
Spiropali: Bashkëpunim i suksesshëm me Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë
Kryetarja e Kuvendit pret delegacionin e Komisionit për Harmonizimin me Bashkimin Evropian në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Turqisë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Harmonizimin me Bashkimin Evropian në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Turqisë, të kryesuar nga Burhan Kayaturk.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e grupit të miqësisë me Turqinë, deputetët Arben Pëllumbi, Bardhyl Kollçaku, Kreshnik Çollaku dhe ambasadori i Turqisë, Tayyar Kağan Atay.
Ndiq "TiranaDiplomat.com" në Facebook
Në nisje të takimit, delegacioni u përshëndet edhe nga Kryeministri Edi Rama.
Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Turqisë, në të gjitha aspektet e nivelet, dhe shprehu vullnetin e Kuvendit për vijimin e bashkëpunimit të suksesshëm parlamentar me Asamblenë e Madhe Kombëtare, mes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe në nivele të larta.
Gjatë takimit, u diskutua edhe mbi progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si objektiv strategjik kombëtar i Shqipërisë, dhe mbështetjen e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.