
Rikualifikimi i hyrjes së Shkodrës, mbi 402 milionë lekë për shpronësimet
Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.

Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës”.
Sipas këtij vendimi, pronarët do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 402 403 347 lekësh, e cila do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.
Ky projekt përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte.
Pjesë e projektit janë edhe fushat e reja sportive dhe një mol i ri, që do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.