
Rama: Nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar hetimet, jemi garantë të Reformës në Drejtësi
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në dëgjesën e Grupit Parlamentar me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, se, PS dhe shumica qeverisëse është e vetmja garante e reformës në drejtësi.

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në dëgjesën e Grupit Parlamentar me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, se, PS dhe shumica qeverisëse është e vetmja garante e reformës në drejtësi.
“Shoh një përpjekje të madhe për të errësuar një të vërtetë që nuk duhet ta luajë topi. Kjo parti, kjo shumicë qeverisëse e sotme dhe nesërme, unë personalisht, jemi të vetmit garantë të reformës në drejtësi. Jemi të vetmit garantë të institucioneve të reja të drejtësisë”.
Rama u shpreh se kur bëri me dije dëgjesën me rektorin ka pasur një sërë reagimesh dhe lexoi dy reagime.
Rama lexoi të parin reagimin e Afrim Krasniqit, që siç tha “është një individ i shoqërisë civile, i cili akuzon për shkelje kushtetuese dhe ligjore si deklarim, si praktikë dhe si akt politik dhe parlamentar këtë takim publik që po bëjmë”.
“Ai e konsideron akt minues ndaj drejtësisë dhe rolit kushtetues të Kuvendit dhe parimit të ndarjes dhe balancës së pushteteve. “Edhe pse shpesh na thuhet”, thotë ai “se për këtë në botë bëhen dhe filma, ky është një prej rasteve tipike ku asnjë skenarist dhe asnjë regjisor nuk do të guxonte ta bënte. Natyrisht dhe asnjë politikan i për. Natyrisht edhe asnjë politikan i përgjegjshëm, shtetar apo jurist. Në aspektin ligjor ky është akt kundër dhënies së drejtësisë, pengim i drejtësisë dhe presion politik e në konflikt interesi. Le të jemi të qartë:
Nuk mundet që një parti të marrë rolin e Gjykatës së Apelit dhe as të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.
Nuk mundet që një rektor i një institucioni të pavarur të japë sqarime e llogari jo në universitet, jo në Konferencën e Rektorëve, jo para organeve të drejtësisë, por në mbledhjen e një partie politike.
Nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE dhe në asnjë vend demokratik në botë kur partia mbledh deputetët për të kryer hetime dhe gjykuar një vendim në proces të organeve të drejtësisë.
Zoti Rama dhe PS nuk mund të përcaktojnë prokurorin dhe gjyqtarin, aktet e tyre dhe vendimet e GJKKO, provat dhe masat penale, – duke ofruar një model negativ dhe minues për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe sloganin e tyre për Shqipërinë në BE më 2030.
Komisioni “Xhafa” në Kuvend do të jetë nesër në mbledhjen e grupit, dhe nëse hesht/aprovon edhe këtë herë, duke pranuar akte të tilla populiste e propagandisitike të denja për kohën e Koçi Xoxes, i mbetet të dorëhiqet dhe të pranojë atë që tashmë njihet, strategjinë elektorale për të minuar hetimet VIP të drejtësisë dhe kontrollin përmes presionit të organeve të reja antikorrupsion, sidomos SPAK dhe GJKKO”, u shpreh Rama, duke lexuar statusin në rrjetet sociale të Afrim Krasniqit.
Duke iu përgjigjur këtij opinioni, por edhe të tjerëve që mendojnë si Krasniqi, tha Rama, “dhe të gjithë atyre në radhët e shoqërisë civile dhe në radhët e të pavarurve që kërkojnë pa pushim vetëm represion dhe asgjë tjetër, ndërkohë që ajo që unë kërkoj, ajo që ne kërkojmë, ajo për të cilën unë luftoj, ajo për të cilën ne luftojmë është një drejtësi e pavarur dhe evropiane”.
“Nuk e di se ku e gjen z. Afrim, apo cilido që si z. Afrim flasin për strategji elektorale për të minuar hetimet VIP të drejtësisë. Një strategji që thotë z. Afrim tashmë njihet. Pra paraqet si fakt një fantazi të tijën dhe këtu fillon problemi i madh që ne kemi në shoqërinë e sotme, që ne kemi me pasqyrën e sotme të informacionit dhe me kanalet dhe portalet ku rëndom opinionet shiten si fakte”, u shpreh Rama.
“Ky nuk është fakt, ky është thjesht një opinion. Ne nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. Dhe as rektori këtu nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë për 24 persona që janë marrë nën masë sigurie pa gjyq, as ne nuk kemi marrë përsipër në asnjë rast, për asnjë hetim ose jo VIP që të themi cili është i fajshëm dhe cili është i pafajshëm”, tha Rama.
“Dhe as z. Afrim dhe as një largim tjetër nuk konkurron dot me asnjë formë me këtë parti, me këtë forcë politike me këtë mazhorancë qeverisëse për sa i përket luftës për të patur një drejtësi të drejtë, të pavarur dhe evropiane në këtë vend”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se, “po të mos ishte kjo parti, po të mos ishte kjo shumicë qeverisëse z. Afrim dhe z. Largim nuk do shikonin kurrë hetime VIP në Shqipëri. Po të mos ishte kjo parti, po të mos ishte kjo shumicë qeverisëse z. Afrim dhe z. Largim nuk do shikonin kurrë një forcë politike në pushtet, e cila vullnetarisht, vendosmërisht me patriotizëm ka tërhequr duart komplet nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë dhe ka pranuar që në trupin e vetë të bëhen të gjitha eksperimentet e sallës së operacionit kundër korrupsionit. Dhe kur them të gjitha eksperimentet kam parasysh të gjitha ato për të cilat 5 vjet rresht ne kemi heshtur me vetëdije të plotë që pavarësisht se mund mos kemi qenë dakord në metodë, e para është pavarësia. Se po të kishim folur ne, siç kemi filluar të flasim sot do kishim prishur shumë më tepër punë se çdo kishim ndrequr”, tha Rama.
Por ama, shtoi Rama, “nuk mund të rrimë sot pa folur dhe duhet të përgatitet z. Afrim dhe z. Largim që të dëgjojnë gjithmonë e më shumë nga ne sepse për ne tani që reformën tonë në drejtësi, tani që SPAK-un dhe Gjykatën Speciale që i ngritëm ne dhe i mbështetem ne dhe që ua dhamë ne të gjithë hapësirën që të bëjnë punën që kanë bërë i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit”.
Burimi ATSH