe më të zhvilluara.” Thënë në vitin 2017, Kongresi i 19-të i PKK-së.
“Rigjallërimi rural është një strategji kyçe për të arritur një shoqëri të moderuar në mënyrë të gjithanshme dhe për të ndërtuar një vend të fortë socialist modern.” Thënë në vitin 2020 , gjatë eventit, Sesioni Plenar i Pestë i Komitetit Qendror të 19-të.
“Nëse dëshirojmë të krijojmë një vend të fortë socialist, është e domosdoshme të realizojmë rigjallërimin rural, të sigurojmë sigurinë ushqimore dhe të zhvillojmë bujqësinë e përparuar.” Viti 2021, Konferenca Qendrore e Zhvillimit Ekonomik dhe Bujqësor.
“Bujqësia është themeli i vendit tonë, dhe fshatrat e pasura janë një garantues i fuqisë së qëndrueshme të vendit.” Në vitin 2023, me rastin e Konferencës Qendrore të Punëve Rurale.
“Është e domosdoshme të përmirësohen sistemet mbështetëse për të forcuar bujqësinë, për të përfituar fermerët dhe për të pasuruar zonat rurale.” Dhjetor 2024.
Shihet qartë se deklaratat e Xi Jinping theksojnë angazhimin e tij të fortë për zhvillimin e zonave rurale si një përparësi strategjike për ndërtimin e një shteti socialist modern dhe të fuqishëm. Përpjekjet e tij për rigjallërimin rural synojnë të ndërtojnë një bazë të fortë për fuqizimin e shtetit, duke bërë që fshatrat të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e përgjithshëm të vendit, si dhe në arritjen e qëllimeve të politikës kombëtare të Kinës.
Së fundmi, “Dokumenti Qendror Nr. 1” është një tjetër dëshmi e aftësive dhe ambicieve të Kinës. Është një kujtesë që edhe përballë sfidave të mëdha, progresi është i mundur. Por është gjithashtu një thirrje për veprim—një thirrje për të rimenduar mënyrën se si aplikohet qasja ndaj zhvillimit rural, sigurisë ushqimore dhe inovacionit.
Një shprehje kineze thotë “Bima e mirë mund të rritet ngadalë, por rrënjët e saj janë të forta.” Kjo pasqyron më së miri qëndrueshmërinë dhe fuqinë e zhvillimit, ashtu si reformat dhe investimet e Kinës në zonat rurale.
Burimi: CGTN